Hipoteka ngrin pasuritë e Delijorgjit
Tiranë - Zyra e Përmbarimit të Tiranës dërgoi dje në Hipotekë vendimin e gjykatës për sekuestrimin e pronave të Delijorgjit. Burime pranë përmbarimit pohuan dje se Hipoteka ka kthyer një përgjigje zyrtare të shpejtë duke u shprehur se i ka vënë të gjitha pasuritë e këtij biznesmeni në sekuestro. Biznesmeni Mihal Delijorgji është arrestuar prej disa ditësh pas tragjedisë së Gërdecit. Të njëjtat burime shpjegojnë se prokurorët kanë kërkuar sekuestrimin e 900 mijë euro llogari bankare, 18 mijë metrave katrorë truall, përfshi edhe ndërtimet mbi të në Shkozet në afërsi të Durrësit, 11 mijë metra katrorë sipërfaqe të tjera dhe pallate banimi në zonën e ish-uzinës “Enver” në Tiranë. Kërkesa e prokurorëve u pranua nga gjyqtari Asim Vokshi. Gjykata e Tiranës vendosi të lërë në burg të tre drejtuesit e kompanisë që merreshin me çmontimin e municioneve luftarake, në fabrikën e Gërdecit në Vorë, ku ndodhi shpërthimi më datë 15 mars 2008. Mihal Delijorgji, 42 vjeç, administrator i firmës “Alba Demil”, Dritan Minxholi, 30 vjeç, drejtor Ekzekutiv i kësaj kompanie dhe Ylli Pinari, 55 vjeç, me detyrë drejtor i ndërmarrjes "MEICO", të cilët akuzohen për veprën penale, “shkelje të rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”. Tre drejtuesit u shoqëruan pak ditë më parë në polici dhe u ndaluan një ditë më pas. Prokuroria dhe prokurorët e përfshirë në hetimin e tragjedisë së Gërdecit, po vazhdojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e kësaj çështjeje, duke marrë të gjitha të dhënat e mundshme, e administruar prova që ndihmojnë në zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Prokurorët e grupit hetimor për ngjarjen e Gërdecit sekuestruan edhe një sërë aktesh që lidhen me procedurat e ndjekura në Ministrinë e Mbrojtjes për çështjen në fjalë. Grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit po verifikon edhe pasuritë e shtetasit Mihal Delijorgji, administratorit të firmës “Alba Demil”. Po merren informacione nga bankat dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Prokuroria e Durrësit bllokoi më datë 18 mars veprimtarinë dhe dokumentacionin e firmës “Përparimi” në Shkozet të Durrësit, pronë e Mihal Delijorgjit.
Arrestohet, tentoi të vriste bashkëshorten
Tiranë - Strukturat e posaçme të departamentit të hetimit të krimit kanë mundur dje të realizojnë parandalimin e veprës penale të “vrasjes me paramendim i trefishtë”, krim ky i ndodhur brenda një familjeje në fshatin Yrshek në Tiranë. Specialistë të seksionit Kundër Krimeve të Jetës dhe Shëndetit, të ndodhur para një fakti të tillë, kanë bërë të mundur lokalizimin e menjëhershëm dhe kapjen e shtetasit Fiqiri Roçi, 41 vjeç, lindur në Librazhd e banues në fshatin Yrshek Tiranë. Roçi, dje, rreth orës 17:00, në ambientet e banesës së tij ka tentuar të vrasë me lëndë eksplozive bashkëshorten e tij, Vjollca Roçi, 40 vjeçe. Falë ndërhyrjes së shërbimeve policore u mundësua parandalimi i një vrasjeje. Ndërkohë, në ambientet e banesës në pronësi të tyre u sekuestruan në cilësinë e provës materiale municionet: 15 copë kallëpe tritoli (200 gr - copa), 19 copë kapsolla elektro detonatorë, 100 copë kapsolla detonatorë, 2 copë fitila zjarrpërcjellës me gjatësi 1.54 m dhe 1.46 m. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale të “vrasjes me paramendim” mbetur në tentativë, si dhe të “mbajtjes pa leje të lëndëve plasëse”, vepra të cilat parashikohen në nenet 78, 22 dhe 278/2 të Kodit Penal.
29 Mars 2008