Pogradec, familja e peshkatarit hap dyert për mort
Pas 40 ditësh, asnjë shenjë jete nga peshkatari Dilaver Maxhari. Familja, në të zeza
Pogradec-Familja e peshkatarit 52-vjeçar, Dilaver Maxhari, zhdukur 40 ditë më parë në ujërat e liqenit të Pogradecit ka hapur dyert për ngushëllime. Pasi kanë kërkuar ditë e ditë më parë, në ujërat shqiptare të liqenit dhe në ato përtej tij, pa mundur të gjejnë asnjë gjurmë të kryefamiljarit, familja i ka humbur të gjitha shpresat. Ditën e djeshme, bashkëshortja Zhuljeta, e veshur me rroba të zeza ka hapur shtëpinë për të pritur njerëz për ngushëllim. "Shpresat u shuan, tashmë na ka mbetur vetëm të shkojmë nesër dhe të hedhim një tufë lule në liqen, pasi nuk kemi as edhe një varr ku ta qajë familja"- thotë e përlotur ajo. Njësoj keq ndihen edhe fëmijët, që bënë të pamundurën për ta gjetur gjallë. Dilaveri u zhduk së bashku me varkën e tij, në ujërat e liqenit të Pogradecit, gjatë gjuetisë së peshkut, pas një stuhie të papritur që zuri në liqen. Pas kësaj bashkëshortja e tij, Zhuljeta, dy djemtë dhe një vajzë invalide e paralizuar në moshën 9-vjeç, e pritën babanë e tyre me shpresë se ai do të kthehej një ditë. Ata tregojnë se shpresuan shumë që dallgët ta kishin nxjerrë në shtetin fqinj, siç ka ndodhur me peshkatarë të tjerë. Por, nga kërkimet nuk rezultoi asnjë shenjë. Familjarëtsë bashku me të afërmit e tyre, pasi e kërkuan përgjatë gjithë bregut, madje edhe në shtetin fqinjë të Maqedonisë, në brigjet e anës tjetër të liqenit së fundi u dorëzuan..Edhe policia kufitare e kërkoi gjatë tre ditëve, pas ngjarjes me skafe në liqen, por sërish asgjë. Djali i madh i Dilaverit, që ishte emigrant në Greqi, pasi u kthye me urgjencë zhvilloi edhe kërkime private, të cilat dështuan. "Dilaveri ishte minator dhe pas mbylljes së minierave në vitet e tranzicionit, bleu një varkë metalike dhe mjete peshkimi dhe gjuante peshk në liqen. Me atë mbahej gjithë familja",- tregon gruaja, që nuk di të thotë asgjë tjetër për tragjedinë që i ndodhi.