E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hiqet pezullimi, Shqipëria zyrtarisht në FIFA



Përfundimisht të rikthyer. Në familjen më të madhe të futbollit. Në FIFA. Prej andej ky u pezulluam thuajse një muaj e gjysmë më parë, më 14 mars 2008, për t’u rikthyer zyrtarisht, më 29 prill 2008.
“Komiteti i Emergjencave të FIFA-s vendosi të heqe pezullimin, që Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s i imponoi Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), më 14 mars 2008 për shkak të ndërhyrjeve qeveritare ne punët e brendshme të FSHF-së dhe futbollit shqipatar”, thuhej në komunikatën zyrtare të FIFA-s të publikuar në faqen e saj.
Sipas FIFA-s, heqja e pezullimit u arrit pas diskutimeve ku u përfshinë FIFA, UEFA, FSHF dhe autoritetet shqiptare. Statuti i ri i FSHF-së u firmos përfundimisht nga ministri shqiptar i Sporteve, Ylli Pango dhe u regjistrua në Gjykatën shqiptare, pasi ai më parë ishte bllokuar. Për më tepër një grup pune katër- palësh përfshirë përfaqësues nga FIFA, UEFA, FSHF dhe Ministria e Sporteve për të diskutuar e gjetur një zgjidhje edhe për nenin problematik 53.
“Nën dritën e këtyre faktëve dhe pas konsultimit me UEFA-n, FIFA vendosi të heqë pezullimin e Federatës Shqiptare të Futbollit, sot, të marrën më 29 prill 2008”, mbyllet komunikata e FIFA-s.
Gjatë periudhës së pezullimit ndërkombëtar Kombëtarja A humbi dy miqësore të programuara me Arabinë Saudite (21 mars) dhe Moldavinë (26 mars). Heqja e pezullimit i hapi rrugë edhe zhvillimit të miqësores së 27 majit me Poloninë, por edhe me klubin zviceran të Shafhauzenit.
Rikthimi i Shqipërisë në familjen futbollistike botërore dhe europiane, do të zgjidhë automatikisht disa probleme, marrjen pjesë në kompeticionet e UEFA-s për klubet të katër skuadrave shqiptare (Liga e Kampioneve, Kupa UEFA dhe Intetoto).
D.Frashëri

Neni i “ngrirë” 53

Neni 53 i FSHF-së, i amenduar në nenin 60 thotë shprehimisht: “Federata Shqiptare e Futbollit është pronare ekskluzive e të gjitha të drejtave që rrjedhin nga aktivitetet nën juridiksionin e saj, pa kufizim në kohë, në vend, në përmbajtje dhe në ligje”.

LETRA E FIFA-s

I dashur Z.President, I dashur Mik,

Kam kënaqësinë t’ju informoj Ju, Federatën Shqiptare të Futbollit dhe të gjithë komunitetin e futbollit në Shqipëri se Komiteti i Emergjencës në FIFA, vendosi sot më date 29 Prill 2008 te heqë pezullimin e vendosur nga Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s, në muajin mars.
Komiteti i Emergjences ne FIFA pasi u informua me rezultatin pozitiv te diskutimeve katër palëshe, përbërë nga FIFA, UEFA, FSHF dhe nga ana tjetër autoritetet qeveritare Shqiptare, të cilat çuan në firmosjen e Statutit të ri të FSHF-së, aprovuar në qershor 2007, nga ana e Ministrit të Sporteve dhe për rrjedhojë edhe regjistrimin në Gjykatën përkatëse në Tiranë .
Do të ngrihet një grup pune prej katër anëtarësh i përbërë nga palët e sipërpërmendura dhe gjithashtu një delegacion i nivelit të lartë të FIFA-UEFA, do të udhëtojë së shpejti në Shqipëri për të diskutuar çështjet e mbetura varur dhe zgjidhjen e menduar të nevojshme për të siguruar progresin e mëtejshëm për sportin tonë në vendin tuaj.
Në emër të FIFA-s dhe në emrin tim, me lejoni të shpreh shpresën se te gjitha palët në Shqipëri të interesuara në futboll, lojtarët, klubet, zyrtarët nën juridiksionin e FSHF-së, autoritetet politike dhe sektori privat së bashku, do të bashkohen pas kësaj krize në të mirë të sportit tonë dhe gjithashtu në të mirë të rinisë shqiptare
Duke pritur të takohemi në Kongresin e rradhës
Mbetem sinqerisht,
I juaji
Joseph Blater

LETRA E UEFA-s

Heqja e pezullimit për Federatën Shqiptare të Futbollit me efekt të menjëhershëm
Vendimi i Panelit të Emergjencës në UEFA, datë 29.04.2008.

I dashur z.President!

