E Diel, 1 Nëntor 2026

Hipertensioni, temperaturat e larta ndikojnë në përkeqësimin e sëmundjes



Hipertensioni shfaqet i rrezikshëm gjatë sezonit të verës, për shkak të ndikimit që japin temperaturat e larta. Mjaft persona kanë humbur jetën gjatë kontakti të tepruar me rrezet e diellit dhe temperaturat e larta. Tensioni i lartë, hipertensioni arterial, mbetet një ndër shkaktarët kryesorë të vdekshmërisë në vend. Sipas një studimi të realizuar nga mjekët, rezulton se rreth 25% e shqiptarëve vuajnë nga tensioni i lartë. Prevalenca rritet me kalimin e moshës, pasi 40% e shqiptarëve që vuajnë janë mbi 45 vjeç. Hipertensioni shkakton një numër të madh sëmundjesh kardiake, duke nisur nga ato koronare e deri në infarkte akute. Mjekët këshillojnë që të gjithë qytetarët që janë në dijeni të problemeve që kanë me tensionin e lartë, të shmangin daljet në diell dhe ekspozimin ndaj temperaturave. Hipertensioni mund të shkaktojë humbjen e jetës nëse pacientët nuk ndjekin këshillat e mjekëve. Gjendja shëndetësore e personave që vuajnë nga kjo sëmundje mund të arrijë përkeqësim të menjëhershëm, nëse nuk merren medikamentet, apo anashkalohen këshillat e specialistëve. Prandaj dhe numri i personave që humbasin jetën arrin në shifra tepër të larta në vendin tonë. Rreth 700 mijë persona në vendin tonë vuajnë nga hipertensioni, duke e renditur këtë sëmundje ndër më shqetësueset. Sipas mjekëve specialistë, kjo shifër kap mbi 25-30 për qind të popullsisë. Kohët e fundit hipertensioni ka filluar të shfaqet edhe në moshat mbi 18 vjeç. Mjekët vlerësojnë se sëmundja e hipertensionit është një faktor shumë i rëndësishëm që shkakton sëmundje të zemrës, hemorragjitë cerebrale, dëmtime të veshkave.
Simptomat
Shenjat e sëmundjes shfaqen gradualisht. Presioni arterial, në fazat fillestare, lëkundet me ngritje e zbritje dhe më vonë stabilizohet me shifra të ngritura. Me zhvillimin e mëtejshëm të sëmundjes shfaqen dhimbjet e kokës, marrja e mendve, çrregullimi i gjumit, shpejtimi i ritmit të pulsit si dhe dobësi e përgjithshme. Thellimi i gjendjes së hipertensionit mund të sjellë edhe ndryshime në zemër, e cila fillon të zgjerohet. Kjo sëmundje nganjëherë shoqërohet me arteriosklerozën e enëve të gjakut, që nuk lë pa prekur enët koronare që ushqejnë zemrën, ngushtimi i të cilave shkakton dhembje në zonën e zemrës, vështirësi në frymëmarrje gjatë sforcimit fizik. Në të gjitha këto sëmundje të shkaktuara nga hipertensioni, lëngu i limonit jep rezultate shumë të mira, ndaj dhe mjekët popullorë këshillojnë që kjo agrume të konsumohet sa më shpesh për parandalimin e tyre.
Dielli
Ekspozimi në diell në orët më të nxehta gjatë ditës, i personave që vuajnë nga hipertensioni dhe në veçanti i atyre që përveç saj vuajnë edhe nga sëmundje të zemrës, mund të shtojë rrezikun e krizave dhe të infarktit. Dhe ata që vuajnë nga zemra nuk janë të paktë. Një studim i kryer nga mjekë të klinikës “Mayo” në Shtetet e Bashkuara, tregon se një në çdo katër vetë, mbi moshën 45-vjeçare mund të preket nga sëmundje të zemrës. Të dhënat e studimit i shtyjnë mjekët dhe pacientët të kenë parasysh se pushimi i zemrës nuk shkaktohet vetëm nga pompimi i pamjaftueshëm i gjakut, por edhe atëherë kur pompimi i gjakut është normal, por zemra nuk është në gjendje ta absorbojë atë. Simptomat tipike të kësaj sindrome janë lodhja, vështirësi në frymëmarrje, ënjtje të këmbëve dhe probleme në ritmin e rrahjeve të zemrës. Për të shmangur një fatkeqësi, mjekët e kësaj klinike rekomandojnë zbatimin e masave parandaluese kundër presionit të lartë të gjakut. Një tjetër mënyrë për të ulur rrezikun e sëmundjeve të zemrës është pirja e verës së kuqe.
Faktorët
Stresi, menopauza, jeta sedentare, ushqimi, këto janë disa nga “shkaktarët e jashtëm” të shfaqjes së hipertensionit arterial. Sëmundja e hipertensionit arterial prek të gjitha moshat që nga ajo fëmijërore deri në moshat e rritura. Hipertensioni që shfaqet në moshat e reja, para 50 vjetëve ka të bëjë më shumë me hipertensionin arterial sekondar, kurse pjesa tjetër që haset në moshat e rritura mbi 50 vjeç, është hipertension arterial primar. Në përgjithësi konsiderohet si sëmundje e moshës së rritur, por vihet re se është mjaft e përhapur në moshat e reja. “Fajtorët” për këtë duhen kërkuar te trashëgimia, por dhe stili i jetës, aktiviteti i ulët fizik dhe regjimi ushqimor me kalori të tepërta dhe pa vlera ushqimore. Stresi konsiderohet si një nga faktorët që ndikojnë në shfaqjen e hipertensionit. Kjo sepse, stresi krijon një dominonte në sistemin nervor, e cila shton prodhimin e adesteronit në veshka, e për pasojë çon në ngushtimin e enëve të gjakut dhe shfaqjen e hipertensionit. Te gratë menopauza konsiderohet si një nga faktorët që ndikon në shfaqjen e sëmundjes. Kjo lidhet me çrregullimet në prodhimin e hormoneve, sidomos estrogjenit që ndihmon në mbrojtjen e enëve të gjakut nga arterosklerozat. Në momentin që këto hormone janë në nivele të ulëta, nis formimi i arterosklerozave, e për pasojë edhe hipertensioni. Jeta sedentare është cilësuar si një ndër faktorët kryesorë të rrezikut për shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare. Zemra është organ muskulor dhe si i tillë, ajo duhet mbajtur në formë. Me një aktivitet fizik të rregullt zemra bëhet më e fortë dhe i reziston lodhjes. Nga ana tjetër, shtohet kërkesa për oksigjen nga ana e trupit dhe shtohet puna e zemrës dhe mushkërive, duke bërë qarkullimin e gjakut më të lehtë, e për pasojë uljen e vlerave të presionit të gjakut. Në të njëjtën kohë, mbajtja nën kontroll e presionit të gjakut ul rrezikun për shfaqjen e sëmundjeve kardiake apo hipertensionin.

