Zbardhet vrasja e 20-vjeçarit 10 vjet më parë, kapet autori
Shkodër – Një vrasje e ndodhur plot dhjetë vjet më parë është arritur të zbardhet vetëm ditët e fundit duke u mbyllur si dosje dje në mëngjes kur u ekzekutua fletë-arresti për të dyshuarin e vetëm të ekzekutimit. Policia e Shkodrës konfirmoi prangosjen e 60-vjeçarit Gjergj Ara, lindur në fshatin Palaj të Komunës Shosh dhe banues në Oblikë të Komunës Ana e Malit në Shkodër. Burime zyrtare policore i thanë gazetës “Albania” se kapja e Arës erdhi “si rezultat i një pune të mirë operative dhe procedurale për zbulimin e dokumentimin ligjor të ngjarjeve të vjetra të pazbuluara”. Bëhet fjalë për ekzekutimin më 26 qershor 1999, në fshatin Palaj të Komunës Shosh-Dukagjin Shkodër, ku është vrarë me armë zjarri 20-vjeçari Lek Malota. Për këtë ngjarje, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër rifilloi hetimet pak javë më parë. Në vijim të hetimit u bë i mundur zbulimi dhe identifikimi i autorit të krimit dhe u lëshua urdhër-ndalimi për autorin e dyshuar Gjergj Ara. Policia tha se 60-vjeçari u kap në fshatin Oblik të Komunës Ana e Malit Shkodër dhe do të përballet me akuzat për veprat penale të “vrasjes me dashje” dhe “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.
Korçë
Dëmtohen varret, policia identifikon dy të mitur
Forcat e policisë kanë konstatuar dëmtimin e disa varreve në fshatin Shëngjergj të Korçës. Sipas të dhënave, pas punës hetimore të kryer nga policia u bë i mundur zbulimi i autorëve të kësaj ngjarjeje, të cilët janë personat e mitur me iniciale A. H. dhe O. H., që të dy banues në fshatin Bregas të Korçës. U kryen veprimet procedurale për veprën penale të “dhunimit të varreve” parashikuar nga Neni 118 i Kodit Penal dhe materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Korçës për hetime të mëtejshme. Ndërsa për shkak të moshës së mitur, autorët do të ndiqen në gjendje të lirë.
Lezhë
I rrahu babanë, merr hak duke e qëlluar me armë
Forcat e policisë kanë arrestuar në flagrancë Anton Lulajn, banues në Kola Jakaj të Lezhës, pasi ka plagosur me armë gjahu një bashkëfshatarin e tij. Sipas të dhënave, i plagosuri është P. Pjetri, banues në Torrovicë, i cili ka pësuar dëmtime të lehta dhe pas mjekimit në Spitalin e Lezhës është larguar për në banesën e tij. Ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta pasi Pjetri, bashkë me dy djemtë e tij, kanë rrahur në oborrin e banesës së tij M. Lulajn, babanë e autorit Anton Lulaj. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e gjahut me të cilën është kryer krimi dhe një fishek arme gjahu.
Vlorë
Trafikonin drogë përmes detit, kapen dy skafistë
Dy persona, të cilët ishin identifikuar si skafistë që dërgonin drogë në vendet fqinje përmes detit, janë arrestuar duke u gdhirë e shtuna. Operacioni i posaçëm u organizua nga forcat e Policisë Kufitare, ato të Rendit të qarkut Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit. Operacioni përfundoi me arrestimin e Roland Lulajt dhe Ardian Gockajt. “Ndalimi i tyre është bërë në funksion të procedimit penal nr. 82, viti 2008 të Prokurorisë për Krime të Rënda, Tiranë”, - tha zyrtarisht Policia e Shtetit. Gockaj dhe Lulaj akuzohen për trafik lëndësh narkotike në bashkëpunim.
Berat
Zjarr në Uzinën e Baterive, evakuohen banorët
Një zjarr i madh u shënua dje rreth orës 14:00 në lagjen periferike “Uznovë”, në dalje të qytetit të Beratit, në ish-Uzinën e Baterive. Gjatë rënies së zjarrit janë dëgjuar edhe shpërthime të fuqishme municionesh. Burime policore thanë se zjarrfikësit, sapo morën informacionin për zjarrin e rënë në një pronë private, rrethuar me mur dhe mbuluar nga shkurret, kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, që ndodhej fare pranë ish-repartit ushtarak. Nga konstatimi i parë u mësua se zjarri kishte përfshirë një sipërfaqe prej 200 metrash katrorë tokë. Fatmirësisht nuk ka pasuar të lënduar në njerëz apo dëme materiale në objekte.
31 Gusht 2009