Pasi kemi marrë konfirmimin tuaj, se Statuti i FSHF-së i miratuar nga Asambleja e Përgjithshme më 9 qershor 2008 është firmosur, i pandryshuar nga Ministri i TKRS-së, Prof. Ylli Pango, dhe është rregjistruar me kohë në gjykatën kompetente në Tiranë, administrata e UEFA-s informoi presidentin Z.Mishel Platini, i cili mblodhi Panelin e Emergjencës në UEFA për të marrë vendimin e heqjes së pezullimit të FSHF-së.
Ne jemi të gëzuar t’ju informojmë se Paneli i Emergjencës në UEFA në unanimitet vendosi në datë 28 Prill 2008 në korrespodencë, të heqë pezullimin e FSHF-së me efekt të menjëhershëm.
Si pasojë, Federata juaj, ekipet përfaqësuese dhe klubet tuaja, gjithashtu dhe anëtarët tuaj në Komisionet e UEFA-s, delegatët dhe arbitrat mund të rifillojnë kontaktet sportive dhe komunikimin me UEFA-n, e anëtaret e saj.
Ashtu siç kemi rënë dakort me Ministrin e Sporteve, së shpejti do të dërgojmë një grup pune të përbërë nga FIFA dhe UEFA, për të rishikuar çështjet e mbetura pezull dhe për të gjetur zgjidhjet që janë në interesin dhe në të mirë të futbollit në vendin tuaj.
Sinqerisht i Juaji,
David Taylor
Sekretar i Përgjithshëm

45 ditët nga pezullimi te rikthimi

14 mars 2008

FIFA mori vendimin të pezullojë pa afat Shqipërinë nga të gjitha aktivitetet ndërkombëtare, zyrtare e miqësore për shkak të ndërhyrjes së rëndë politike në FSHF.

17 mars 2008

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe ministri Pango u takuan kokë me kokë në ministri pas vendimit të dhënë nga FIFA e UEFA, por pa prodhuar asnjë rezultat konkret.

20 mars 2008

UEFA ripërsëriti qëndrimin e FIFA-s, pas së cilës u anuluan tre takime ndërkombëtare, duke i lënë 60 ditë afat shtetit shqiptar për të ndryshuar qëndrimin ndaj FSHF-së.

21 mars 2008

Gjashtë klube të Kategorisë Superiore firmosën një peticion, ku kërkohej dorëheqja e presidentit Duka, nëse kreu i FSHF-së nuk do të zgjidhte konfliktin brenda pesë ditësh.

24 mars 2008

12 përfaqësuesit e Kategorisë Superiore pas një takimi të gjatë me Komitetin Ekzekutiv e Dukën vendosën të anulonin bojkotimin e kampionati dhe protestat.

27 mars 2008

Presidenti i FIFA-s, Blater: “Mund të miratoni çdo ligj që doni për sportin, por nëse federata juaj e futbollit dëshiron të jetë pjesë e FIFA-s duhet të respektohet statuti i saj”.

31 mars 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, pret në selinë e Presidencës një përfaqësi të FSHF-së, ku garanton influencën e tij për zgjidhjen e konfliktit brenda standardeve.

15 prill 2008

Në FSHF dhe MTKRS mbërrin faksi i dyfishtë i dërguar nga FIFA-UEFA, që propozon edhe ngrirjen e nenit 53 dhe firmosjen e statutit të FSHF-së nga ana e ministrit Pango.

16 prill 2008

Ministri i Sporteve, Ylli Pango pret në selinë e MTKRS-së, sekretarin e Përgjithshëm të FSHF-së, Arben Bici, më të cilin arrin edhe marrëveshjen e kërkuar nga FIFA-UEFA,

16 prill 2008

Pango komunikon me FIFA-n e UEFA-n për t’i bërë të ditur faktin se pranonte propozimin e tyre për të firmosur statutin e FSHF-së me kushtin e ngrirjes së nenit problematik 53.

16 mars 2008

Armand Duka mbledh Komitetin Ekzekutiv të FSHF-së për të marrë miratimin e “ngrirjes” së nenit 53. Presidenti i Republikës publikon takimin e ditës së enjte, në orën 11:00

17 prill 2008

Ministri Pango: “U realizua ajo që kam kërkuar qysh më datën 20 shkurt 2008, kur kam nënshkruar statutin e FSHF-së, me përjashtim të nenit 53. Iu hap rruga heqjes së ezullimi i Shqipërisë”.

17 prill 2008

Presidenti i FSHF-së, Duka: “Kemi arritur arritur në një konsensus, i cili rezulton në firmosjen e statutit. FSHF do të pezullojë zbatimin nenit 53 deri në një kohë të dytë”

25 prill
Pas firmosjes së plotë të Statutit të FSHF-së nga ana e Pangos, federata e çon në Gjykatën e Tiranës, ku me influencën e drejtpërdrejtë të Bamir Topit, regjistrohet në Gjykatë.

29 prill 2008
FIFA dhe UEFA marrin vendimin e përbashkët për të hequr pezullimin e Shqipërisë dhe për ta kthyer atë në gjirin e familjes botërore dhe europiane të futbollit.

