E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenca spanjolle, një histori dështimi



Nga Olsi Baze

“Të mësosh të njohësh njëri-tjetrin është gjeja më e vështirë në botë”, - Servantes

Dita e parë e muajit korrik 2010 shënoi përfundimin e mandatit të presidencës spanjolle të BE. Gjashtë muaj më parë, Madridi kishte shpalosur planin shumë ambicioz të Presidencës europiane që ajo po merrte në dorë. Në përfundim të kësaj Presidencë ngrihet bilanci politik. Në të del qartë; zotimet dhe angazhimet spanjolle gjatë presidencës së BE mbetën të parealizuara dhe shënuan një presidencë të vakët dhe të dështuar në të gjitha aspektet e saj.

Spanja pati fatin e “mirë” që të ishte vendi i parë që testoi skemën e re të funksionimit të Presidencës Europiane me rotacion, sipas rregullit të përcaktuar nga Traktati i Lisbonës që u miratua me shumë mund pas referendumit të dytë irlandez.

Traktati i Lisbonës e “dënonte” Spanjën të udhëhiqte, BE, me në krye të saj një President të Këshillit të Europës, garant i një politike në interes të BE. Presidenti gëzon një mandat europian; ka për qëllim të ulë rolin e krerëve të shteteve të BE të cilët në konfigurimin e vjetër të funksionimit të BE impononin vizion e tyre personal në prioritet e politikës së jashtme të BE. Traktati i Lisbonës jepte një mesazh të qartë; vendet që do të drejtojnë Presidencën e radhës së BE do të duhet tashmë të mendojnë dhe hartojnë vazhdimësinë e politikave të BE.

Vetë logo e përzgjedhur për Presidencën europiane është: në qendër të logos janë shkronjat “EU”, të veshura me ngjyrat e Spanjës deri dje, ndërsa sot në muajin korrik ato iniciale mbartin ngjyrat e flamurit belg dhe më pas do të vishen me ato të Hungarisë më 1 janar 2011.

E veçanta e presidencës spanjolle ishte fakti që në mesin e muajit të dhjetorit të 2009 adresa internet e Presidencës Europiane ishte e disponueshme në tre gjuhët rajonale të Spanjës, katalan, bask dhe galician. Europa për një çast fliste me tri gjuhë rajonale.

Megjithë projektet dhe vullnetin spanjoll për të udhëhequr Europën, në një plan pune të bazuar në katër prioritete siç ishin; a) aplikimi i plotë i Traktatit të Lisbonës, b) konsolidimi dhe rritja ekonomike e vendeve të BE, c)përforcimi i prezencës dhe influencës së BE në skenën ndërkombëtare dhe d)vendosja e qytetarëve europiane në zemër të politikave të EU, presidencës spanjolle që në fillimet e saj i erdhi një erë parfum dështimi sepse ajo duhet të organizohej në një trio: Spanjë-Belgjikë-Hungari, me qëllim që të sigurohej një vazhdimësi dhe funksionin i mirë i rregullave të reja institucionale të përcaktuar nga Traktati I Lisbonës

Ky traktat imponon në një farë mënyre, vendin që ka presidencën e BE: Të përcaktojë dhe hartojë objektivat e veta për 18 muaj e ardhshëm duke e detyruar dhe shtyrë drejt një bashkëpunimi të detyrueshëm me dy vendet e tjera që do ta pasojnë. Ky detyrim mbetet abstrakt sepse çdo kush e di që në skenën botërore mund të ndodhin ngjarje dhe situata të cilat i anashkalojnë objektivat politike dhe ekonomike të shpallura më përpara.
Presidenca spanjolle përbente rendësi për vetë shtetet që do ta marrin më pas stafetën e drejtimit të Presidencës së BE, sepse marrëdhëniet e figurave kryesore të politikës europaine dhe vetë institucioneve u përcaktuan dhe determinuan gjatë presidencës spanjolle. Duke filluar nga metoda e punës deri tek politikat kryesore të BE sic janë ato të politikës së jashtme dhe sigurisë së përbashkët dhe çështjet e krizës financiare.

Dështimi i presidencës spanjolle qoftë në rrafshin ekonomik dhe politik lidhet shumë me kontekstin ekonomik botëror në të cilin kalon eurozona.

