Kushtetuesja, maxhoranca rrëzon kandidatin e Topit
Erald Kapri
Kuvendi rrëzoi dje kandidaturën e Van-gjel Kostës të dekretuar nga Presidenti Bamir Topi si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Deputetët e maxhorancës së djathtë votuan pro dy kandidaturat e tjera të ardhura në Kuvend, atë të Altina Xhoxhajt dhe Bashbim Dedes. Në fund të seancës, me votim të fshehtë, deputetët e djathtë votuan kandidaturën e Altina Xhoxhajt me 70 vota pro dhe vetëm dy vota kundër. Kandidatura e Bashkim Dedes mori 70 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim. Kandidatura e tretë ishte ajo e Vangjel Kostës, e cila mori 66 vota kundër, vetëm 4 vota pro dhe 2 abstenime. Rrëzimi i kësaj kandidature të ardhur nga Presidenti Topi nuk është për herë të parë. Në vitin 2008, maxhoranca rrëzoi 5 kandidaturat e ardhura nga kreu i shtetit për në Gjykatën e Lartë. Kësaj here, ndryshe nga precedenti i vitit 2008, dy kandidatura u miratuan, ndërsa vetëm njëra u rrëzua, ajo e Vangjel Kostës. Vlen të përmendet se dy kandidaturat që u miratuan dje në Gjykatën Kushtetuese ishin kandidatura që maxhoranca i rrëzoi në vitin 2005 për në Gjykatën e Lartë. Altina Xhoxhaj dhe Bashkim Dedja u propozuan për në Gjykatën e Lartë, por Kuvendi në vitin 2008 i rrëzoi në bllok. Kësaj here, maxhoranca e djathtë i dha votën pro këtyre kandidaturave. Opozita nuk ishte e pranishme në Kuvend, ndërsa të 72 deputetët e prezentë në sallë ishin të maxhorancës, ku mungonin vetëm Kryeministri Berisha, zëvendëskryeministri e ministri i Jashtëm, Meta, si dhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali. Votimi u bë i mbyllur në formë elektronike dhe askush nuk dha asnjë shpjegim për rrëzimin e kandidaturës së Kostës. Mësohet se para fillimit të seancës plenare, grupi parlamentar i PD-së kishte zhvilluar një mbledhje. Kandidatura e Vangjel Kostës u rrëzuan nga maxhoranca, pas mbledhjes me dyer të mbyllura të Grupit Parlamentar të Partisë Demoktratike. Kështu, Altina Xhoxhaj do të jenë anëtarja më e re e Gjykatës Kushtetuese, edhe në moshë. Ajo do të zëvendësojë në këtë detyrë Kujtim Puton dhe do të ketë një mandat prej 9 vitesh në këtë Gjykatë, më e larta e vendit. Bashkim Dedja do të jetë anëtari tjetër i ri i kësaj gjykate. Ai do të zëvendësojë Fehmi Abdiun, ish-kreun e kësaj gjykate për shumë vite. Dedja do të ketë një mandat prej 9 vitesh.
Votimi
Altina Xhoxhaj
70 vota pro
2 vota kundër
(zëvendëson anëtarin Kujtim Puto)
Bashkim Dedja
70 vota pro
1 votë kundër
1 votë abstenim
(zëvendëson anëtarin Fehmi Abdiu)
Vangjel Kosta
66 vota kundër
4 vota pro
2 vota abstenim
(duhej të zëvendësonte anëtarin Sokol Sadushi)