E Diel, 1 Nëntor 2026

Hiqen vizat, fqinjët ecin shlirë

Parlamenti Evropian pritet të aprovojë sot heqjen e vizave Schengen për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi që nga 19 dhjetori i sivjetmë, ka konfirmuar për agjencinë MIA eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon, e cila përgatiti raportin për liberalizimin e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas Fajon, është e sigurt se Parlamenti Evropian do ta miratojë raportin.

Pritet që pjesë përbërëse e dokumentit të jetë edhe propozimi i Sllovenisë që vizat Schengen për të tri vendet të hiqen nga 19 dhjetori i këtij viti, në vend se prej 1 janarit të vitit të ardhshëm, siç kishte propozuar Komisioni Evropian.

"Mendoj se është shumë reale të pritet që qytetarët e Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi mund të udhëtojnë lirisht në BE që prej 19 dhjetorit, gjatë Krishtlindjes dhe festave të Vitit të Ri. Kjo do të ishte një risi e madhe për njerëzit në rajon. Shpresoj që së shpejti, sapo t'i plotësojnë kushtet, atyre do t'iu bashkëngjiten edhe qytetarët e Bosnje e Hercegovinës dhe Shqipërisë. Parlamenti Evropian e mbështet fuqimisht liberalizimin e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor", ka theksuar Fajon.

Raporti për heqjen e regjimit të vizave për shtetet e Ballkanit Perëndimor i eurodeputetes Fajon, u miratua muajin e kaluar nga Komiteti për Liri Qytetare, Drejtësi dhe Punë të Brendshme, por edhe nga Komiteti për Politikë të Jashtme të BE.

Vendimin përfundimtar për heqjen e vizave Schengen për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Brendshëm të BEë më 30 nëntor, ose më 1 dhjetor.
Tanja Fajon pret që edhe vendimi i Këshillit të Ministrave të jetë pozitiv.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›