Bush: “Mbështeta pavarësinë e Kosovës, sepse besoj në lirinë”
“Mbështeta pavarësinë e Kosovës, sepse besoj në lirinë”, - kjo ka qenë deklarata e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bush, i cili ka shtuar se njohja e Kosovës ishte gjëja më e mirë për rajonin e trazuar të Ballkanit. Bush u ka bërë thirrje autoriteteve kosovare të respektojnë minoritetet në Kosovë të cilat kanë të gjithë vëmendjen e qeverisë kosovare. “Shpresa ime është se qeveria e Serbisë do të shohë se serbët në Kosovë po trajtohen me respekt, se të drejtat e tyre si minoritet po respektohen dhe se në fund ajo do ta ndihmojë Kosovën që të ketë sukses, në vend të përpjekjeve për ta penguar atë sukses”, -ka theksuar presidenti Bush gjatë një interviste për televizionin shtetëror kroat, në prag të vizitës së tij në këtë vend. “Kosova përbën aktin e fundit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë”, - ka thënë presidenti amerikan. “Unë i admiroj vendet që luftojnë për demokraci. Edhe në vendin tonë ne kemi pasur të njëjtin problem, për më shumë se 100 vjet ne kemi mbajtur skllevër dhe skllevërit ishin ata që u bënë qëndresë e lirisë dhe e demokracisë”, - ka thënë Bush, duke përkujtuar me këtë rast se edhe të parët e sekretares së Shtetit, Kondoleza Rajs, ishin skllevër. Shtetet e Bashkuara janë ndër vendet e para që njohën pavarësinë e Kosovës. Javën e kaluar, presidenti Xhorxh Bush autorizoi furnizimin e Kosovës me armatim. Në një memorandum dërguar Departamentit të Shtetit, Bush tha se në këtë mënyrë furnizimi me artikuj mbrojtës dhe shërbime mbrojtëse për Kosovën do të forconte sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe do të promovonte paqen botërore. Shtëpia e Bardhë theksoi se hapi i presidentit Bush do të forcojë raportet e sigurisë së Shteteve të Bashkuara me Kosovën, do të promovojë sigurinë dhe stabilitetin në të gjithë Ballkanin, do të përmirësojë kapacitetin e Kosovës për të marrë pjesë në aktivitete paqeruajtëse dhe do të ndihmojë në luftimin e terroristëve.
Norvegjia dhe Koreja e Jugut njohën zyrtarisht Kosovën
Norvegjia dhe Koreja e Jugut kanë njohur dje zyrtarisht pavarësinë e Kosovës. Në një deklaratë të lëshuar për mediat, bëhet e ditur se qeveria e Norvegjisë do të ndërmarrë në të ardhmen hapat e nevojshëm për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën. Vendimi është marrë në takimin e Këshillit Shtetëror të Norvegjisë, i kryesuar nga mbreti Harald.
Në deklaratën e shkurtër, Norvegjia i ka kërkuar Kosovës të garantojë të drejtat e minoriteteve, fetare dhe kulturore, si dhe të respektojë të drejtat njerëzore. Edhe Koreja e Jugut i është bashkuar vendeve që kanë njohur shtetin e ri. Lajmin për njohjen e Kosovës gjatë ditës së djeshme e ka bërë të ditur zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Koresë së Jugut, Mon Tae-Jang. “Ne shpresojmë që pavarësia e Kosovës do të çojë drejt zhvillimit të saj demokratik dhe rimëkëmbjes ekonomike si dhe do t'i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në rajon”, - tha ai. Mon u shpreh se Seuli shpreson që njohja e Kosovës nuk do të ndikojë në marrëdhëniet afatgjata me Serbinë. “Ekziston mundësia që lidhjet tona me Serbinë të ftohen për një kohë”, - u tha Mon gazetarëve në Seul. Pas shpaljes së vendimit, ambasadori i Serbisë, Zoran Veljiç, i ka dorëzuar një notë proteste Ministrisë së Jashtme të Koresë së Jugut. Gjatë ditës së djeshme, Zvicra ka hapur zyrtarisht ambasadën e saj në Prishtinë. Në hapjen e saj mori pjesë ministrja e Jashtme, Mishein Kalmi Rei, e cila më herët u takua me presidentin Fatmir Sejdiu, kryeministrin Hashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi.
29 Mars 2008