Hipoteka, pranga sekserëve, hetim zv/drejtorit
Akuzohen se i morën një personi 50 mijë lekë, për një vërtetim të rregullt pronësie në rrugë të përshpejtuar
I dëmtuari kishte tentuar herë pas here të merrte vërtetimin, por ai vonohej në mënyrë të pajustifikueshme
TIRANE- Dy sekserë u arrestuan, ndërsa zëvendës drejtori i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Tiranës, u vu nën akuzë nga policia dhe prokuroria e kryeqytetit dje i akuzuar për korrupsion.
Operacioni i koduar "Sporteli i hapur" i realizuar nga zyra e Antikorrupsionit të Policisë së Tiranës, mbylli pas hekurave të qelive dy sekserët, Shkëlqim Levanajn, 45 vjeç dhe Orion Kolezi, 29 vjeç, të dy me banim në Tiranë, u arrestuan pranë gjykatës së kryeqytetit, me akuzën e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm.
Ndaj tyre njësia e Task- forcës së Prokurorisë së Tiranës, kishte nisur hetimin për akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, pas denoncimit të një personi i cili kishte kishte një shtëpi në fshatin Ibë.
Për të marrë një vërtetim se banesa ishte e këtij personi, dyshohet se dy të arrestuarit dhe zëvendës regjistruesi i Tiranës, i kishin kërkuar para. Sipas burimeve, denoncuesi me origjinë nga Vlora, në mënyrë të herë pas hershme kishte kërkuar të merrte vërtetimin, por nuk kishte arritur. Ndërkaq, dy personat e arrestuar të dyshuar si sekserë, i kishin ofruar dhënien e dokumentit në dorë nëpërmjet një procedure të përshpejtuar.
E gjithë kjo në këmbim të një shume prej 500 mijë lekësh të vjetra, relativisht të konsiderueshme për një dokument tepër të thjeshtë. Pas ofertës, personi nga Vlora, pronar i shtëpisë në Ibë të Tiranës, njoftoi policinë e cila nisi menjëherë hetimet në bashkëpunim me njësinë e Task- Forces së Prokurorisë së Tiranës.
Nga hetimi policia dyshon se dy të arrestuarit i merrnin paratë dhe nëpërmjet zëvendës drejtuesit të Hipotekës, Altin Spaho, kryenin në mënyrë të përshpejtuar procedurat, pa kaluar më parë nëpër hallkat ku ato duhej të shkonin. Këtë rrugë dyshohet se ka ndjekur edhe dokumenti i denoncuesit të të dy të arrestuarve të djeshëm.
Këtyre të fundit, dje në mesditë, kur po merrnin pagesën nga pronari, iu vunë prangat nga oficerët e zyrës së hetimit të Korrupsionit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ndërsa ishte firmosur për këta të dy edhe një urdhër arresti i njësisë së Task- Forces.
Në momentin e arrestimit, policia iu bllokoi personave, një sasi prej 500 mijë lekësh të vjetra, një sasi dokumentesh dhe formularësh të ndryshëm që përdoreshin për në hipotekë. Veç tyre, blutë bllokuan edhe një automjet të markës "Mercedez- Benz", dhe tre aparate telefonash celularë të të akuzuarve. në këtë mënyrë, veç akuzave të para, policia iu komunikoi dy të akuzuarve edhe akuzën e falsifikimit të dokumenteve vulave e formularëve. Hetimi i policisë dhe i prokurorisë nxori se personat, kishin lidhje me zëvendësdrejtuesin e hipotekës, Altin Spahon, 38 vjeç nga Poliçani me banim në Tiranë. Ky i fundit u mor nën hetim nga prokuroria me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Burimet e policië sqarojnë se pritet të kryhen veprime të tjera, për të sqaruar pozitën e secilit prej të akuzuarve. Ndërkaq, dy të arrestuarit nuk kanë pranuar akuzën e ngritur nga Prokuroria ndaj tyre, duke mohuar pretendimet e denoncuesit.