Në aspektin ekonomik, Presidenca spanjolle ishte me të vërtetë katastrofike. Në një moment kur pritej që në një periudhë krize, Bashkimi Europian të jepte një përgjigje dhe mesazh të fortë mbi vendosjen e rregullave mbi buxhetin e vendeve anëtare të Eurozonës, rritjen e fuqisë blerëse dhe uljen e papunësisë, siç e parashikonte plani i punës, i paraqitur nga Kryeministri Zapatero[1], vetë Spanja u gjend me një bilanc ekonomik të ngjashëm me Greqinë e falimentuar. Në fillimet e krizës ekonomike botërore, Spanja ishte një nga vendet më të prekura nga kriza ekonomike. Me një papunësi prej 18% kur mesatarja në BE është tek 9.5%, vështirë se mund të besohet se politikat ekonomike spanjolle mund të jepnin rezultate e duhura dhe të pritshme në nivel Europian.

Megjithëse me një buxhet të rëndësishëm prej 55 milionë eurosh, presidenca spanjolle dështoi në objektivat e saj ekonomike që synonin rritjen ekonomike në Eurozonë, luftën ndaj papunësisë dhe ekuilibrimin e financave publike të vendeve të BE, gjë që sot është shumë larg realizimit.

Përsa i përket politikës së Jashtme, presidenca spanjolle u shqua për mungesën dhe paaftësinë për të reaguar në momentet e krizave që njohu Lindja e Mesme.

Ministri i jashtëm spanjoll, Miguel Moratinos pati deklaruar më 18 dhjetor 2009 që prioriteti i presidencës spanjolle në 2010 do të ishte krijimi i një shteti palestinez që do të mbijetonte me atë izraelit. Gjashtë muaj më vonë kjo mbetet vetëm një deklaratë e radhës dhe asgjë më shumë.

Projekti i presidencës Spanjolle për Unionin e Mesdheut u shoqërua me një heshtje dhe harresë të plotë.
Spanja e mbështeti jashtëzakonisht në fillimet e saj projektin e Sarkozys. Zapatero premtoi publikisht ngritjen e një sekretariati të Përgjithshëm dhe vënien në jetë të projekteve të para në kuadër të këtij Unioni. Në fund të presidencës spanjolle asgjë nuk u realizua. Në këtë kontekst, madje, samiti i vendeve të Mesdheut nuk u mbajt asnjëherë me pretekstin e tensionimit të marrëdhënieve midis Palestinës dhe Izraelit.

Objektiv tjetër kryesor i presidencës spanjolle, ishte dështimi për forcimin e lidhjeve trans-atlantike me SHBA. Nuk mund të flitet për një ndryshim ose lidhje të re të fortë midis BE dhe SHBA kur samiti i parashikuar midis BE-SHBA nuk u mbajt asnjëherë. Përkundrazi, është evidente se flitet qartë për një afrueshmëri më të theksuar me Rusinë me të cilën Spanja ndan shumë pikëpamje në politikën e saj të jashtme.

Spanja i dha më shumë rëndësi marrëdhënieve me Amerikën Latine ku ka edhe zonën e influencës së saj diplomatike historike, megjithëse kjo zonë gjeografike nuk paraqiste prioritet gjeostrategjik të rëndësishëm për BE-në; Madje, mosarritja e një konsensusi për një qëndrim të përbashkët të BE ndaj Kubës ishte një tjetër dështim i politikës së jashtme spanjolle.

Aspekt tjetër i dështimit të Presidencës Spanjolle do të ishte padyshim Kosova. Vendi që drejtoi BE-në është një shtet që nuk e njeh Kosovën si vend të pavarur, dhe nuk mund të pritej në të vërtetë një qëndrim konstruktiv dhe pozitiv i Spanjës ndaj Kosovës. Diplomacia e drejtuar nga Moratino u drejtua më shumë në shuajtje shpresash për Ballkanin në Samitin e Sarajevës, ku shumë vendeve të rajonit iu transmetua mesazhi i lënies jashtë nga BE ende për një periudhë të gjatë. Spanja zyrtare nuk kishte si të unifikonte një qëndrim të përbashkët të vendeve të BE-së ndaj Kosovës sidomos në kuadër të përpjekjeve të Prishtinës në rrugën drejt integrimit të BE-së.

Kosova, edhe sikur të kishte plotësuar kushtet e liberalizimit të vizave dhe të paraqiste kërkesën e saj, Spanja do të ishte e detyruar ta tërhiqte zvarrë kërkesën sepse ajo nuk mund te merrte ne konsideratë kërkesën e një shteti të cilin ajo nuk e njeh. Mosnjohja e Kosovës nga Spanja vuri disa herë në pikëpyetje legjitimitetin e presidencës së BE-së nga Madridi.

Në fund mjafton të shohim sesa inkopetente ishte Presidenca Spanjolle në Tiranë që të arrinte të bindë palët në ngërçin politik në një marrëveshje që respekton institucionet dhe Kushtetutën për të kuptuar sesa pabereqet ishte ajo.

[1] http://www.eu2010.es/es/documentosynoticias/galeria_multimedia/videos/zapaterocumbre.html

14 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›