Rreziqet që shkaktohen nga mënyra e ushqyerjes
Nikotina që përmban duhani çon në ngushtim të enëve të gjakut, e për pasojë rritjen e presionit të gjakut dhe shfaqjen e hipertensionit. Marrja e kripës nëpërmjet ushqimeve në sasi të tepërt, depozitohet në muskulaturën e mureve të enëve të gjakut, i fryn ato dhe shkakton rritje të tensionit të gjakut. Hipertensioni arterial është ngritja e presionit në enët e gjakut. Kjo shkaktohet nga disa shkaqe dhe për këtë arsye ndahet në dy grupe të mëdha: Hipertension arterial esencial, i cili edhe pse bëhen një sërë ekzaminimesh nuk arrin të kuptohet se nga vjen. Kjo shpesh ka origjinë trashëgimie ose stresi, pra ka origjinë të brendshme. Grupi i dytë është hipertensioni arterial sekondar, që tregon se ka një shkak të ndryshëm që mund të jetë një person që ka vuajtur nga veshkat, gjëndrat e tiroides, diabeti, tumori i gjëndrave mbiveshkore, etj. Shkak tjetër mund të jenë sëmundje të tilla të veshkave, si për shembull, ngushtimi i arteries renale, që furnizon veshkën me gjak. Duke mos u furnizuar si duhet, në veshkë krijohen çrregullime të prodhimit të hormoneve dhe për pasojë ngritje të tensionit. Shkak tjetër janë problemet me gjëndrat e tiroides, prodhimi i tepërt të hormonit të tiroides shton rrahjet e zemrës, e për pasojë shkakton rritje të tensionit të enëve të gjakut.

Rekomandimet se si mund të shmanget sëmundja
Nëse keni tension të lartë të gjakut, mos bëni panik, mendimi i mjekëve lidhur me këtë çështje u ndryshua. Disa specialistë nuk e konsiderojnë më se tensioni duhet të zvogëlohet menjëherë. Tek njerëzit e shëndetshëm, pa patologji dhe faktorë rrezikues, kufijtë e tensionit normal janë 140 me 90, konsideron kryetari i Kongresit Evropian për hipertensionin, profesori Xhuzepe Mança. Autorët e tre hulumtimeve, të cilët përfshinë më shumë se 30 000 pacientë, të cilët kanë pasur faktorë të rrezikshëm (diabet, të meta kardiovaskulare) zbuluan se në rastet e tilla të tensionit në kuadër të 125-120 me 70 është mjaft e rrezikshme, pasi ekziston rreziku për sulm në zemër dhe zbritje të sheqerit. Kjo ndodh pasi gjatë qarkullimit të ngadalësuar të gjakut, ai nuk dorëzon substanca të mjaftueshme të dobishme në organizëm, si oksigjenin, glukozën dhe komponentë të tjerë energjetike të domosdoshëm. Tek këto raste, nuk duhet të rregullohet menjëherë tensioni i gjakut pa u konsultuar me mjekun. Mjekët po ashtu mendojnë se duhet të kontrollohet tensioni edhe tek fëmijët e adoleshentët.

Grupmoshat më të prekura
Nga tensioni vuan gati 12-20 për qind e popullatës, dhe me rritjen e moshës rritet dhe përqindja e të prekurve. Por më të predispozuar për t’u prekur nga kjo sëmundje është mosha mbi 45-50 vjeç për burrat dhe 50-55 vjeç për gratë. Te gratë kjo lidhet me hyrjen në periudhën e menopauzës dhe çrregullimet hormonale karakteristike të kësaj periudhe, ndërsa te burrat me çrregullimet që pësojnë enët e gjakut, përdorimin e kripës, duhanit, alkoolit. Enët e gjakut humbasin elasticitetin, ngushtohen dhe nisin problemet me tensionin e gjakut. Kohët e fundit po vihet re se hipertensioni po shfaqet dhe te moshat e reja.

Simptomat
Hipertensioni zakonisht zhvillohet pa shumë ndërlikime, por në raste të tensionit të lartë paraqet këto simptoma:
Dhimbje koke
Marramendje
Dhimbje dhe ndjenje rëndese në gjoks
Pagjumësi
Urinim i shpeshtë
Etje e madhe
Dobësi muskulore dhe humbje ekuilibri.

Rekomandimet
Humbisni peshën e tepërt
Shëtisni
Lini duhanin
Kontrolloni stresin
Mbani regjim të rregullt ushqimor
Preferoni frutat dhe zarzavatet
Rregulloni temperaturën e shtëpisë

14 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›