E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lojërat elektronike pushtojnë Shqipërinë

Nuk ka më asnjë dyshim, rinia shqiptare shpenzon me orë të tëra për të shënuar një gol me Del Pieron, apo për të pushtuar gjithë botën brenda një jave

Të çmendur pas lojëra elektronike! Një tendencë mbarëbotërore kjo, që tani është kthyer në shqetësim për mjaft prindër. Fëmijë e të rinj që qëndrojnë me orë të tëra përpara një PC-je, Play-Station-i apo X-BOX-i, janë të “infektuar” nga sëmundja kibernetike e mijëvjeçarit të ri. Nuk ka kurë dhe është e vështirë të vetëshërohet, pasi ethet që sjellin këto lojëra të përbindshme për një pjesë të mirë të globit, nuk mund t’i përjetojnë në asnjë vend tjetër. Shqipëria është futur prej disa vitesh në hartën e madhe të vendeve të “infektuara” nga virusi i lojërave elektronike. Deri pak vjet më parë ishte zakon që fëmijët e një lagjeje të mblidheshin dhe të luanin lojëra të sajuara me mjete rrethanore. Luheshin lojëra të tipit symbyllazi. Petash ka qenë një lojë për vajza, për të cilën po të pyesësh tani nuk do të dijë të të përgjigjet ndonjë vajzë e vogël. Ka pasur plot lojëra që i bënin sheshet përbri pallateve të banimit lëmsh. Lojra të tipit topa-gropthi, doçe-kanoçe, komançe etj. Me ardhjen e një sistemi të ri social, si ç’do gjë tjetër, edhe lojërat për fëmijë u përballën me teknologjinë dhe kibernetikën. Gjithçka që i përket argëtimit u komercializua dhe u ndërlikua. Në fillim të viteve ‘90, filluan të shfaqeshin nëpër familje videolojërat për fëmije. Dora e parë e tyre, e krahasuar me atë çka shohim sot, ishte krejtësisht arkaike. Ndër lojërat me dyluftime, e para që bëri një bujë të jashtëzakonshme ishte “Street Fighters”, që në shqip përkthehet “Luftëtarët e rrugës”.

“Street Fighters”-i ishte e para lojë e një dinastie të tërë lojërash me dyluftime. Por, sot, gjithçka ka avancuar me një hap të pabesueshëm. Lojërat më në zë, tani kanë një ngjashmëri me realitetin që të lë gojëhapur. Gjithçka është interaktive dhe secila pjesëz e lojës është funksionale. Loja që u solli suksesin e shumëpritur sallave të lojërave, ishte pikërisht Counter Strike, që në shqip përkthehet kundërsulm. Kjo lojë, në një fare mënyre, është realizimi kibernetik i lojës së dikurshme, komançe. Counter Strike është ndër lojërat e rrjetit, më të njohura në botë. Popullariteti i kësaj loje vjen në sajë të kombinimit të duhur mes komponentëve realistë të paraqitjes grafike dhe ndërkalljes së mundësive për të ndjekur taktika sulmi, mbrojtjeje dhe eliminimi, gjithnjë në çetë, në njësi të vogla ushtarake. Ndërveprimi me një numër të madh lojtarësh të tjerë, bën ndryshimin e madh mes lojërave të viteve ‘90, ku numri maksimal i lojtarëve që bashkëvepronin në lojë ishte 4 vetë. Nga informacioni që morëm në disa salla lojërash dhe në disa nga dyqanet e specializuar në shitjen e CD-ve me lojëra elektronike, mësuam se popullariteti i Counter Strike është zbehur disi. Stafeta e suksesit, aktualisht i ka kaluar një kloni shumë më të zhvilluar të “Counter Strike”. Kjo lojë quhet “Call of Duty”, (Thirrja e detyrës). Por një hap shumë të madh përpara kanë bërë lojërat që kanë në qendër futbollin. PES2008 dhe FIFA09, janë dy prej lojërave që kanë mahnitur të rinjtë shqiptarë. Në sallat e lojërave elektronike është e lehtë të dëgjosh britmat “Gol”!, apo shfryrje inati kur Ibrahimoviç nuk e dërgon topin aty ku lojtari-njeri kërkonte. “Janë dy prej lojërave më të bukura për momentin, por presonalisht preferoj PES2008, pasi diferencat mes skuadrave të mëdha janë më të vogla se te FIFA09”, - deklaron Alketi, një djalosh që shpenzon orë të tëra në këto salla. “Unë marr gjithmonë Interin sepse me atë skuadër jam tifoz, por edhe Mançesteri dhe Çelsi janë skuadra shumë të mira”, - jep mendimin e tij prej “profesionisti” të këtyre lojërave, Alketi.

Mjafton vetëm një xhiro në këto salla, për të kuptuar se çfarë emocionesh përjetojnë të apasionuarit e tyre. Ankth dhe gëzim për çdo ushtar të vrarë apo gol të shënuar. Shpërthime mërie sa herë kundërshtari fiton me një penallti në minutat shtesë, apo kur rivali me logon e “Ferrari”-t parakalon “Mc-Laren”-in tënd në kthesën e fundit. Edhe prindërit shqiptarë kanë përse të shqetësohen. Fëmijët e tyre po afeksionohen gjithnjë e më shumë pas lojërave elektronike. Boll të themi se, vetëm pak ditë më parë, në Gjermani është zhvilluar kampionati botëror për “përbindëshat” e lojërave elektronike.

Lojërat strategjike

Lojërat strategjike janë një trend mjaft i ndjekur. “Age of Empire”, “Rome Total War” apo “Rise of Nations”, janë disa prej lojërave më të pëlqyera nga kjo sagë elektronike. Në to kërkohet mprehtësi në mendim dhe mjaft kreativitet. Më e spikatura mes lojërave strategjike është Warcraft, që shqipërohet Arti i luftës. Loja nuk u referohet fakteve historike, ajo bazohet në një sagë fantazish dhe miti. Nën siglën Warcraft janë publikuar disa dhjetëra lojëra elektronike, romane artistike, lojëra tavoline etj.

Racat ndërluftuese

Në lojën për kompjuter, ndërkallen 4 lloje të ndryshme racash ndërluftuese, Human (Humanoid, njerëzit) Orc (Katallanët), Night Elf (Kukudhët e natës), Undead (Të pavdekshmit). Teknologjia, shpeshherë na ndihmon të kuptojmë dhe jetojmë jetën pa e shpenzuar atë, të njohim dhe ushtrojmë një sport pa e luajtur në realitet. Loja na shtyn t’i kthehemi luftës dhe të luajmë me historinë, duke i ndryshuar fatet njerëzore vetëm me një të klikuar të mausit, ose me një të shtypur të butonit të levës.

Top-10 lojërat më të mira të të gjitha kohërave

Emri    Krijuesi    Viti

1. Half-Life 2 Valve 2004

2. Legend of Zelda: Ocarina of Time Nintendo 1998

3. Final Fantasy VIIS quaresoft 1997

4. Goldeneye 007 Rare 1997

5. Super Mario World Nintendo 1991

6. Elite Acornsoft 1984

7. Sonic the Hedgehog Sega 1991

8. DOOM Interactive 1993

9. Grand Theft Auto 3 Rockstar Games 2001

10. Turrican 2 Amiga 1991

Top-10 lojërat e vitit 2008 në Shqipëri

1. Call of Duty 4

2. PES 2008

3. Unreal Tournament III

4. The Orange Box

5. Supreme Commander: Forged Alliance

6. Gears of War

7. FIFA 09

8. Halo 3

9. Command & Conquer 3

10. Moto Gp 3

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›