Josa: Elbasanin e ndëshkoi mendjemadhësia
Edhe një herë tjetër skuadra e Elbasanit nuk ka mundur të dalë me duart plot nga ndeshja me Partizanin. Ashtu si dhe në ndeshjet e sezonit të kaluar të zhvilluara në Tiranë, verdheblutë kanë marrë vetëm një pikë në këtë transfertë. Një rezultat që mund të interpretohet në dy mënyra, nëse do të merren parasysh faktorë të veçantë. Nga një anë skuadra mund të jetë e kënaqur me një pikë, sepse pika u mor vetëm në minutat e fundit dhe për më tepër që Partizani ishte shumë afër fitores, nisur nga shanset që pati në fund të ndeshjes, ku llogaritet edhe një penallti shumë e dyshimtë e padhënë. Por në tërësi ndeshja mund të paraqitet si një rast i artë i humbur nga skuadra verdheblu në këtë javë, ku pjesa më e madhe e skuadrave rivale të Elbasanit u ndalën, si Dinamo, Besa dhe Teuta. Ndryshe nga sa kishin premtuar, elbasanasit s'kanë ditur të marrin dot më të mirën përballë një rivali, sa të fortë në traditë dhe statistika, aq të lehtë për momentin, nisur nga gjendja që po kalon. Edhe pse me shumë lojtarë të rinj, të kuqtë i kanë treguar Elbasanit atë që verdheblutë bënin një javë më parë kundër Tiranës, pra një shpirt të lartë gare në fushën e lojës. Një gjë të tillë e ka pranuar edhe vetë trajneri Mirel Josa, i cili ka pohuar se të kuqtë meritonin diçka më shumë se një pikë nga mënyra se si erdhën ngjarjet, paçka se në pjesën e parë skuadra verdheblu luajti shumë më mirë. "Në përgjithësi, nuk jemi të kënaqur, sepse objektivi ynë ishte tripikëshi. Ndeshjen e nisëm shumë mirë, por dënuam vetveten, pasi shënuam dhe më pas kujtuam se ndeshja mbyllet pas shënimit të një goli. Kjo është e pafalshme për ne dhe do të thoja se ishte kjo mendjemadhësi që na bëri që të mos marrim më shumë se një pikë në këtë ndeshje. Kështu nuk mund të arrihen rezultate pozitive," - u shpreh Josa në lidhje me këtë takim të fundit të fazës së parë, teksa ai deklaroi se gjithsesi në fund Elbasani ishte edhe pak me fat që mori një pikë. "Them kështu, sepse ne shënuam vetëm në çastet e fundit, kur Partizani ishte më pranë fitores. Gjithsesi, tani po mendojmë për javën e ardhshme, ku kemi një ndeshje të vështirë. Kampionati, e riktheksoj, është shumë i gjatë dhe kemi shumë punë për të bërë," - përfundoi Josa. Kritikat në dëm të skuadrës kanë ardhur edhe nga drejtuesit më të lartë të ekipit verdheblu, të cilët kanë shprehur rezervat e tyre në lidhje me mobilizimin e skuadrës në pjesën më të madhe të 45 minutave të dyta. Pritet tashmë vetëm analiza që të shpërndahen edhe përgjegjësitë specifike, ndërsa Elbasani me këtë barazim i është larguar edhe më shumë vendit të dytë. Për takimin e radhës kundër Apolonisë, elbasanasve u duhet vetëm fitorja dhe asnjë rezultat tjetër.