Ushqimet në rrugë rrezik për shëndetin
Arben Muka
Shoqatat e mbrojtjes se konsumatorëve në Shqipëri po japin alarmin për prezencën e tregjeve ushqimore buzë rrugës e trotuareve. Tregtimi i produkteve ushqimore jashtë standardeve cilësore e higjienike përbën rrezik.
Buzë rrugëve kryesore e dytësore si dhe në trotuaret e Tiranës tregtarë ambulantë improvizojnë tregje për shitjen e mallrave ushqimore, produkte blegtorale, peshk, fruta, perime etj. Në kohën e temperaturave të larta, pa sigurinë minimale të pajisjeve ftohësve e ngrirësve, pa kushte higjeno sanitare, aktivistët e mbrojtjes së konsumatorit japin alarmin e rrezikut për shëndetin e qytetarëve. Kryetari i shoqatës “Për mbrojtjen e konsumatorit”, dr. Islam Cani, thotë se organizata e tij merr vazhdimisht ankesa dhe informacione nga qytetarët për prezencën e tregjeve ushqimore të improvizuara dhe të palicencuara të rrugës. “Ato shiten në një mënyrë që fatkeqësisht në Shqipëri nuk po stabilizohet. Janë në mënyrën më të shëmtuar dhe më të rrezikshme për konsumatorin. Duke mos pasur mundësi ata blejnë në tregun e hapur, ose atë të rrugës qumështin, mishin, peshkun, vezët e nënproduktet e tyre.”
Dr Cani thotë se këta tregtarë shfrytëzojnë gjendjen e mjeruar ekonomike dhe sociale të një kategorie të qytetarëve, të cilët pranojnë të blejnë gjithçka po të jenë më lirë. Meri, një pensioniste që banon në qendër të qytetit, thotë se i frekuenton tregjet në trotuaret afër lagjes së saj se ato janë më të lira. “Nuk na e mban xhepi për ushqime të shtrenjta”. Kurse Namiku një 45 vjeçar thotë se jo vetëm tani në stinën e nxehtë të verës, por kurrë nuk i afrohet tregtarëve të tillë. “Edhe në dimër që është temperaturë e ulët ato kanë probleme, pluhurat, pisllëqet përreth. Mund të jenë më lirë nga çmimi pasi nuk paguajnë taksa, por vetëm nga që janë në ambient të hapur nuk duhet të lejohen fare.” Nuro, një shitës ambulant i licencuar e shikon problemin në një këndvështrim tjetër. “Si tregtarë që i paguajmë tatime bashkisë pothuajse na kanë nxjerrë jashtë funksioni, nuk punojmë dot. Ata dalin përballë nesh dhe na konkurrojnë në mënyrë të pandershme”.
Mjeku Besnik Lamçe e shikon konsumimin e mallrave që tregtohen në kushte të mjeruara higjienike si një burim të rrezikshëm për sëmundjesh. Të mbajtura nën diell, nën veprimin e reagentëve të rrezikshëm të ambientit përreth, tek këto produkte ndodh një proces dekompozimi, çka jep efekte negative tek konsumatorët, thotë mjeku Lamçe . “Sëmundjet që shfaqen nga konsumimi i këtyre ushqimeve të pakontrolluara janë diarreja dhe të vjellat. Këto dy simptoma çojnë në atë që ne i themi ulje të nivelit të ujërave në organizëm dhe të kripërave. Por përqindja më e madhe e tyre janë nga kontaminimi me shirika kolin, salmonelën dhe patologji të tjera që vijnë nga qumështi dhe mishi i pakontrolluar”. Mjeku Besnik Lamçe, shton se institucionet e mbrojtjes së shëndetit dhe mbrojtjes së konsumatorëve duhet të evitojnë tregjet informale, por të kontrollojnë sistematikisht dhe rrjetin e licencuar për kushtet higjeno sanitare.
Duke qenë se organizimi i tregjeve të tilla është informal, pa licencë qëndrimi dhe aktiviteti, policia bashkiake në Tiranë mbetet institucioni që largon ose gjobit tregtarët e tyre. Si mënyra më e mirë për momentin, sipas drejtuesve të këtij institucioni, është zgjedhur largimi i tyre. Pasi është shumë i vështirë sekuestrimi i mallrave për mungesë ambientesh depozitimi.
Përveç vënies në rrezik të jetës së qytetarëve ato ndotin ambientin përreth, thotë për , Zyhdi Dajti, drejtor i policisë bashkiake të kryeqytetit. “Pikat më të nxehta për qytetarët e Tiranës janë therja e mishit e bulmetit dhe e peshkut. Këto janë tre drejtime që ne i kemi parë si të domosdoshme sepse shkaktojnë erë të keqe, mblodhi miza dhe të gjitha mbetjet hidhen nëpër rrugë”. Autoriteti i pushtetit lokal ju ka ofruar tregtarëve grumbullimin e tyre në vende të miratuara dhe me kushte të përshtatshme higjienike, duke stimuluar dhe aktivitetin me licencë.
(Marrw nga DW)
14 Korrik 2010