Hiqet dogana, Kuvendi miraton taksën për shitjen dhe importin e makinave
Kuvendi miratoi dje ndryshimin e "doganës" së makinës dhe rritjen e taksës për karburantet. Pas afërsisht një muaji, (ligji pas miratimit në Kuvend botohet në fletoren zyrtare dhe 15 ditë më vonë hyn në fuqi), makinat e importit do të kenë një formulë tjetër taksmi në vend të doganës. Ndërkohë që do të taksohet edhe shitja e makinave brenda vendit. Heqja e doganës së makinave do të zëvendësohet me taksën e ambientit, që do të penalizojë importin e makinave të vjetra dhe do të favorizojë hyrjen e makinave të reja. Formula aktuale e ndante doganën e makinës sipas 10 viteve, pra më e re se 10 vite ose më e vjetër se 10 vite nga data e prodhimit. Formula e re që do të aplikohet shumëzon koeficientin fiks, për naftën 25 dhe benzinën 20, me cilindratën e motorit dhe me një koeficient 0.5 për vit. Formula llogaritet: taksë fikse x cilindrata e motorit x koeficienti i viteve të përdorimit, 0.5 në vit. Pra, për një makinë të vitit 2008, me naftë dhe me motor 2500 kubik, tarifa do të ishte: 25 x 2500 x 0.5 x 2 vite. Sipas ligjit të ri, sa më e vjetër të jetë makina, aq më e lartë do të jetë taksa. Një ndryshim thelbësor është se taksa e ambientit do të llogaritet edhe për makinat që shiten brenda vendit. Kështu, në rast se një person ka blerë një makinë para disa vitesh dhe do ta shesë, ai do të paguajë sërish taksën e ambientit. I vetmi përfitim është se nga vlera e taksës së ambientit do të zbritet dogana e paguar për automjetin. Nga ana tjetër, ligji i ri për taksat kombëtare rrit me 3 herë edhe taksën e karbonit për naftën dhe benzinën. Kështu për naftën, nga 1 lekë për litër që ishte taksa do të bëhet 3 lekë, ndërsa për benzinën nga 0.5 lekë për litër në 1.5 lekë. Nga ana tjetër, hiqet taksa prej një euro në ditë për automjetet me targa të huaja. Pra emigrantët, mund të përdorin makinat e tyre pa limit në Shqipëri, pa paguar asnjë taksë.
Formula e re
• Llogaritja del duke shumëzuar: Cilindrata në cm3, me koeficient fiks për çdo vit përdorimi, me taksë fikse për llojin e karburantit.
• Taksa fikse për llojin e karburantit do të jetë: 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën.
• Koeficienti për vitet e përdorimit do të jetë: Për autoveturat 0,5 për çdo vit përdorimi