E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hipokrizia me integrimin europian

Procesi i integrimit europian të Shqipërisë po shfaq simptoma të qarta të shndërrimit në një proces jopërmbajtësor, si pasojë e papërgjegjshmërisë së pjesës dërrmuese të elitës politiko-qeverisëse të vendit. Megjithëse dihet botërisht se shqiptarët nuk do të përfitojnë nga heqja e regjimit të vizave me hapësirën Shengen nga 1 janari 2010, sikundër do të përfitojnë qytetarët maqedonas, serb dhe malazezë, një radhë e gjatë zëdhënësish, që fillojnë nga Kryeministri e deri te fletushkat proqeveritare në pritje të tenderit të radhës, tentojnë që këtë dështim ta lidhin me mungesën e opozitës në Kuvend, pavarësisht se po mbushin vitin e pestë që janë në krye të punëve të vendit.

Presidenti i Republikës gjeti arsyet e këtij dështimi diku tjetër. Që nga Sllovenia, ku qëndroi për një vizitë zyrtare, Presidenti iu bashkua korit të zërave që kërkojnë kthimin e opozitës në Kuvend, por nuk ngurroi t‘i bënte thirrje BE-së që të tregohej e kujdesshme dhe të mos krijonte diferencime në vlerësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai, gjithashtu, siguroi median sllovene se shtyrja e fillimit të shqyrtimit të aplikimit për anëtarësim të Shqipërisë në BE ishte një çështje teknike, që kishte të bënte me vetë proceset konstitutive brenda BE-së.

Në rast se Presidenti është i painformuar për këto procese, minimalisht deklarimet e tij në mediat sllovene të publikuara edhe në faqen zyrtare të presidencës mund të konsiderohen thjesht si lajthitje. Miqësisht do t‘i sugjeroja që të lexonte me kujdes deklarimet konstante të Presidencës së BE-së, Trojkës së BE-së dhe raporteve të vetë shërbimeve të Komisionit Europian për këto çështje, të cilat konvergojnë në një pikë: të gjitha vendet vlerësohen në bazë të kritereve të njëjta dhe rezulton se qeveria shqiptare nuk i ka përmbushur standardet e kërkuara.

Nuk ka asnjë trajtim diferencues nga ana e BE-së, por vetëm inkurajime dhe nxitje për të kryer reformat e nevojshme. Në raste të tilla, detyra e një Presidenti është të nxisë institucionet e vendit të tij për të përmbushur standardet dhe jo ta kërkojë fajin gjetiu, pasi kjo sjell keqkuptime te qytetarët shqiptarë, të cilët mezi presin të zhvillohen e integrohen në hapësirën e BE-së. Por, nëse Presidenti Topi beson vërtet, në dallim madje edhe nga Kryeministri Berisha se, BE-ja ia ka ngrënë hakun Shqipërisë, duhet të gjente kurajon dhe forcën argumentuese për të vënë gishtin mbi ato standarde që ne i kemi plotësuar, por që BE-ja nuk arrin t‘i shohë.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme guxon të shkojë edhe më tej, duke e etiketuar forcën politike më të votuar në Shqipëri si ksenofobe dhe penguese e proceseve të integrimit europian, pavarësisht se nga kjo forcë politike dhe elektorati i saj është mandatuar dy herë në krye të punëve të vendit dhe disa herë të tjera si anëtar i kabinetit qeverisës. A thua të ketë milituar ai për më shumë se një dekadë si një fenomen transatlantik në një formacion politik ksenofob që pengon integrimin e vendit?! Vështirë ta besojë një gjë të tillë edhe ai vetë. Vështirë gjithashtu të besojë edhe ai vetë se shqiptarët nuk janë aq inteligjentë sa të besojnë se koalicioni i tij me atë që ai e ka quajtur sistematikisht para zgjedhjeve si "Sali Gërdeci" u ngjiz për hir të integrimit europian të vendit.

Është po i njëjti politikan, të cilin e kam mbështetur moralisht në kohën kur u ngujua në një grevë urie në Kuvend së bashku me deputetë të tjerë dhe më habit më shumë nga të gjithë me qëndrimin e tij ndaj opozitës sot, e cila ka një marrëdhënie të kushtëzuar me Kuvendin, por në asnjë rast nuk ka shkuar përtej mjeteve demokratike e kushtetuese. Të kuptohemi, mbështetja ime nuk ishte aspak dakordësi me veprimin e tij radikal e as me akuzat që ai nuk ngurroi t‘i bënte asokohe disa ambasadorëve të trupit diplomatik, që sipas tij, kishin si mision në Shqipëri vetëm pasurimin e tyre dhe jo ndihmesën ndaj proceseve demokratike. Në të kundërt, solidariteti im njerëzor bazohej në faktin që një grup deputetësh po luftonin për një kauzë që në vlerësimin tim ishte legjitime.

