Tatimet: Futbolli shqiptar, punë në të zezë
Kontratat e futbollistëve fshehin evazion fiskal. Eshtë ky konkluzioni i parë që vjen nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Burime të sigurta pranë saj kanë bërë të ditur investigimin që është bërë gjatë këtyre ditëve në klubet e futbollit të kryeqytetit: "Tirana", "Dinamo" dhe "Partizani". Grupi i task-forcës ka bërë një kontroll të thjeshtë, i cili i ka nxjerrë të zbuluara klubet. Sipas të dhënave të para, rezulton që asnjë nga futbollistët nuk u është bindur detyrimeve fiskale, që kanë të bëjnë me sigurimin në organin tatimor dhe në derdhjen e tatimit mbi taksën e sheshtë. Gjithashtu, investigimi i bërë në klubet e kryeqytetit ka nxjerrë në pah se të gjitha kontratat e presidentëve të klubeve me futbollistët, mbahen të fshehta, duke mos iu bindur kështu organeve tatimore.
"Deri më tani, me përjashtim të klubit "Dinamo", i cili i ka deklaruar futbollistët në organin tatimor, për sigurimet shoqërore, asnjë nga klubet e tjera nuk e ka bërë një gjë të tillë,"- tregojnë në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Nëpërmjet këtij investigimi, mësohet se qëllimi i tatimorëve nuk është që njerëzit e futbollit të penalizohen, por ashtu siç veprohet në të gjitha vendet e tjera, edhe kjo kategori duhet të futet në formalitetin ekonomik të vendit. Mbi bazën e kësaj, kërkohet që kontratat me futbollistët të jenë reale dhe të depozitohen pranë klubeve dhe të jenë të kontrollueshme, ashtu siç e parashtron ligji. Nga ana tjetër, mësohet se sponsorëve dhe presidentëve do t'u kërkohet të depozitojnë kontrata të rregullta me klubet sportive, pasi këto të fundit, në stadin e sotëm ende janë shtetërore. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në to duhet të gërshetohet qartë shuma e sponsorizimit, pagat e futbollistëve dhe të gjitha kushtet e tjera financiare. Ky investigim, që sapo ka nisur, do të shtrihet në të gjitha klubet sportive. Ndërkohë mësohet se ai bëhet për herë të parë në Shqipëri dhe brenda një muaji pritet të nxirren përfundimet. "Kemi të dhëna që kontratat me futbollistët janë fiktive. Praktikisht, futbollistët i marrin lekët kesh, jashtë sistemit bankar. Nga investigimi në fjalë rezulton që klubi "Tirana" nuk ka të depozituar dhe konform ligjit asnjë kontratë futbollisti. Po kështu është edhe te klubi "Partizani", që këtë kontroll e quan jonormal. Këto janë probleme serioze edhe për vetë formalizimin e futbollit. Duke mos qenë asnjë kontratë në klub, lind pyetja: i kujt është ky ekip? Kush i paguan futbollistëve, kur pagat e tyre nuk kalojnë nëpërmjet bankave?" - pohon për gazetën një zyrtar i tatimeve, që shton: "Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është e vendosur për të marrë masa për formalizimin e futbollit shqiptar, që duhet të jetë në përputhje me ligjin. Ideja është që duhet të nisë menjëherë deklarimi i kontratave dhe pagave të futbollistëve, sigurimi i tyre, por edhe shlyerja e detyrimeve që kanë ndaj ligjit. Një futbollist mund të marrë 5 mijë euro në muaj dhe shkruhet 1 mijë euro. Pra, këto janë kontrata fiktive. Së pari, presidentët duhet të bëjnë gjënë më minimale: Të futin në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore futbollistët, si dhe të depozitojnë kontratat pranë klubeve sportive. Ajo çka vërehet nga ky kontroll i shpejtë dhe i përciptë, me pak fjalë mund të përmblidhet: Futbolli shqiptar është një punë në "të zezë."
Kontrolli që ka bërë task-forca në klubet e kryeqytetit ka vërejtur një tjetër skandal. Bëhet fjalë për futbollistët, të cilët janë të pasiguruar edhe nga ana shëndetësore. Nëse "X" futbollist mund të dëmtohet, ai është i detyruar që çdo shërbim mjekësor ta paguajë vetë, duke mos përfituar asgjë. Sipas ligjeve të shtetit shqiptar, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore janë të detyrueshme për të gjithë shtetasit shqiptarë që janë në marrëdhënie pune. Edhe futbollistët nuk përjashtohen nga skema e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.