E Diel, 1 Nëntor 2026

Hiqet nga rendi i ditës projektligji për Gardën e Republikës

TIRANË, 16 prill /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla kërkoi në seancën plenare të sotme në Kuvend, heqjen nga rendi i ditës dhe kalimin për shyqrtim në seancën pasardhëse të projektligjit “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”.

Ai argumentoi se nevojitet më shumë kohë për shqyrtim në komisione dhe përgatitje për debat në seancë.

Në fjalën e tij, Balla vlerësoi Gardën e Republikës si një institucion elitë të sigurisë, duke nënvizuar se punonjësit e saj meritojnë mbështetje dhe respekt, ndërsa hodhi poshtë çdo akuzë apo insinuatë ndaj këtij institucioni.

“Garda e Republikës është një institucion elitë në grupin e institucioneve të sigurisë në vend, punonjësit e Gardës së Republikës meritojnë respekt. E vërteta është që gjithmonë duhet t’i ofrojmë mbështetjen tonë Gardës së Republikës, e cila bën një detyrë të rëndësishme, dhe ndërkohë çdo lloj akuze apo insinuate dhe çdo lloj shpifje ndaj Gardës së Republikës është e ulët. Garda e Republikës i shërben autoriteteve të shtetit pavarësisht nëse je sot qeveri, apo je sot në opozitë”, tha Balla.

Ndërkohë, deputeti i PD-së, Klevis Balliu u shpreh se për sa i përket ndryshimeve, për projektligjin për Gardën e Republikës, që më së shumti sipas tij “është një kostum që po i përgatitet një njeriu që ka qejf Kryeministri të bëjë shef të Gardës, Balliu shtoi se Parlamenti nuk mund të bëjë një projektligj për një person.

“Nuk ka njeri as në gardë e Parlament që se di që ky projektligj po bëhet për t’u bërë Simoni, njeriun e shoferit, kreu i gradës. Ai është projektligj për interesa të një individi. Parlamenti nuk mund të bëjë ligje për një individ, por për interesin e çdo shqiptari”, tha Balliu.

Propozimi i Kryetarit të grupit parlamentar të PS u hodh në votim dhe u miratua me 71 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim.

/e.i/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›