E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana: Mora "hak" ndaj Liverpulit

Superkapiteni Lorik Cana kishte dalë tri herë i humbur nga përballjet me Liverpulin në Champions, por atij i shijoi shumë fitorja e Sandërlendit në fundjavë, falë së cilës u shpall edhe lojtari më i mirë në Premier League. Cana kishte pësuar tri humbje radhazi ndaj "Reds"ave me Marsejën, por e mori revanshin e tij duke udhëhequr Sandërlendin në një fitore të jashtëzakonshme kundër tyre të shtunën. Lojtari shqiptar ishte ylli i ndeshjes për Sandërlendin, duke bërë një paraqitje të shkëlqyer në mesfushë në pjesën e parë dhe ishte lojtari vendimtar pas dëmtimit të shokut të skuadrës Mekartnit në pjesën e dytë, kur u kthye në qendër të mbrojtjes. Goli fitues i Darren Bent u rrethua nga kritikat, por Sanderlendi mund të kishte fituar me katër ose më shumë gola, nëse do të kishte shfrytëzuar rastet që krijoi. "Ne mund të kishim marrë një fitore më komforte, u shpreh Cana. U mbrojtëm mirë, por humbëm shumë shanse për të shënuar golin e dytë. Ishte një ndeshje e pabesueshme. E shijova shumë atë. Kam luajtur katër herë ndaj kundër Liverpulit në Champions League: kam fituar një dhe kam humbur tre të fundit. Ndonjëherë në këtë sezon nuk kemi mundur të bëjmë paraqitjet tona më të mira". Shumë shpesh në këtë sezon Sandërlendi ka fituar në shtëpi dhe ka dështuar në transfertë, por Cana dhe ekipi i tij janë të vendosur ta ndryshojnë këtë fundjavë. "Kemi luajtur mirë në shtëpi dhe kemi humbur në transfertë me Stoke dhe Bërlin, nënvizon shqiptari. Por tani kemi bërë 3-4 ndeshje të shkëlqyera radhazi dhe kemi fituar më shumë besim. Mendoj se skuadra mund të luajë akoma edhe më mirë". Goli i Bent ka sjellë polemika gjatë fundjavës, me gjyqtarin Majk Xhons në qendër të kritikave nëse duhet ta quante atë gol të rregullt apo jo. Por Cana thekson: "Nuk më i intereson vërtet! Ishte gol, ne fituam dhe kaq. Darren është një lojtar fantastik. Ndonjëherë mund të kesh 7-8 lojtarë të mirë në skuadrën tënde, por nuk e ke sulmuesin e duhur, ndaj nuk mund të fitosh. Ne e kemi sulmuesin e duhur". Një paraqitje të mirë kanë bërë edhe Katermole e Xhons. "Ata janë lojtarë të mëdhenj për ne, shtoi Cana, dhe shpresoj të mos na mungojnë në shumë ndeshje. Neve na nevojitet çdokush, sepse nuk kemi 24 apo 25 lojtarë si skuadrat e mëdha". Paraqitja e shqiptarit ka "çmendur" edhe trajnerin Stiv Brus: "Oh Zot, ai ishte i jashtëzakonshëm. Paraqitja e tij në pjesën e dytë ishte perfekte, ashtu siç e kam parë gjithmonë në majë, në një ndeshje të madhe, dhe kam parë prej tij shumë gjëra të mira. Thjesht, ishte i tmerrshëm. Ai ishte një hero kulti te Marseja. Nuk mund ta besoj ende që ne e morëm këtë lojtar. I pata thënë se njerëzit në Angli do të dashurohen me mënyrën se si ai luan. ‘Ndoshta nuk mund të jeni të vlerësuar në Francë apo Spanjë, por anglezët do të dashurohen me ju‘. Kur ka lojtarë të tillë në skuadër, trajneri mund të flejë gjumë i qetë të premten", tha Brus për "Dayli Mirror". Cana u shpall lojtari më i mirë i javës në Premier League. Në një përfundim të tillë u arrit pasi u morën 10 më të vlerësuarit e 6 gazetave kombëtare angleze: "The Sun", "Daily Star", "Daily Mirror", "Daily Mail", "The Times" dhe "The Guardian".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›