E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga populli, por pa kompetenca

Firmëtarët e nismës: Synojmë vetëm të zgjidhim krizën e 84 votave në Kuvend

Propozimi i ri i deputetëve demokratë për zgjedhjen e presidentit nuk do të ketë asnjë amendament shtesë përsa i përket ndryshimit të kompetencave të tij. Kjo konfirmohet nga vetë iniciatorët dhe firmëtarët e kësaj nisme, të cilët thonë se presidenti i zgjedhur nga populli do të ketë të njëjtat kompetenca që ka aktualisht. Deputeti i PD-së, njëkohësisht anëtar i kryesisë së saj thotë se propozimi i ri synon vetëm ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së presidentit dhe jo forcimin e mëtejshëm të kompetencave të tij. ”Edhe ne që kemi nënshkruar për variantin e zgjedhjes së presidentit në mënyrë të drejtëpërdrejtë nga populli, jemi për këtë pozicion. Pra që presidenti të jetë me këto kompetenca që ka aktualisht pasi ne jemi Republikë Parlamentare dhe fakti që ne kërkojmë këtë variant bëhet thjeshtë për të eleminuar krizën që sjell neni që kërkon 84 vota në parlament”, thotë Paloka për “Korrierin”. Sipas tij, kjo iniciativë e deputetëve demokratë nuk synon ndryshimin e kompetencave të presidentit por mënyrën e zgjedhjes së tij. Ai thekson se sistemi i zgjedhjes së presidentit direkt nga populli është një ndër opcionet më të përshtatshme. Edhe vetë një ndër iniciatorët e kësaj nisme, Sali Shehu thotë se nuk do të ketë asnjë kërkesë apo amendament shtesë për më shumë kompetenca të presidentit. Sipas tij, propozimi i përgatitur nga deputetët demokratë synon të ndryshojë vetëm zgjedhjen e presidentit nga populli, me këto kompetenca që ka aktualisht. Ai sqaron se në propozimin e ri, presidenti zgjidhet direkt nga populli i propozuar nga 1/5 e deputetëve ose nga një grup parlamentar. Ndërkohë, deputeti Spartak Ngjela thotë se nuk është e nevojshme që presidentit t’i shtohen kompetencat pasi vetë ato, në sistemin aktual të zgjedhjes së tij, janë ndërtuar që ti japin atij kompetenca sikurse të ishte zgjedhur nga populli.” Nuk ka nevojë fare të shtohen kompetencat e presidentit, përkundrazi presidenti shqiptar ka shumë kompetenca. Kompetencat e presidentit shqiptar janë ndërtuar njëlloj sikurse ai të zgjidhej nga populli, pasi ai është zgjedhur me 3/5 e votave parlamentare” thotë avokati i njohur, Spartak Ngjela. Sipas tij, nëse presidenti zgjidhet me formulën 70 plus 1 atëhere këto kompetenca do ti rrëzohen. “Nëse ai do të zgjidhet me 70 plus1, atëhere do ti rrëzohen kompetencat. Presidenti në bazë të këtyre kompetencave duhet të zgjidhet me 3/5 ose duhet të shkojë në popull. Kompetencat kërkojnë dy gjëra, ose popull ose 3/5 e votave parlamentare” thotë deputeti Ngjela, i cili është edhe një ndër firmëtarët e nismës për zgjedhjen e presidentit nga populli.

U ndalohet të firmosin
Mungesa e firmave të disa deputetëve demokratë në listën e mbështetësve të nismës për zgjedhjen e presidentit nga populli cilësohet nga nismëtarët vetëm si një mungesë për shkaqe ligjore. I pyetur nëse mungesat e firmave të disa deputetëve të PD-së në listën e mbështetësve tregojnë se ata nuk janë dakord me nismën, Edi Paloka thotë se mungesa e tyre mund të jetë edhe për shkak se ata kanë firmosur një herë në propozimin e parë të PD-së për mënyrën e zgjedhjes së presidentit. ”Nuk besoj që në Partinë Demokratike të ketë mendime kundër zgjedhjes së presidentit nga populli. Megjithatë, gjithsecili ka mendimin e tij. Për mua më i përshtatshëm është sistemi i zgjedhjes së drejtëpërdrejtë por është edhe ky problemi ligjor pasi ata që kanë firmosur mbase në një variant nuk mund të firmosin në variantin tjetër. Është logjike pasi nuk mund të firmosë një njeri për dy variante” ka thënë Paloka duke argumentuar mungesën e disa figurave kryesore të PD-së në listën e mbështetësve të presidentit nga populli. Në të njëjtën mënyrë argumentohet edhe nga ana e iniciatorit Sali Shehu. Sipas tij, mungesa e firmave të disa prej deputetëve kryesorë të PD-së është vetëm për arsye teknike dhe ligjore. Sipas tij, firmat e deputetëve mungojnë për dy motive: njëri ligjor, pasi ata kanë firmosur në një listë dhe nuk u lejohet që të firmosin në dy nisma të ndryshme që kanë të njëjtin qëllim dhe arsyeja e dytë është mosqënia e disa deputetëve në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›