E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradimet, qeveria tërhiqet pas vërejtjeve të EURALIUS

11/11/2009  Projekti i mbërritur në Kuvend për t’u miratuar do të ripunohet

“Të merren parasysh edhe vërejtjet e Prokurorisë së Përgjithshme”

Me propozim të EURALIUS-it qeveria shqiptare është tërhequr nga varianti i saj fillestar për projektligjin “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale”. Përfaqësuesja e Ministrisë së Drejtësisë, Marsida Xhaferllari, ka njoftuar Komisionin parlament të Ligjeve se do tërheqë projektin e saj për ta rikthyer në vëmendje të legjislativit javën e ardhshme. “Mendojmë të bëjmë disa ndryshime të vogla në projekt, duke marrë parasysh edhe vërejtët e EURALIUS-it dhe do ta risjellim variantin përpunuar të hënën”, - tha ajo. Në fakt, ekspertët e EURALIUS janë shprehur kundër pjesës më të madhe të projektligjit në fjalë, vërejtje që lidhen posaçërisht me pozicionin e Prokurorisë së Përgjithshme. Ekspertët kanë kërkuar që në draft të përfshihen edhe vërejtjet dhe sugjerimet e Prokurorisë së Përgjithshme, ku kryeprokurorja Ina Rama pati kërkuar që institucionit të saj t’i vihet në dispozicion çdo dosje që ka të bëjë me ekstradimet apo me letërporositë. Në diskutimet që Komisioni i Ligjeve i bëri këtij projekti në fund të muajit tetor, miratoi nenet e draftit duke mos marrë parasysh pretendimin e Prokurorisë për të bërë ajo njoftimet e shtetasve dhe duke ia hequr këtë të drejtë gjykatës. Pas diskutimeve Komisioni i Ligjeve ka lënë në fuqi përcaktimet e Kodit të Procedurës Penale për sa u takon njoftimeve të shtetasve. “Kemi debat me Prokurorinë e Përgjithshme, që ka të bëjë me njoftimin e shtetasve, që qëndron në çështjen se cili do të jetë organi kompetent që do të bëjë njoftimin, Prokuroria apo gjykata. Ligji shprehet se e ka gjykata, por prokuroria në shumë raste e kryen të përfunduar njoftimin e shtetasve”, - u shpreh përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë Arben Braçe. Por ish-ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj sqaroi se këtë pikë e ka zgjidhur qartë Kodi i Procedurës Penale, që thotë se njoftimet i bën gjykata. Ndërsa kërkesa e Prokurorisë për të mbledhur letërkërkesat dhe për t’i shpërndarë ato më pas është reflektuar në ndryshimet e ligjit. Sipas projektit, Ministria e Drejtësisë ia adreson letërporositë e autoritetit të huaj Prokurorit të Përgjithshëm, që po brenda 10 ditëve ia transmeton Prokurorisë.

Konflikti

Në shumë raste Prokuroria e Përgjithshme nuk ka informacion mbi letërporositë që vijnë nga autoritetet e huaja. Por debati mes organit të akuzës dhe Ministrisë së Drejtësisë qëndron në çështjen se cili do të jetë organi kompetent që do të bëjë njoftimin: Prokuroria apo gjykata. Në ligj është përcaktuar që këtë ta bëjë gjykata.

Këto ndryshime vijnë në një kohë kur mjaft procese gjyqësore kanë mbetur peng i disa letërporosive apo dhe ekstradimit të personave të akuzuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›