Kolaps dhe zemërim për Jurgen Klinsmanin
Trajneri i Bajernit të Mynihut, Jurgen Klinsman, ka pranuar se pësimi i dy golave në minutat e fundit të ndeshjes në barazimin 2 2 me Borusian e Mynshengladbahut e kishte zemëruar shumë. Golat e shënuar nga Luka Toni dhe nga Riberi me penallti, i kishin dhënë Bajernit kontrollin total të ndeshjes, por Rob Friend dhe Majkëll Bredli shënuan dy herë brenda tre minutash, duke i dhënë vendasve një pikë të vlefshme. Në një javë kur Hofenheimi dhe Bajeri i Leverkusenit fituan, lënia e dy pikëve bëri që kampionët aktualë të largohen tri pikë nga kryesuesit. "Nuk duam të largohemi nga kryesuesit, por fatkeqësisht nuk arritëm të mbanim ritmin me ta",- tha Klinsmani. "Tani do të na duhet ta ndreqim këtë gabim. Nga këndvështrimi ynë, është shumë e mërzitshme që pësuam dy gola në atë ndeshje dhe morëm me vete vetëm një pikë. Ishte një kolaps për ne dhe jam shumë i zemëruar",- shtoi ai. Bajerni do të luajë kundër Leverkusenit dhe Hofenheimit në dy prej katër ndeshjeve të mbetura para pushimit të dimrit. Kapiteni i Bajernit të Mynihut, Mark van Bomel, ishte i ndarë në mendime për sa i përket rezultatit të ndeshjes në fushën e Gladbahut. "Nuk besoj se luajtëm keq. Deri në momentin e golit të parë, ne luajtëm mirë. Nuk mendoj se humbëm përqendrimin. Nëse analizohet ndeshja si e tërë, ne ishim pa dyshim skuadra më e mirë, por lamë për budallallëkun tonë dy pikë jashtë fushe." Filip Lahm ishte shumë më kritik ndaj lojës së skuadrës. "Nuk mund të jesh duke fituar 2 1 dhe pastaj ta gjesh veten në disavantazh numerik në zonën tënde. Kjo nuk shkon",- tha ai. "Ndoshta menduam se ia hodhëm dhe nuk u përqendruam sa duhet. E kishim lojën në dorë dhe krijuam raste për gol, por nuk e mbyllëm lojën kur duhej. Pastaj pësuam një gol dhe gjithçka u vështirësua. Mendoj se Jurgen Klinsman do t'i gjejë fjalët e duhura. Patëm një mundësi të madhe për të marrë tri pikë këtu, por në realitet lamë dy."