Remzi Hoxha, holandezët:Nuk gjejmë Avdyl Loshajn
Armand Bajrami
Avdyl Loshaj, dëshmitari “kyç” i prokurorisë në procesin gjyqësor ndaj tre ish-SHIK-sve, të akuzuar për rrëmbimin me pasojë zhdukjen e Remzi Hoxhës, “humb gjurmët” në Holandë. Gjykata për Krimet e Rënda ende nuk është njohur me dëshminë e tij, ndërkohë që autoritetet holandeze nuk gjejnë adresën e tij në shtetin nordik. Lajmi u bë i ditur në seancën e radhës të këtij procesi te Krimet e Rënda. Sipas një përgjigjeje zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë së Holandës, ekzekutimi i letërporosisë për pyetjen e Loshajt nuk ishte ekzekutuar, për shkak të mosgjetjes së vendndodhjes së tij. Prokurori i çështjes garantoi gjykatën për saktësimin e adresës së dëshmitarit. Nga ana e tyre, avokatët pretenduan mosmarrjen e dëshmisë së Loshajt, e cila sipas tyre “po mban peng procesin”.
SEANCA
“Hetimet kanë rezultuar se shtetasi Avdyl Loshajt nuk gjendet në qytetin e Bredas dhe nuk është i regjistruar në këtë vend. Meqë nuk gjendet adresa e Loshajt, ne nuk mund të bëjmë asistencën e kërkuar ligjore, ndaj kërkesa juaj kthehet e paekzekutuar”. Këtë përmbajte relatoi dje kryesuesi i seancës, gjyqtari Gurali Brahimllari, në përgjigjen e kthyer nga autoritetet holandeze për ekzekutimin e letërporosisë për pyetjen e Loshajt në Holandë. Prokurori i çështjes u shpreh se në vitin 2003, Avdyl Loshaj është pyetur nga organi i akuzës në Ambasadën shqiptare në Holandë. Sipas prokurorit, për shkak të tronditjes dhe druajtjes për shkak të sigurisë së tij fizike, Loshaj kishte dhënë si adresë vetëm emrin e qytetit Breda, ku jetonte në këtë shtet. Në vijim, prokurori Xhevat Hana pohoi para togave të zeza se “shumë shpejt do t’i japim gjykatës adresën e saktë”. Kërkesa e prokurorisë hasi në reagimin e një prej mbrojtësve. “Nuk ka nevojë të pyetet më ky njeri. Po na mban peng procesin. Po cënohet dinjiteti i klientëve tanë. Kërkoj të ndërpriten kërkesat e prokurorisë”, u shpreh avokati. Gjykata vendosi të lërë një javë kohë prokurorisë, për saktësimin e adresës së dëshmitarit Loshaj. Po dje, gjykata relatoi konfirmimin e autoriteteve italiane për ekzekutimin e letërporosive të pyetjeve të dëshmitarëve, Gjok e Flora Hasanaj dhe Martin Mirajt, më 25 qershor në Itali. Të pandehurit në këtë proces, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashi akuzohen për rrëmbimin dhe torturimin e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli në vitin 1995, me pasojë zhdukjen e Hoxhës. ar.ba