Kur Kroçe ishte ide e rrezikshme

Një portret i Gjergj Zhejit nëpërmjet filozofit që e udhëhoqi në jetë, Benedeto Kroçe. Zheji ndërroi jetë dje në mesditë. Homazhet, sot ora 12.00-13.00 në hollin e Teatrit të Operës dhe Baletit
Benedeto Kroçe është një nga autorët që Gjergj Zhejin, shkrimtari dhe studiuesi, e ka shoqëruar gjatë tërë jetës, që në rini deri sot. Për këtë arsye përkthimi në shqip i "Filozofia ime" nuk është një zgjedhje e rastësishme.
Bashkë me Giuseppe de Sanktis, kritiku i madh italian, mund ta thotë me plot gojën se këta kanë qenë mësuesit e tij të vërtetë të asaj periudhe. Atëkohë kur, sidomos Benedeto Kroçe ishte ide e rrezikshme, pasi filozofi nuk e kishte fshehur që ishte jo vetëm antifashist, por edhe antikomunist.
Megjithatë Zheji i ka pasur në shtëpi këto libra të cilat i kanë humbur poshtë e lartë. Qoftë ai, qoftë i vëllai, Petro Zheji, janë nxitur për tek letërsia nga mësimet e Benedeto Kroçes (1866-1952) dhe të De Sanktis. "Me pak fjalë kultura letrare e imja është kultura që më ka dhënë Benedeto Kroçe, librat e tij."
Përkthyesi i "Republikës" së Platonit, studiuesi i Eposit të Kreshnikëve dhe shkrimtari i "Moshës së burrave", një roman i pafat në vitet e vështira të regjimit, 78-vjeçari Gjergj Zheji, ka sjellë në shqip një nga veprat e filozofit italian, të quajturit "filozof i lirisë".
"Jemi ruajtur. Me librat që vinin në Lidhje kryesisht nga Franca, i lexonim fshehurazi. Sepse e dinim që skeda e atyre që merrnin libra kontrollohej herë pas here. Ndodhte që librin e merrnim dhe i vinim kapakun e një librin tjetër dhe e lexonim qoftë edhe në zbor. Kështu do të lexoja edhe Joneskon, nga i cili përktheva "Rinocerontin"."
Duke menduar që lexuesi shqiptar nuk kishte shumë nga ky filozof, duke përjashtuar disa pjesë të veprës së madhe "Estetika" përkthyer nga Zef Zorba, apo "Nga poetika antike tek ajo moderne", dhe për një përballje të lexuesit të ri të etur për filozofi, Zheji përktheu pikërisht "Filozofia ime".
Aty Kroçe "i përgjigjet shkurtimisht gjithçkaje" në lidhje me problemet e moralit, lirisë dhe drejtësisë, antihistorizmit, dashurisë dhe urrejtjes për shtetin, për historinë e komunizmit si realitet historik etj. "Deri në kohën e përmbysjeve të mëdha gati të gjithë filozofët ishin të ndaluar. Kishim të bënim me një regjim obskurantist.
Një regjim është obskurantist sipas meje atëherë kur ndalon qarkullimin e filozofive të ndryshme, e ideve të ndryshme, ndalon qarkullimin e rrymave të ndryshme artistike-letrare, e librit të huaj. Ndalon gjithçka." Ç'ishte para kësaj lufta kundër analfabetizmit? Ky lloj obskurantizmi është për Zhejin më i thellë, sepse pengon mënyrën e re të jetesës, të të menduarit.
Ai përktheu këtë vepër të dobishme ku teoria e Kroçes jepet me ftohtësi të madhe, megjithëse "është e vështirë të kuptosh arkitekturën e botëkuptimit të një filozofi, kaq kollaj". "Filozofia ime" botuar nga "Botimet enciklopedike" është përmbledhje nga kritika dhe eseistika e Kroçes, e përshtatshme për një publik më të gjerë sesa ai i specializuar për filozofinë.
Një libër që ka shtrirje të gjerë drejt problemeve filozofike, sociologjike, fetare. I quajtur neohegelian, për shkak se Hegeli ishte një nga mjeshtërit që ka udhëhequr mendimin filozofik të Kroçes. Nga ana tjetër ai zhvilloi, qortoi, integroi siç mund të bëjë vetëm një dishepull i denjë, sistemin e tij filozofik duke qenë përfundimisht një hegelian idealist.
"Kroçe nuk mbeti skllav i mendimit të Hegelit, e më tepër kur ai nuk pranon idenë e tij absolute, sipas të cilit njerëzimi është duke kërkuar bazën e jetës.
Cila është baza e jetës? Materia, shpirti? Sipas filozofit gjerman baza e jetës është vullneti për të jetuar. Nxënësi i tij më pas, Fridrih Niçe, thotë se kjo nuk ka kuptim: baza e jetës është vullneti për të sunduar", shpjegon Zheji.
"Hegeli thotë se baza është ideja, ideja absolute që do të thotë e vërteta absolute, si e vërteta e të vërtetave. Këtë Kroçe nuk mund ta pranonte. Sepse besonte se gjithmonë ka zhvillim dhe njeriu ecën përpara. Ai e quan realitet atë që ka një histori, kur një fenomen historizohet, kur ka një zhvillim të tijin."
Gjergj Zheji vlerëson këtë mjeshtër të mendimit, njohës të politologjisë, historisë, arteve, letërsisë, çlirues të letërsisë italiane nga skllavëria e klasicizmit, edhe për faktin se njohja me të në kohën kur vepra e Kroçes u regjistrua në listën e zezë të veprave që diktatura në Shqipëri i ndaloi, do t'i shërbente për atë pjesë të vetëdijes që kërkonte t'ia kuptonte ato sjellje të errëta e patologjike të regjimit të Hoxhës ndaj individit, ndaj mendjes së lirë.
"Ai ka qenë një nga luftëtarët e parë të diktaturave, të çfarëdo ngjyre të kishin, sepse ato vrisnin lirinë e njeriut. Duke vrarë lirinë vrisnin njeriun. Ndaj Kroçe ishte luftëtar i lirisë.
Ai ka luftuar me të madhe kundër ideologjisë fashiste. Po atë vit, atë muaj kur Musolini deklaroi se artistët do t'i këndojnë këtej e tutje fashizmit, ai mblodhi në Torino intelektualët për t'iu bërë thirrje se arti nuk mund të përzihet me politikën." Kundërvënia e Kroçes ndaj diktaturës fashiste shoqërohej me bindjen e kalitur se diktaturat dalin nga sëmundjet që pësojnë demokracitë.
Filozofi i lirisë që politikisht i përkiste partisë liberale duke qenë aktiv në jetën politike e publike në periudhën më të vështirë të historisë italiane të shekullit të 20, besonte se njeriu kur vjen në jetë, vjen si liri. Ai e thotë diku se nuk ka kuptim t'i japësh lirinë një njeriu kur e ka. T'i mund bësh tjetër gjë njeriut: t'ia vrasësh lirinë.
Pas "Filozoia ime" Gjergj Zheji do donte të përkthejë veprën madhore të filozofit italian "Estetikën". Ardhja e kësaj vepre për atë lexues që di ta lexojë filozofinë është në përgatitje. "Pavarësisht se estetika, arti, letërsia moderne sot janë larguar disi nga teoria e Kroçes, kjo s'do të thotë se nuk ekziston më. Kroçe do ta thoshte vet se njeriu nuk do të pushoj kurrë së menduari, nuk do të pushojë kurrë së ndryshuari."
"Shekulli", gusht 2004