E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëshqitjet bllokojnë rrugën e Gjinarit

Elbasan Firma që po bën rikonstruksionin, tërheq mjetet, në pritje të përmirësimi të motit

Rruga në rikonstruksion, Elbasan-Gjinar, është bllokuar mëngjesin e djeshëm si rezultat i rrëshqitjes së tokës. Reshjet intensive të shiut, rënë në rajonin e Elbasanit, kanë shkaktuar rrëshqitje masive dherash edhe në zonën e Shpatit. Në aksin rrugor Elbasan-Gjinar, rreth 26 kilometra e gjatë, situata më problematike paraqitet në fshatin Shelcan, rreth 10 kilometra larg qytetit të Elbasanit. Kryetari i Komunës së Gjinarit, Gani Hida, shprehet se rrëshqitja e tokës po kthehet në një rrezik serioz jo vetëm për banorët e fshatit Shelcan, por për të gjithë zonën e Shpatit. Sipas tij, nëse reshjet e shiut vazhdojnë me këto ritme, atëherë rreziku i shembjes së rrugës do të jetë evident, pasi rrëshqitjet e tokës po shtohen deri në afërsi të fshatit Gjinar. Në këtë pjesë rruge, masivë të mëdhenj gurësh dhe dherash kanë rrëshqitur nga dhjetëra metra lartësi, duke bllokuar rrugën në shumë vende, në një distancë prej rreth 3 kilometrash. Segmenti rrugor Elbasan-Gjinar, me një gjatësi prej 26 kilometrash, ka vështirësuar edhe kalimin e mjeteve, duke qenë se është në ristrukturim e sipër, me një fond prej 4.16 milionë eurosh, dhënë nga qeveria shqiptare rreth tetë muaj më parë. Sipas kreut të komunës, edhe pse firma “Hysa” vazhdon punimet, është e pamundur të normalizohet situata, pasi çfarë riparohet ditën, mbulohet natën nga rrëshqitjet e tokës. Mësohet se ditën e djeshme firma që kryen rikonstruksionin e këtij segmenti rrugor i ka tërhequr mjetet dhe punëtorët deri në pushimin e reshjeve të shiut.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›