Situata me karburantet, një turp i madh që kërkon reagim
Nuk mund të rrish pa komentuar lidhur me çmimet e karburanteve, sidomos kur sheh në ekranet televizive pronarët e këtyre karburanteve, që nuk kanë ç’të komentojnë tjetër, përveçse gënjeshtrave të tyre të pafund. Mbrëmë në studion televizive të TV Klanit, ishte mysafir i saj një pronar karburanti, në njërën anë, dhe z. Buxhuku në anën tjetër, të cilët komentonin lidhur me çmimin e karburanteve.
Desha që, nëpërmjet kësaj rubrike qytetarësh, t’u bëj një pyetje të gjithë zotërinjve tregtarë të karburanteve, që për mendimin tim, z. Fevziu duhej t’i rrinte si pykë kësaj pyetjeje se: “Si është e mundur që, sa herë rriteshin çmimet në bursat e New York-ut për çmimet e karburanteve, menjëherë rriteshin çmimet e karburanteve këtu në Shqipëri, a thua vallë, asokohe, a nuk patën rezerva me karburante me çmime të ulëta këta tregtarë, që shitjet të vazhdonin edhe për ca kohë më tepër”?
Dhe pse ndodh e kundërta, kur në bursat amerikane çmimi i karburanteve pësoi ulje dhe madje të ndjeshme dhe këta palo tregtarë as që u lëvizi as edhe një qime që të ndikoheshin nga kjo ulje e bursave në çmimet e karburanteve? T’u vijë turp dhe madje as që duhet të dalin në publik dhe as që bëhet fjalë të dalin në studiot televizive para popullit.
Të marrim dhe anën tjetër të medaljes. Ne shqiptarëve, edhe sikur 200 lekë të na bëhet litri, më duket se jemi të gatshëm të mos ndalim së ecuri me makinat tona, me punë e pa punë, orar e pa orar. As që na hyri në vesh, një ditë prej ditësh, kur u njoftuam nga mediat për bojkot të furnizimit me karburante, kjo në shenjë proteste. Këta janë “pseudo-tregtarë”. U them pseudo-tregtarë, sepse tradita e tregtisë shqiptare e ka pasur në gjak korrektesën, jo si këta të babëziturit e “tranzicionit”. Duke parë se ky popull, si gjithmonë e han sapunin për djathë, pse të mos e bëjnë një gjë të tillë?
Në anën tjetër mungon totalisht forca e ligjit, mungon totalisht serioziteti i shtetit për t’i bllokuar njëherë e mirë dhe ta marrin vesh se mbi kurrizin e të tjerëve nuk duhet të hipësh. Dikur patën thënë se “sa më shumë ta varfërosh një popull, aq më shumë e qeveris atë”, dhe kështu po ndodh me popullin shqiptar. Mirë të na bëhet! Po e bëj këtë letër me urrejtjen më të madhe që kam ndier ndonjëherë për njerëz të pushtetshëm apo “tregtarë” të këtij lloji.