E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hipotekat, PS: Duam anëtar bordi

Komisoni i Ligjeve

Komisioni i Ligjeve miraton vetëm 15 nene, nga 79, të ligjit Për regjistrimin e pasurive

Qeveria kundër: Qytetarët ia kanë besuar maxhorancës.

Komisioni i Ligjeve arriti dje të miratojë vetëm 14 nene, nga 79 që ka gjithsej ligji i ri për regjistrimin e pasurive të paluajtshme. Në rreth 120 minuta debat, deputetët e opozitës kërkuan që bordi drejtues i ZRPP-së të ketë më pak lidhje me Kryeministrin dhe ajo të ketë anëtarin e saj në institucionin me pesë veta. Deputetja socialiste, Shega Ligori, propozoi që në nenin 12, ku përcaktohet mënyra se si do të formohet bordi drejtues, të caktohet që një deputet të vijë nga Parlamenti. Pronat nuk i kanë vetëm njerëzit që janë në pushtet, nuk i kanë vetëm qytetarët që votojnë maxhorancën, por edhe njerëzit që votojnë opozitën. Ky bord që do të miratojë gjithë këtë strukturë, nuk mund të ketë përfaqësues edhe nga opozita shqiptare, kushdo qoftë ajo? Nuk mund ta delegojë që Parlamenti të zgjedhë anëtarët e bordit, pse jo?!, u shpreh Ligori. Por, përfaqësuesja e qeverisë, zv.ministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi, e hodhi poshtë këtë propozim duke thënë se qytetarët një herë në katër vjet i besojnë një maxhorance edhe për politikat e saj për çështjen e pronave. Tani kemi hyrë në një diskutim politik që ndahet sipas sistemit zgjedhor një herë në katër vjet. Në qoftë se zgjedhësit i besojnë një maxhorance, ky diskutim ezaurohet këtu, u shpreh Kasmi. Ndërsa deputeti i PS-së, Pandeli Majko, ngriti shqetësimin se në nenin 14 nuk përcaktohet qartë se me çfarë intervali do të botohen raportet periodike për veprimtarinë financiare nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Raportet e veprimtarisë së Zyrës së Regjistrimit ju keni thënë janë periodike. Periodik do të thotë njëmujor, tremujor, gjashtëmujor dhe vjetor. Regjistrimi i pasurive mund të jetë biznesi më i madh që do të jetë pas regjistrimit të këtij ligji, jo në kuptimin negativ. Çështja e raporteve është shumë e rëndësishme. Do tju lutesha ta përcaktonit në ligj çfarë raportesh janë, u shpreh Majko. Ky propozim i tij u pranua nga deputetët e maxhorancës në Komisionin e Ligjeve dhe në draft u vendos që raportet të jenë tremujore. Diskutimi i këtij drafti të propozuar nga Ministria e Drejtësisë nisi diskutimin në Komisionin e Ligjeve një javë më parë, por deri tani nuk janë miratuar as 1/3 e neneve të tij. Duke parë që deputetët e opozitës kanë kritikuar shumicën e këtyre neneve, pritet që diskutimi i tij të marrë një kohë të gjatë. Të hënën e ardhshme Komisioni i Ligjeve ka planifikuar një seancë dëgjimore me grupet e interesit për Gjykatën Administrative, çka shtyn akoma më shumë në kohë miratimin e ligjit për regjistrimin e pasurive.

Bordi drejtues i ZRPP-së
Në nenin 12 të ligjit të ri të ardhur nga Ministria e Drejtësisë parashikohet se si do të ndërtohet bordi me pesë anëtarë. Dy anëtarë të caktuar nga Kryeministri, dy anëtarë të caktuar nga ministri i Drejtësisë dhe një anëtar i caktuar nga ministri i Financave. Kryetari i bordit drejtues caktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, njëri nga anëtarët e caktuar nga Kryeministri, me propozim të ministrit të Drejtësisë.

