Reforma e tregjeve financiare
Henrik Böhme
Në takimin e njëzet ekonomive më të rëndësishme të botës, në Toronto, në temën e reformës së tregjeve financiare, u shënuan pak përparime. Por përshtypja se për bankat gjithçka do të vazhdojë si më parë është e gabuar. Kriza ishte e shtrenjtë: së shpejti taksapaguesve në të gjithë botën do t'u duhet të kontribuojnë sa rreth një e treta e produktit të brendshëm bruto për të shmangur një depresion ekonomik. Kështu u shpreh pak ditë më parë Jean - Claude Trichet, shefi i Bankës Qendrore Evropiane.
Sipas tij kjo u bë një herë. Një herë e dytë nuk mund të përballohet nga ekonomia botërore. Për këtë arsye duhet bërë gjithçka për të shmangur në të ardhmen kriza të këtyre përmasave. Ky pohim mund të miratohet pa rezerva. Sigurisht mund të ketë mendime të ndryshme sa i takon politikës së interesave të ulëta, që ndjek Banka Qendrore Evropiane, që ka si pasojë vërshimin e parave të lira në tregje. Pasi kjo para e lirë e kushtëzuar nga politika rigoroze e interesit zero që ndjek Banka Qendrore në SHBA, FED, qysh prej atentateve të 11 shtatorit, ishte një nga pikënisjet e krizës së fundit. Por për momentin nuk kemi aq fantazi sa të propozojmë një alternativë ndaj politikës së parasë së lirë, nëse nuk duam të rrezikojmë rimëkëmbjen e ekonomisë që po fillon të ndihet në shumë sektorë. Pasi edhe një gjë është e qartë: kriza nuk është kapërcyer ende, kthimet prapa janë të mundshme në çdo kohë. Kriza tani ka shënuar një nivel të ri cilësor. Ajo fshihet në statistika, përgjon prapa kolonave të shifrave dhe terreni i saj më i favorshëm është mali gjigant i borxheve, që bota ka grumbulluar. Kështu bota u pregatit të përmbushë një premtim: asnjë produkt financiar, asnjë aktor dhe asnjë treg financiar nuk mund t'i shpëtojnë në të ardhmen mbikqyrjes. Këto premtime u morën në samitet e G-20 në Londër dhe Pittsburgh vitin e kaluar. Para plot dy javësh në Toronto gjithçka tingëlloi më modeste: derisa të përmbushet premtimi, ka ende shumë punë për të bërë. Stacioni i ardhshëm i pjesëmarrësve të samiteve është Seuli pas gjashtë muajsh. Por atje pritet të bëhet betimi i madh. Dhe shancet duken të mira që në Korenë e Jugut të mos mbahen vetëm fjalime të bukura. Rreth dy vjet pas falimentimit të bankës Lehman Brothers po bëhet serioz angazhimi për t'i vënë frerë kapitalizmit financiar. Fillimisht bëhet fjalë për pjesë të një mozaiku. Por po të shohësh me vëmendje, mund të dallosh se po marrin formë konturet e kësaj arkitekture të re financiare. Elementi më i rëndësishëm vjen nga Shtetet e Bashkuara. Sigurisht projektigji i Presidentit Obama la jo pak pupla gjatë rrugës nëpër institucionet përgjegjëse. Megjithatë së shpejti Banka Qendrore e SHBA-së do të ketë të drejta të gjera që do t'i mundësojnë kujdesin për një sistem financiar të qendrueshëm. Këtu përfshihet edhe mundësia për të kërkuar transparencë për të ashtuquajturat "hedge fonds", tepër riskante. Gjithashtu FED-i në të ardhmen mund vendosë hapjen e procedurës së falimentit për bankat në gjendje të keqe. Në Evropë ka filluar reduktimi i shpërblimeve për menaxherët e bankave. Spekulimet e rrezikshme së shpejti nuk do të shpërblehen më në mënyrë të pamasë. Ajo që do të shpërblehet do të jetë qendrueshmëria e investimeve. Kështu shpresohet që bastet e rrezikshme financiare të mos jenë më tërheqëse. Parashikohen edhe rregulla të reja për kuotën e kapitalit të vet për bankat. Në këtë mënyrë institutet financiare duhet të bëhen më të forta dhe rezistente ndaj krizave, edhe pse masa të tilla fillimisht do të jenë të dhimbshme për to. Nëse është me vend që bankat të ngarkohen edhe me një kontribut për të ashtuquajturin "fond krize", është e diskutueshme, por propozimi mirëpritet nga takspaguesit. Në fund të fundit ishin ata që me paratë e tyre shpëtuan jo pak banka nga rrënimi.
14 Korrik 2010