Skela: “Kundër Verderit, jo si me Shalken”

Fantazistit shqiptar të Energi Kotbus, Ervin Skelës, i duhet të jetojë intesivisht midis dy botëve: asaj të futbollit, ku është protagonist dhe të medias, ku është gjithmonë i ftuar. Në katër ndeshjet e fundit, Skela shënon katër gola për Kotbusin duke i dhuruar edhe nënëtë pikë të vlefshme. Edhe pse kundër Hansa Rostokut (2-1), 31-vjeçari shqiptar nuk realizoi, prapë se prapë ndihmesa e tij ishte e madhe: Skela dha asistët e golave të realizuar nga Timo Rost (81’) dhe Dimitar Rangelov (90’). I intervistuar nga faqja gjermane Neue-deutschland.de, magjistari shqiptar thotë: “Kundër Hansës, ashtu siç e tregojnë edhe golat, ne kemi bindur. Ne besonim se dhe pas rezultatit 1-1 do të arrinim të shëmonim., Në mënyrë të veçantë më vjen mirë për Dimitar Rangelov, i cili pas një dëmtimi të gjatë u rikthye te goli”. Edhe pse Kotbusi ka shanse të mira për mbijetesë në Bundesligën gjermane, përsëri Skela kërkon të mos ulë tonet e kujdesit. “Nëse javën e ardhshme në Bremen humbasim dhe takimin tjetër fitojëm, ne do të jemi sërish dy pikë larg ndaj rivalevë për mbijetesë. Në Bremen nuk duhet të bëjmë atë lojë si me Shalken ku humbëm 5-0”, - përfundon Skela.

Ujkani: “Çani ka shanse të shënojë golin e parë”

Samir Ujkani, futbollisti i Palermos dhe i pari portier shqiptar që aktivizohet në Serinë A, është dëmtuar prej disa ditësh dhe aktualisht ndodhet pranë familjes së tij në Belgjikë. “Jam dëmtuar dhe për 10 ditë do të mungoj për skuadrën time”. – tha 19-vjeçari për “Ora Sport”. “Duhet të bëj një pushim absolut, pasi kam një frakturë në një nga gishtat e dorës. Aktualisht ndodhem në Belgjikë së bashku me familjen time dhe javën e ardhshme do të rikthehem në Palermo”, - tha futbollisti i Kombëtares Shqiptare U-21. Ujkani, i cili më parë ka luajtur me të rinjtë e Anderlehtit U-19, nënshkroi verën e kaluar një kontratë 5-vjeçare. “Më vjen shumë keq që nuk munda të luaja qoftë edhe një minutë këtë sezon me Palermon në Serinë A. Është thuajse e pamundur tani, pasi kanë mbetur vetëm 3 javë dhe dëmtimi kërkon ende kohë. Besoj se vitin e ardhshëm do të luaj me Palermon dhe do të kem shansin tim”, - tha portieri shqiptar, i cili ishte në bankinë në dy ndeshjet që Palermo luajti në Kupën UEFA.
Ujkani po rritet çdo ditë dhe një kontribut për këtë ka dhe stafi teknik i skaudrës italiane. “Trajneri i skuadrës, Kolantuano, më duket shumëe profesionist dhe më ka garantuar, që edhe një ditë unë do të kem shansin tim. Më ka përkrahur që nga dita e parë dhe mendoj se shumë shpejt do të fitoj besimin e tij”. Kosovari është i bindur se për këtë i duhet të punojë fort. “Duhet të arrij një formë të mirë për ta shfrytëzuar të qenit një skuadër të mirë si Palermo. Këtë sezon nuk bëmë një kampionat të mië dhe nuk arritëm dot të futemi në kupat e Europës. Gjithsesi, te Palermo ndihem mirë”.
Në merkaton e janarit te Palermo u transferua edhe shqiptari tjetër, Edgar Çani, i cili luajti edhe minutat e para në Serinë A në ndeshjen Palermo-Atalanta (0-0). “Jemi shumë shokë me Edgar Çanin. Është një djalë shumë punëtor dhe m’u bë qefi që a mundi të debutonte në Serinë A italiane. Ka punuar shumë dhe mendoj se ai ka të gjitha shanset të shënojë golin e parë në Itali. I uroj sukses dhe besoj se një ditë do të jemi të dy titullarë te Palermo”. Palermo ndeshjen e ardhshme do ta luajë në tranafertë kundër Lacios, ku mund të kemi në fushë edhe një përballje e të riut Çani me veteranin Igli Tare.
Ujkani, i cili ishte pjesë e listës së trajnerit të Bushatit për ndeshjen e anuluar kundër Greqisë U-21 në Vlorë, ndihet i gëzuar me heqjen e pezullimit të Shqipërisë nga FIFA. “Jam shumë i gëzuar për rikthimin e Shqipërisë në FIFA dhe UEFA dhe heqjen e masës së pezullimit. Një gjë e tillë na ndihmon ne, që të luajmë ndeshjet eliminatore me ekipin Shpresa”, - përfundon Ujkani, , i cili menjëherë pasi morri pasaportën shqiptare luajti me përfaqësuesen U-21 të Shqipërisë kundër Italisë U-21, në kualifikueset e Kampionatin Europian U-21.

30 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›