Raportet periodike
Pas propozimit të Pandeli Majkos, qeveria u tërhoq nga drafti i saj, duke përcaktuar se raportet për veprimtarinë financiare do të jenë tremujore. Bordi drejtues ka këto kompetenca: diskuton çdo tre muaj periodikisht raportet për veprimtarinë financiare të Zyrës së Regjistrimit të Pas4urive të Paluajtshme; i paraqet ministrit të Drejtësisë raporte për veprimtarinë e zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Debati në Komision
Pandeli Majko:
Ju keni bërë edhe definicionin e fjalës pronar.
Brikena Kasmi: E hoqëm.
Pandeli Majko: Bravo. Bile në Shqipëri nuk duhet të ketë pronarë fare.
Brikena Kasmi: E ka Kodi Civil.
Pandeli Majko: Sot në Shqipëri ekzistojnë disa kategori, pronarët e vjetër, pronarët që i kemi dhënë ne pas 90-s tokën me reformën agrare, ekziston edhe një shtresë e ndërmjetme, që quhet e legalizuar. Sot ka familje që zihen me njëra-tjetrën. Po marr rastin e bregdetit, ku për një pronë ka tri-katër familje. Për një histori të tillë është vrarë një gjykatës në mes të Vlorës. Regjistruesi do jetë legalizues. A mund të na e shpjegoni pak?
Ilir Rusmali: Nuk ka lidhje fare kjo. Kur të vijë neni përkatës, do të ndalemi te kjo çështje.
Vasilika Hysi: Pse i është lënë struktura organizative dhe organika të përcaktohet nga Kryeministri? Nëse flasim për një institucion të pavarur, ky nuk është i pavarur. E gjithë përmbajtja e nenit 10 tregon që kjo zyrë nuk është fare e pavarur, pasi struktura dhe organika miratohen nga Kryeministri.
Ilir Rusmali: Të gjitha bëhen ashtu, po rri rehat tani. Në qoftë se nisesh nga premisa që është institucion i pavarur, nisesh nga një gabim i rëndë. Nuk thuhet gjëkundi që institucioni është i pavarur. Përkundrazi, neni thotë që është i varur fort bile, me shumë litar nga ministri i Drejtësisë.
Enkelejd Alibeaj: Mos ndoshta ka ardhur koha që marrëdhëniet e punës në Zyrën e Regjistrimit të rregullohen me statusin e nëpunësit civil?
Brikena Kasmi: E kemi diskutuar disa herë.
Enkelejd Alibeaj: Kam propozim që marrëdhënia e punës së tyre të rregullohet me statusin e nëpunësit civil.
Brikena Kasmi: Ligji për statusin e nëpunësit civil përcakton statusin dhe kategoritë e veçanta të zyrtarëve që gëzojnë statusin e nëpunësit civil. Në qoftë se propozimi kërkon që ti japim statusin e nëpunësit civil referencë, nuk na e lejon ligji me 3/5, i cili ka përcaktuar ekzaktësisht institucionet.
Bashkim Fino: Duhet patjetër me statusin e nëpunësit civil. Ishalla e kaloni kështu, se për ne është më mirë kështu, se vijmë nesër në pushtet dhe i heqim të gjithë këta.
Armando Subashi: Propozoj që bordi të formatohet si më poshtë: një nga anëtarët të propozohet nga Kryeministri, një nga ministri i Drejtësisë, një nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, një nga Dhoma Kombëtare e Noterisë dhe një nga Shkolla e Magjistraturës. Nëse e miratojmë bordin në një mënyrë të tillë, i japim një pavarësi më të mirë.
Brikena Kasmi: Në qoftë se do konsiderojmë kriteret, ne jemi në diskutim nëse duhet të qëndrojë ky paragraf. Ndryshe do ta hapim rrethin dhe do bëjmë diskutim tjetër.
Shega Ligori: Pronat nuk i kanë vetëm njerëzit që janë në pushtet, nuk i kanë vetëm qytetarët që votojnë maxhorancën, por edhe njerëzit që votojnë opozitën. Ky bord, që do të miratojë gjithë këtë strukturë, nuk mund të ketë përfaqësues edhe nga opozita shqiptare, kushdo qoftë ajo? Nuk mund ta delegojë që Parlamenti të zgjedhë anëtarët e bordit, pse jo?!
Fatos Hoxha: Të jetë edhe kryetari i PS-së së Tiranës.
Sajmir Tahiri: Është pozicion i vogël për mua ai, Fatos.
Edi Paloka: Po zv.ministren e doni të pavarur?
Brikena Kasmi: Tani kemi hyrë në një diskutim politik që ndahet sipas sistemit zgjedhor një herë në katër vjet. Në qoftë se zgjedhësit i besojnë një maxhorance, ky diskutim ezaurohet këtu.

ADI SHKEMBI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›