E Diel, 1 Nëntor 2026

Analistët: Shqipëria dhe Kroacia do të hyjnë në NATO, paqartësi për Maqedoninë

Milloshoski: “Propozimi i Nimiç-it përfundimtar, ia vlen të mendohet”. Bakojanis, thirrje Maqedonisë: “Zgjidhja, stabilitet për rajonin”

Analistët kanë shprehur mendimin se Shqipëria dhe Kroacia do të ftohen të hyjnë në NATO në takimin e Bukureshtit që do të zhvillohet në fillim të prillit. Ajo që duket se do të ketë probleme sipas tyre është Maqedonia, e njohur zyrtarisht si ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë. Konfliktet e saj me Greqinë, e cila kërcënon me vendosjen e vetos, rrezikojnë anëtarësimin në NATO. Për këtë arsye, gjatë ditës së djeshme është mbajtur në Maqedoni një takim i liderëve të partive më të mëdha politike VMRO-DPMNE, LSDM, PDSH, BDI, Nikolla Gruevski, Radmilla Shekerinska, Menduh Thaçi dhe Ali Ahmeti, të cilët shqyrtuan propozimin e ndërmjetësit Metju Nimiç “Republika e Maqedonisë-Shkup për përdorim ndërkombëtar dhe Republika e Maqedonisë për përdorim vendor”. Pas këtij takimi, shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Antonio Milloshoski, deklaroi se Maqedonia e konsideron propozimin e fundit të ndërmjetësit Nimiç si përfundimtar dhe për këtë do të debatohet në Kuvend ditën e hënë. “Kemi dy konkluzione të përbashkëta. I pari është se këtë propozim pas 15 vitesh negociata rreth këtij kontesti bilateral e konsiderojmë si propozimin përfundimtar në këtë proces. Dhe konkluzioni i dytë është se procesi i ndërtimit të qëndrimit rreth këtij propozimi përfundimtar vazhdon ditëve të ardhshme dhe sigurisht sipas Kushtetutës dhe ligjeve do të rezultojë me debat parlamentar ditën e hënë”, - tha ministri i Jashtëm, Antonio Milloshovski.
Në këtë takim, përveç liderëve të partive, morën pjesë edhe shefi i diplomacisë së Maqedonisë Antonio Milloshoski dhe presidenti i vendit Branko Cërvenkovski. Ndërkohë, shefja e diplomacisë greke Dora Bakojanis ka porositur popullin maqedonas se zgjidhja për emrin do të mundësonte marrëdhënie të fqinjësisë së mirë. “Dua t`u dërgoj edhe një herë porosi të qartë njerëzve në Shkup dhe t`u them se Greqia është fqinj shumë i mirë, i cili dëshiron stabilitet dhe zhvillim të vendit të tyre, meqë kjo është në interes edhe të popullit grek, edhe të popullit shkupjan”, - u shpreh Bakojanis. Siç lajmëruan mediat greke, ajo ka shtuar se Greqia dëshiron që të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të dy vendet, gjë që do të mundësonte marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe që paraqet bazën për lidhje aleate dhe partnere. “U bëj thirrje autoriteteve në Shkup t’i përgjigjen kësaj thirrjeje. Ajo që po bëjmë sot nuk është detyrim, por përpjekje e sinqertë për gjetjen e zgjidhjes sa më shpejtë, për shkak të stabilitetit të tërë rajonit”, - tha Bakojanis. Krerët e shteteve dhe qeverive nga 26 vendet anëtare të NATO-s pritet të takohen në Bukuresht të Rumanisë në fillim të muajit të ardhshëm, ku pritet të pranohen anëtarë të rinj.

29 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›