E Diel, 1 Nëntor 2026

Hiqen vizat, në Turqi pa taksën e hyrjes 10 euro

 

Aristir Lumezi

Shqiptarët do të hyjnë në Turqi pa viza dhe pa pagesën prej 10 eurosh. Ministri i Jashtëm, Lulëzim Basha, i ka paraqitur qeverisë të miratojë dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave marrëveshjen mes qeverisë shqiptare dhe asaj turke për heqjen e vizave mes dy vendeve për shtetasit turq dhe ata shqiptarë që vizitojnë vendet reciproke. Në këtë mënyrë, Shqipëria rrit numrin e vendeve me të cilat nuk është e nevojshme pajisja me vizë, e cila në rastin e Turqisë merrej në kufi kundrejt pagesës prej 10 euro. “Kalimi nëpër pikat kufitare të hapura për lëvizjen ndërkombëtare ose ndërshtetërore do të bëhet pa taksa apo detyrime të tjera. Kjo është një nga risitë e kësaj marrëveshje, që i përputhet dëshirës së të dy palëve për lehtësimin maksimal nga barrierat apo detyrimet, duke e përqasur praktikën e lëvizjes nëpërmjet dy vendeve me praktikën e lëvizjes së shtetasve në hapësirën e BE-së”, thuhet në marrëveshjen e paraqitur dje në mbledhjen e qeverisë nga Ministria e Jashtme shqiptare. Nga kjo marrëveshje përfitojnë të gjithë shtetasit me pasaportë diplomatike, shërbimi, speciale apo dhe të zakonshme. Pakti mes dy shteteve duhet të votohet nga Kuvendi para se të hyjë në fuqi. Sipas kësaj marrëveshje, koha e qëndrimit në Turqi pa vizë do të jetë 90 ditë, ndërsa përtej këtij afati, si në rastet e studimeve apo të qëndrimeve më të gjatë, do të kërkohet pajisja me viza sipas ligjeve të vendeve respektive. “Në këtë marrëveshje parashikohet se shtetasit shqiptarë dhe turq, mbajtës të dokumenteve të vlefshme të udhëtimit të përcaktuar në aneksin 1 dhe 2 të saj, kanë të drejtë të hyjnë, të dalin, të kalojnë transit dhe të qëndrojnë pa vizë për një periudhë jo më shumë se 90 ditë brenda një periudhe 6-mujore, duke filluar nga hyrja e parë, në përputhje me standardet e BE-së”, thuhet në marrëveshjen e miratuar dje nga Këshilli i Ministrave. Marrëveshja krijon lehtësi dhe për personelin diplomatik dhe të organizatave ndërkombëtare dhe të familjarëve të tyre. “Për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit, të cilët janë të emëruar në misionet diplomatike dhe konsullore apo në organizatat ndërkombëtare të akredituara në territorin e palës tjetër, do të përjashtohen nga kërkesa për vizë hyrëse dhe transiti për periudhën që ata janë në detyrë. Ky parashikim do të zbatohet dhe ndaj pjesëtarëve të familjeve të tyre që mbajnë pasaportë diplomatike, speciale, shërbimi dhe të zakonshme”, thuhet në marrëveshjen e miratuar. Marrëveshja lejon një vendimmarrje të hapur për secilën nga palët që kërkon ta pezullojë këtë pakt, i cili mund të jetë i lidhur për raste madhore dhe natyrore. “Në rast fatkeqësish natyrore, epidemive apo çështjeve të sigurisë kombëtare dhe të rendit publik, mund të pezullohet përkohësisht zbatimi i marrëveshjes, nëpërmjet njoftimit brenda 72 orëve të palës tjetër, për vendimin e saj për pezullimin e marrëveshjes”, thuhet në të.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›