Merret peng taksisti në Durrës, i pritet veshi dhe i vidhet makina
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në qytetin e Durrësit ku i gjithë opinioni publik në Shkozet është tronditur për shkak të lajmit që një taksist pasi është marrë peng u dhunua dhe u mbajt peng për disa orë ndërsa agresorët i kanë prerë dhe njërin prej veshëve. Policia në njoftimin zyrtar ka bërë me dije se Isa Xhumani që punonte si taksist në Durrës por edhe në Shkozet është marrë peng paraditen e djeshme dhe është grabitur dhe dhunuar në Shkozet të Durrësit ndërsa i është vjedhur makina e tij. Nga të dhënat paraprake bëhet e ditur se taksisti 31 vjeçari ka rënë pre i një pengmarrjeje dhe në ngjarje e sipër është goditur me mjete të forta, ndërsa i është prerë edhe njëri vesh nga autori i sulmit që kishte levë dhe thikë me vete. Burime zyrtare nga policia e qytetit bregdetar deklaruan se ngjarja e rëndë ka nisur mesditën e djeshme rreth orës 14.30 në lagjen nr.14 në Durrës, (pranë Shkozetit) ku të dëmtuarit 31 vjeçar, pasi është gënjyer për të shkruar që të merrte një klient diku në periferi të qytetit i është vjedhur makina tip Benz me targa DR 2983D, dhe pasi është rrahur barbarisht është mbajtur peng në shtëpinë e një prej agresorëve. Mësohet se për afro një orë taksisti është mbajtur peng dhe është dhunuar në banesën e autorit i cili është identifikuar të jetë shtetasi Sabri Verteniku. Tashmë i dyshuari është shpallur në kërkim dhe policia tha se po punohet për kapjen e tij. Nuk dihet ende ecuria e plotë e ngjarjes ndërsa paraprakisht thuhet se pas pengmarrjes Xhumanit i është vjedhur edhe portofoli ndërsa është goditur me mjete të forta, ku ndër të tjera i është prerë edhe njëri vesh. Aktualisht taksisti Xhumani ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve ndërsa nuk dihet saktësisht shkalla e dëmtimit në vesh.