E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hipokrizia na është tashmë rregull dhe jo përjashtim

Deputeti Harasani kishte të drejtë sot në një shkrim në shtyp, kur fliste për ditët zyrtare të pushimeve dhe për mënyrën hipokrite tonën, në qasjen ndaj festave: “Kemi (duke shtuar këtu dhe të shtunat dhe të dielat) pothuaj 150 ditë pushimi në vit (dhe kur festa na qëllon në këto ditë, atëherë pa diskutim edhe e hëna bëhet pushim).

E keni vënë re, ndoshta i ka ndodhur gjithkujt ta ketë zënë e qeshura e papërmbajtur në një funeral. Edhe me përpjekje mbinjerëzore, ky veprim fare njerëzor, është e pamundur të ndalet. Kështu është dhe puna e festave tona: Qeshim e festojmë edhe kur e kemi funeralin – ndoshta krizën? – në prag. Kur kemi një klasë politike që, në shumicën e saj, nuk mund të ngrihet dot mbi nivelin e humorit të anekdotave të rrugës, edhe atëherë kur na gënjejnë me xhingla e mingla, si indianët dikur me pasqyra, ne qeshim dhe festojmë. E bëjmë një gjë të tillë edhe kur na dhurojnë ullinj që nuk bëjnë kokrra, por që kanë lulëzuar më parë në letra.

Natyrisht, nuk harrova as festat fetare. Kemi shumë të tilla me sakrifica, vetëmohim e rilindje. Turma e politikanëve, sipas radhës, herë në kishë dhe herë në xhami, mallëngjen reporterët e rinj për diturinë e thellë dhe për sakrificën dhe për rilindjen, për sinqeritetin dhe shërbesën. Atë ditë harrohet Gërdeci, reforma elektorale, Fazlliçi, hallet me Inën, milionat e rrugës, lista e deputetëve, vota dhe kartat e identitetit. Ato janë ditët e hipokrizisë.

Hipokrizia është tashmë rregull dhe jo përjashtim. Dhe këtu, ne si popull që nuk e kemi sensin e masës, hamë dhe kur nuk na hahet, festojmë dhe kur nuk na festohet, nuk punojmë dhe kur nuk është ditë feste. Por, heroikisht, në të gjitha rastet, takohemi, shtrëngojmë duart, përqafohemi dhe puthemi sipas një modeli të vjetër edhe ballkanik, edhe sllav, të trashëguar që nga thellësia e shekujve, e me shpresë që t´ia përcjellim dhe shekujve ku shkojmë. Kështu thoshte një poezi e vjetër, që atëherë pak gjë ka ndryshuar. Vetëm ca janë më të plakur e më të pasur, ca kanë ikur e ca kanë vendosur të lindin me shpresë në këtë vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›