E Diel, 1 Nëntor 2026

Si do paguhen sigurimet për dadot e fëmijëve

 

Zirina Llambro

Nëse merrni në shtëpi një dado për t’ju rritur fëmijët, ose dikë që t’ju ndihmojë në punët e përditshme, duhet t’i paguani sigurimet shoqërore. Në të kundërt do të penalizoheni. Ndonëse në shumicën e rasteve shihen si punë “shtesë” dhe paguhen me para në dorë, trajtimi i tyre nga punëdhënësi do të jetë njësoj si për të gjitha kategoritë e tjera. Naim Balluku, drejtor i Drejtorisë së Kontributeve në ISSH, sqaron për gazetën mënyrën si këta persona do të pajisen me librezën e kontributeve. Sipas tij, megjithëse një punësim i tillë është i përhapur, ende vihet re një paqartësi për të trajtuar këto persona në mënyrë të tillë, që në kohën që ata të bëhen të paaftë, qoftë për arsye moshe ose sëmundje, të mund të sigurojnë jetesën e tyre. “Në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 1114, datë 30.07.2008, të ndryshuar, theksohet se nga legjislacioni i sigurimeve shoqërore sigurohen në mënyrë të detyrueshme, të punësuarit, që punojnë me kohë të plotë apo të pjesshme pune, si punëtorë shtëpie, në familjet e të tjerëve, sigurohen në mënyrë të detyrueshme vetëm për degën e pensioneve.
Punëtorë shtëpie janë personat që punësohen nga kryefamiljari, në punë të tilla, si kujdestar për fëmijët, kuzhinier, pastrues, roje-administrator shtëpie, asistent për të moshuarit etj., apo dhe në shërbime të ndryshme të kësaj natyre”, sqaron Balluku. Kështu, sipas tij, për rregullimin e marrëdhënieve të punës, me synim sigurimin shoqëror të tyre, del e nevojshme të sqarohen si kryefamiljarët që punësojnë punëtorë shtëpie, ashtu dhe personat e punësuar për detyrimet që kanë lidhur me sigurimet shoqërore. Gjithashtu edhe për përfitimet që rrjedhin nga legjislacioni i sigurimeve shoqërore.
Detyrimet ligjore
Kryefamiljarët që punësojnë persona si punëtorë shtëpie, i lidhin marrëdhëniet e punës përmes një marrëveshje, me shkrim, ndërmjet palëve, ku përveç të tjerave, shënohen detyrimisht numri i sigurimit shoqëror i personit të punësuar, koha e fillimit të punës dhe zgjatja e saj, “me ose pa afat”, si dhe paga mujore bruto. “Në këtë rast, kryefamiljari përcaktohet në rolin e punëdhënësit dhe, si i tillë, ka detyrimin për regjistrim në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR). Regjistrimi dhe procedurat e pajisjes me numër sigurimi, si për rastin kur i punësuari shërben në një familje apo në më shumë se një familje, bëhet sipas një procedure të thjeshtuar”, shprehet drejtori i Drejtorisë së Kontributeve në ISSH. Ai nënvizon se kontributet dhe sigurimeve shoqërore, sipas këtij vendimi, për personat e punësuar si punëtorë shtëpie, paguhen nga kryefamiljari, i përcaktuar si punëdhënës, në llogaritë bankare, të përcaktuara sipas procedurave të vendosura për këtë qëllim. Pagesa e kontributeve bëhet çdo tre muaj, sipas rregullave për pagesat e kontributeve nga personat e vetëpunësuar në biznesin e vogël. Këta persona, sikurse dhe personat e vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbim, ambulante, pajisen me librezën e kontributit nga strukturat e sigurimeve shoqërore. Ata janë të detyruar ta plotësojnë në vijimësi, në bazë të kontributeve të paguara dhe vlerësohen të siguruar për efekt mbrojtjeje nga sigurimet shoqërore, nëse i kanë paguar kontributet e tremujorit pararendës. Në këtë rast në librezë shënohet “Të siguruar vetëm për pension”.
Masa e kontributit
Kontributi i detyrueshëm për sigurimet shoqërore, për personat që punojnë si punëtorë shtëpie, sipas përcaktimit në shkronjën “g”, të pikës 1, të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 1114, datë 30.07.2008, është 1200 (një mijë e dyqind) lekë në muaj.
Ashtu sikurse mund të gjykohet, pagesa për këtë kategori punonjësish, që paguhet tërësisht nga kryefamiljari është në një nivel minimal dhe përbën rreth 25 për qind të shumës së kontributeve që paguan një i vetëpunësuar. Në këto kushte shuma prej 75 për qind e kontributit financohet nga shteti. “Sigurimi me kontribute minimale të kësaj kategorie punonjësish, sigurisht ka si qëllim lehtësimin e familjeve që punësojnë punëtorë shtëpie nga masa kontributesh të papërballueshme, të cilat do rëndonin në një farë mënyre ekonominë e tyre”, shprehet Balluku. Sipas tij, në këtë mënyrë është krijuar mundësia për sigurimin shoqëror të tyre pa i ngarkuar këto familje me pagesa të papërballueshme. Për trajtimin e pagesës dhe grumbullimin e derdhjes së kontributeve, janë të ngarkuara organet tatimore. Po kështu me evidentimin dhe arkivimin e vjetërsisë në punë, si dhe pajisjen me Numrin e Sigurimeve Shoqërore është ngarkuar Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
Regjistrimi
Lidhur me regjistrimin e personave si kryefamiljarë, që punësojnë persona si punëtorë shtëpie, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave të mësipërm duhet të mbahen parasysh disa procedura. “Ashtu sikurse u theksua, kryefamiljari, që në këtë rast është caktuar në rolin e punëdhënësit, dhe si i tillë ka detyrimin për regjistrimin në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, sqaron drejtori i Drejtorisë së Kontributeve në ISSH. Po kështu kryefamiljari që punëson punëtore persona si punëtore shtëpie, 2 ditë punë pas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, duhet të dorëzojë në organin tatimor listën e të punësuarve me pagën përkatëse. Kryefamiljari në këtë rast është i detyruar të deklarojë me shkrim në organin tatimor, punëmarrësit e punësuar rishtazi, të paktën 48 orë para fillimit të punës. Të larguarit nga puna duhet t’i deklarojë të paktën brenda 10 ditëve nga largimi. Kryefamiljari që punëson punëtore shtëpie është i detyruar të pajisë personat me Numrin e Sigurimit Shoqëror, të cilin duhet ta tërheqë nga organet e sigurimeve shoqërore menjëherë me fillimin e punës së personit dhe ta pasqyrojë në listë-pagesën e radhës, që dorëzon në organin tatimor. Me këtë sigurim shoqëror, aktualisht punëtoret e familjeve janë të siguruar për të gjithë kategoritë e pensioneve, si pensione pleqërie, pensione invaliditeti dhe pensione familjare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›