E Diel, 1 Nëntor 2026

Hiqeshin si ndërtues, iu morën tre personave 220 mijë euro

policiKorçë/Iu premtonin personave të ndryshëm apartamente dhe dyqane në Tiranë e në Durrës, dhe pasi ju merrnin shuma të mëdha parash zhdukeshin. Altin Uruçi, Fori Çuro, dhe djali i tij Stefanaq Çuro janë arrestuar ditën e djeshme në Korçë pasi brenda një muaji mashtruan tre persona duke ju zhvatur plot 220 mijë euro. Sipas të dhënave të policisë këta persona hiqeshin si ndërtues pallatesh, por mashtronin blerësit duke u marrë shuma të konsiderueshme eurosh për apartamente, dyqane dhe garazhe dhe më pas zhdukeshin. Por hetimet dy mujore të Task-Forcës në Korçë, bashkë me prokurorinë, lokalizuan tre të dyshuarit dhe finalizuan mëngjesin e djeshëm operacionin e koduar Ndërtuesi. Bëhet fjalë për të paktën dy mashtrime të mëdha me vlerë 220 mijë euro, ndërsa hetohet edhe për disa të tjera. Policia i bëri thirrje qytetarëve që të denoncojnë rastet ndaj tre të ndaluarve. Në pranga ranë Altin Uruçi, 31 vjeç, nga Lushnja, shoqëruan e po hetojnë në gjendje të lirë për shkak të moshës Fori Çuro, 80 vjeç dhe shpallën në kërkim djalin e tij Stefanaq Çuro, 41 vjeç, të dy banues në Zhepë të Përmetit.
Hetimet
Policia ka zbardhur edhe skemën e mashtrimit që kishte nisur prej një viti. Për këtë janë dashur metoda speciale hetimi mbi bazën e denoncimit të dy prej të dëmtuarve që nuk i kapnin dot të dyshuarit që kishin humbur gjurmët. Altin Uruçi dhe Stefanaq Çuro, prezantoheshin si ndërtues pallatesh kryesisht në qytetet e Korçës, Tiranës, Durrësit apo Lushnjës. Pasi binin në kontakt me të interesuarit, kryesisht edhe të njohur, ua mbushnin mendjen që të prenotonin shtëpi dhe dyqane me parapagesë kësti. Çmimet që ofroheshin ishin të favorshme dhe me to joshnin klientët. Pasi u tregonin objekte në ndërtim formale, bënin marrjen e eurove me noteri false dhe më tej zhdukeshin. Sipas rrëfimit të denoncuesve, ata kanë përfituar deri më 25 prill, kur u organizua operacioni kurth për arrestim, plotë 220 mijë euro.
Mashtrimi
Të dëmtuarit më të mëdhenj janë Jorgji J., 58 vjeç, nga Leskoviku dhe Sotiraq Vangjeli, 51 vjeç, nga Përmeti. Të parit i është premtuar një hyrje e madhe pallati në Tiranë dhe të dytit dy dyqane. I dyshuari Altin Uruçi prezantohej me emra të ndryshëm të rremë si Rahman, Aldo, Viron dhe Andrea, duke u hequr si investitor i njohur, tha policia vendore. U bë sekuestrimi i mjetit Opel Astra me targa AA999GF, në pronësi të tij, si dhe 4 aparate telefoni celular, ku do zbërthehen tabulatet telefonike për të zbuluar detaje të tjera dhe rastet e mashtrimit. Ndaj të dyshuarve u ngrit akuza e mashtrimit, kryer në bashkëpunim dhe po verifikohet për llogaritë bankare me qëllim kthimin e parave tek të dëmtuarit. Për të moshuarin Fori Çuro, i cili gjente klientët dhe bënte ndërmjetësimin, hetimet do bëhen në gjendje të lirë për shkak të moshës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›