E njëjta tendencë papërgjegjshmërie dhe hipokrizie shquhet qartë te sjellja e shtetarëve tanë në momentin që u publikuan gjetjet dhe rekomandimet e progres-raportit të Komisionit Europian, i cili është dokumenti më i rëndësishëm politik që skanon gjendjen e Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit europian. Raporti hartohet nga burokracia e Brukselit në bazë të informacionit të analizuar nga vetë shërbimet e Komisionit Europian, informacioni i siguruar nga qeveria shqiptare, vendet anëtare të BE-së, Parlamenti Europian dhe organizmat e ndryshëm vendorë apo ndërkombëtarë.

Gabohen ata pushtetarë kur mendojnë në mënyrë miope se me këtë dokument të rëndësishëm mund të bëhet trade off, kur marrin avionin dhe me paratë e taksapaguesve shqiptarë rendin në Bruksel nga një zyrë teknike te një tjetër politike. Edhe më keq kanë vepruar ata pushtetarë që kanë pandehur se me copëza provash të sajuara mund ta shndërronin Komisionin Europian në një gjykatë që jep pafajësi, si për të legjitimuar fshehjen e tyre ndaj institucioneve të drejtësisë në këtë vend.

Me një fjalë të vetme, raporti duhet të shërbejë si pasqyrë, ku më së pari aktorët politikë duhet të shohin veten e tyre, por edhe kësaj radhe shtetarët shqiptarë u karakterizuan nga qëndrime hipokrite e shabllone. Më pak surprizuesi ishte Kryeministri Berisha, i cili për të pestin vit radhazi përsëriti refrenin tashmë të njohur se raporti është realist dhe se do të kthehet në një dokument pune për të gjitha agjencitë qeveritare, pavarësisht se asnjëherë nuk e ka jetësuar këtë premtim. Do të kishte qenë mirë që këtë vit Kryeministri ta linte mënjanë demagogjinë e tij, pasi në mënyrë që rekomandimet e raportit të Komisionit Europian të zbatohen, duhet që si fillim ai të dorëzojë para drejtësisë ministrat Mediu dhe Basha.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Meta do të duhej të kushtëzonte qëndrimin e partisë së tij në qeveri pikërisht me dorëzimin e dy ministrave tek organet e drejtësisë. Kjo do të ishte mënyra më e mirë për të na treguar se ai po sakrifikon identitetin e tij socialist, duke bashkëqeverisur me Berishën vetëm për hir të integrimit europian dhe interesave kombëtare. Por, edhe ai u mjaftua me deklarimin e zakonshëm se vendi po përparon dukshëm.

Mosgjykimi i ministrave Mediu e Basha deri në fund nga drejtësia dhe referimi i këtyre rasteve në mënyrë direkte apo indirekte në raport, përbën edhe njërën prej aspekteve më rrëqethëse të gjendjes së demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri. Është e qartë se Berisha ka vendosur t‘i mbrojë me çdo kusht dy ministrat e tij. Jo se i respekton apo beson në pafajësinë e tyre, pasi po të ishte kështu do t‘i dorëzonte para drejtësisë, por ka frikë se gjyqi ndaj tyre do të shkëpusë një nga hallkat e zinxhirit kriminal e korruptues, rrënja e të cilit është ai vetë.

Për të shuar kuriozitetin e çdo skeptiku që BE-ja na vlerëson në mënyrë të diferencuar mund t‘iu them se para pak ditësh Parlamenti kroat i hoqi imunitetin me unanimitet ish-ministrit të Mbrojtjes, Berislav Roncevic, i cili është vënë nën akuzë për korrupsion, çka u vlerësua jo vetëm nga BE-ja, por në radhë të parë nga opinioni publik vendas, si tregues i vullnetit të Kroacisë për të luftuar korrupsionin.

Duke analizuar situatën në Shqipëri, siç përshkruhet në raportin e Komisionit Europian, si qytetar i këtij vendi, prisja që të paktën Presidenti Topi të ngrihej në lartësinë e detyrës duke marrë përsipër përgjegjësitë e tij institucionale për paralizën që ka pllakosur jetën politike, për situatën e papranueshme që kalon sistemi i drejtësisë, për dekretimin që i bëri dy ministrave të kabinetit "Berisha", sikundër për firmën e hedhur në ligjin e lustrimit, i cili në vend që të ndihmonte dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare u përdor si armë shantazhuese ndaj Gjykatës së Lartë dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Për fat të keq, Presidenti zgjodhi frazat cliché në momentin që u njoh me raportin, duke dëshmuar të njëjtën hipokrizi si shtetarët e tjerë ndaj procesit të integrimit europian, duke shënuar njëkohësisht një hap mbrapa në standardin e vendosur nga paraardhësi i tij, Presidenti Moisiu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›