E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i KLD-së, Topi: “Nuk duhet të mbrojmë askënd”



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, njëkohësisht kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në mbledhjen e këtij Këshilli bëri publik dy drejtimet ku do të përqendrohet puna e KLD-së, me qëllim përfshirjen e autoritetit të sistemit të Drejtësisë dhe të rritjes së besueshmërisë në publik. Sipas presidentit Topi, dy drejtimet janë monitorimi me seriozitet profesional i vendimeve të marra nga KLD-ja, veprimtarive gjyqësore në inspektim, duke i dhënë në mënyrë absolute prioritet të vërtetës dhe jo favorizimeve ndaj individëve të caktuar, si dhe krijimit të një kuadri të plotë nënligjor për rregullimin e aspekteve të ndryshme të ushtrimit të detyrës së gjyqtarëve, duke mbajtur parasysh standardet europiane dhe garantimin e një shërbimi që jep të drejtën për qytetarët. Përpara anëtarëve të KLD-së presidenti Topi u shpreh, se "e konsideroj të rëndësishme që të hap këtë mbledhje me një mesazh ndaj jush, me të cilin kërkoj një përkushtim të plotë ndaj përgjegjësisë së pjesëmarrjes në këtë organ të rëndësisë së veçantë për shtetin e së drejtës". Sipas Topit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka për detyrë mbrojtjen e gjyqtarëve, pa harruar që ai nuk është kurator për çdo pretendim të tyre. Presidenti Topi tha se "roli i KLD-së është mjaft i rëndësishëm dhe ekuilibrues në tërë sistemin. KLD duhet të japë një imazh realist në funksion të Kushtetutës, të ligjeve dhe të gjithë bazës funksionale që ka ky Këshill". Në fund kreu i KLD-së tha se duhej punuar në atë mënyrë që të mos krijohet ideja sikur KLD-ja mbron pa arsye, por të mos krijohet edhe ideja tjetër që ky Këshill ndëshkon pa arsye.

29 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›