PD: Kosta, vendime në gjyqe politike gjatë viteve ‘83-’90
Kandidatura e Vangjel Kostën u rrëzua nga maxhoranca e djathtë në Kuvend, për arsye se ai në kohën e diktaturës komuniste ka qenë gjyqtar në Durrës e ka dhënë vendime në gjyqe politike. Ky ishte konkluzioni i mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demoktratike dje, para fillimit të seancës plenare. Kreu i grupit, Astrit Patozi, në mbledhjen me dyer të mbyllura, u shpërndau një dosje të gjithë deputetëve të PD-së. Në atë dosje, ishin 8 procesverbale gjyqesh, ku rezultonte emri i Vangjel Kostës si gjyqtar, në vendime si tentativa për arratisje kufiri, madje në vitin 1990. Duke pasur procesverbalet e gjyqeve politike para, deputetet e PD-së e cilësuan të pamoralshme që Vangjel Kosta të jetë anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe morën vendimin që ai të rrëzohet në Kuvend. Në seancën dëgjimore në Komisionin e Ligjeve, i dekretuari Vangjel Kosta, i pyetur nga deputetja Mesila Doda nëse ka dhënë vendime politike në kohën e diktaturës politike, u shpreh se nuk ka dhënë vendime të tilla. Në komisionin e ligjeve Kosta deklaroi se nuk kishte qenë pjesë e strukturave të Partisë së Punës. Ndërkaq, në CV-në e tij, Kosta kishte shprehur se gjatë viteve '83-'91 ka gjyqtar, por pa specifikuar më shumë. Në dosjen me 8 procesverbale që iu shpërnda deputetëve të PD-së, Vangjel Kosta rezulton se ka dhënë vendime politike. Deputetët e djathtë, duke gjykuar nga rrethanat, morën vendimin në grup se kandidatura e Vangjel Kostës të mos miratohet. Pavarësisht këtij vendimi, Kosta arriti të marrë 4 vota pro nga maxhoranca e djathtë, ndonëse u mor vendimi që ai të mos votohet. Kështu, në një nga procesverbalet, Vangjel Kosta ka dënuar një qytetar që quhet Sulejman Hekuri për veprën penale të kalimit të paligjshëm të kufirit të mbetur në fazën e përgatitjes me 4 muaj burg. Ky vendim është marrë në fund të vitit 1990, në Gjykatën e Rrethit Durrës. Një tjetër procesverbal mban datën e vendimit 15 dhjetor 1989, ku Kosta ka dënuar me 5 vite burg Agron Ficon për akuzën "tradhti ndaj atdheut", Kastriot Marën me 3 vjet e gjysmë dhe Adnan Ballën me 1 vit burg për krim kundër shtetit. Një tjetër procesverbal shpreh që Kosta ka dënuar qytetarin Viktor Bani për arsye se ishte larguar pa leje nga internimi. Një vendim tjetër i marrë në datën 8 gusht 1984 nga gjyqtar Vangjel Kosta, dënon qytetaren Evanthi Ligori me 6 muaj riedukim me punë, e cila do paguhej vetëm sa 1 e katërta e pagës reale. Arsyeja e këtij dënimi ishte se e pandehura Ligori ishte larguar pa leje nga vendi ku kryente dënimin. Sipas këtij procesverbali, qytetarja Ligori dënohet me 4 muaj riedukim, edhe pse ajo kishte shfaqur një sjellje të mirë në internim. Procesverbali shpreh se ajo u largua nga fshati ku kryente internimin, në Kareç, pasi kishte fëmijën e shtruar në spital. Meqenëse nuk kishte gjetur punonjësin e policisë për ta lajmëruar, ajo ishte larguar pa leje për në Shijak. Pavarësisht kësaj rrethane, ajo mori një dënim për të punuar 4 muaj me 1 të katërtën e pagës, ku do të bënte edhe riedukimin. Procesverbali i radhës ishte një dënim i dhënë nga gjyqtar Vangjel Kosta më 30 korrik të vitit 1990. Ai kishte dënuar me 8 muaj burg qytetarin Artan Jero, për shkak se kishte tentuar të kalonte kufirin, por mbetur në fazën e përgatitjes. Procesverbali shpreh se i pandehuri u arrestua të sallën e gjyqit dhe u dërgua në burg. Në CV e tij të dërguar në Kuvend, Kosta shkruante se kishte qenë gjykatës në vitet e diktaturës. Njëkohësisht nga viti 1993 deri në vitin 2000, ai kishte shërbyer sërish si gjykatës. Ai prej vitesh jep mësim në Shkollën e Magjistraturës, e cila përgatit gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm.