Hipotekat nis shkarkimi i punonjësve

Abuzimet në regjistrimin e pronave në zyrat rajonale të regjistrimit të pasurive të patundshme pritet që së shpejti të sjellin shkarkimi të punonjësve. Burime zyrtare pranë hipotekave thanë për gazetën “Korrieri” se kontrollet e brendshme në të gjitha zyrat rajonale janë drejt përfundimit. Gjatë kontrolleve të ushtruar janë konstatuar abuzime nga punonjësit e Zyrave Rajonale të Regjistrimit të Pasurive në qytetin e Vlorës dhe të Durrësit. Sipas burimeve të mësipërme mësohet se në këto zyra pritet të ketë shkarkimi të punonjësve, ku nga hipotekat janë zbardhur dhe shkeljet konkrete, për të cilat pritet dhe kallëzime penale. Konkretisht bëhet fjalë për tjetërsimin e akteve të pronësisë dhe të ndarjes së pronës. Kontrolli i brendshëm ka vijuar në të gjitha zyrat rajonale, ku nuk duhet harruar fakti se nga kontrollet e mëparshme në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive në Tiranë u dërguan për kallëzim penal në prokurori 8 punonjës. Po ashtu përveç kontrollit të brendshëm në Zyrat Rajonale të Regjistrimit të Pasurive po kontrollohen edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Burime pranë këtij institucioni pohojnë se shumë shpejt kontrollet janë drejt përfundimit ku problemet më të mëdha janë hasur në Zyrën Rajonale të Regjistrimit të Pasurive të kryeqytetit mbi regjistrimin e pronave të zonës së Dajtit. Krahas kësaj hipotekat vazhdojnë punën edhe në mbivendosjen e pronës, ku edhe pse ende nuk ka statistika mbi ecurinë e këtij proçesi në çdo rast mbivendosje ato fshihen. Për këtë problem do të procedohet sipas nenit 10 të ligjit të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Sipas ligjit, në rastet kur për të njëjtën pasuri janë bërë më shumë se disa regjistrime, të cilat nuk kanë rrjedhur nga njëri-tjetri, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, regjistruesi, me vendim të arsyetuar i kërkon Kryeregjistruesit të vendosë fshirjen e regjistrimeve të bëra pas regjistrimit të parë, kur ky i fundit është në përputhje me nenet 192-197 të Kodit Civil, duke bërë shënimin në kolonën përkatëse. Deri në nxjerrjen e vendimit të Kryeregjistruesit për miratimin ose refuzimin e kësaj kërkese, regjistruesi bën pezullimin e regjistrimit dhe mbi pasurinë nuk mund të kryhen veprime, si dhe njofton palët e interesuara brenda 10 ditëve. Konfirmimi i marrjes së njoftimit depozitohet në dosjen përkatëse. Kryeregjistruesi merr vendim brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës. Në këtë rast të mosmarrjes së vendimit nga Kryeregjistruesi, zbatohet neni 328 i Kodit të Procedurës Civile. Vendimi i Kryeregjistruesit i njoftohet palës/palëve të interesuara brenda 10 ditëve nga konfirmimi dhe konfirmimi i marrjes së njoftimit depozitohet në dosjen përkatëse. Pra, do të shqyrtohet dosja e regjistrimit të parë dhe në qoftë se i ka dokumentacionet në rregull, atëherë regjistrimet e tjera që pasojnë do të fshihen. Nëse dokumentacionet nuk janë në rregull, athë çështja shkon në gjykatë dhe gjykata zgjidh problemin e mbivendosjes.