Vlorë, kërcënohet me armë shoferi i kreut të bashkisë
Guri Selimaj, prej 4 vjetësh shofer i kreut të baskisë, është sulmuar pranë hyrjes së pallatit
Sipas policisë, personi ishte i armatosur e me maskë. Selimaj: Jam i bindur se ishte hajdut ordiner
Vlorë-Shoferi i kreut të bashkisë së Vlorës është kërcënuar me armë nga një person i maskuar. Denoncimi për ngjarjen është bërë vetëm një ditë më pas dhe ka qenë vetë Guri Selimaj, 52-vjeç, që e ka depozituar atë në komisariatin e Vlorës. Bashkë me denoncimin, ai ka treguar para uniformave blu edhe ngjarjen, e cila është shënuar në orët e vona të mbrëmjes së datës 15 dhjetor. Nga përleshja me kërcënuesin, këtij të fundit i është shkrehur arma në ajër, por pa shkaktuar dëmtime. Policia ka nisur hetimet për vrasje të mbetur në tentativë.
Ngjarja
Sipas burimeve zyrtare të policisë së Vlorës, mësohet se 52-vjeçarit, i ka dalë përpara një person, që ai nuk e njihte. Sipas dëshmisë së tij në polici, i panjohuri i kishte zënë pritë pranë hyrjes së pallatit duke e urdhëruar, "Mos bëj as edhe një hap përpara". Dalja e personit ka qenë e beftë dhe nuk është parë ndonjë gjë e dyshimtë nga Selimaj, por pas urdhrit, 52-vjeçari, është kthyer menjëherë dhe ka mundur të reagojë ndaj personit."Arrita të reagoj, por jo të perceptoj zërin, i cili për mua ka qenë fare i panjohur",- ka deklaruar për policinë Selimaj. Kërcënuesi ka qenë me maskë, por edhe i armatosur. Ai ka nxjerrë armën dhe pas përleshjes, arma është shkrepur një herë, fatmirësisht duke mos shkaktuar dëme. Pas shkrepjes së armës, i panjohuri është larguar nëpër rrugicat e lagjes, duke dalë nga pallatet e ish- Gjallicës dhe përfituar nga errësira e natës ka mundur të largohet.
Policia
Me të marrë njoftimin, ekspertë të policisë kanë shkuar pranë pallatit ku ndodhi incidenti. Në vendin e ngjarjes ekspertët kanë gjetur dhe një gëzhojë pistolete, e cila është marrë me cilësinë e provës materiale. "Ngjarja ndodhi rreth orës 23.00 të datës 15 dhjetor, kur edhe ka ndodhur ngjarja, Selimaj kthehej pranë banesës së vet, e cila ndodhet në lagjen '29 Nëntori', pranë shkollës 9-vjeçare "Lef Sallata"- thanë burimet policore.
Dëshmia
Ka mundësi që kërcënuesi të ishte një hajdut ordiner. Kështu është shprehur dje i pyetur përmes telefonit, Selimaj. Kur e ka parë të maskuar, 52-vjeçari i është sulur t'i heqë maskën, madje duke e prekur, por ai ka mundur t'i rrëshqasë dhe ka shkrehur armën një herë në ajër. Pas kësaj ka ikur menjëherë nëpër rrugicat e lagjes. "Jam i bindur se ka qenë thjesht një hajdut që është trembur e ka qëlluar",- tha Selimaj, i cili ka përjashtuar të ketë qenë një objekt i mirëfilltë sulmi. Për ngjarjen ka nisur procedimi penal për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë. Prej 4 vjetësh, Guri Selimaj është me detyrën e shoferit të kryetarit të bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. Sipas hetimorëve, po hetohet për veprën penale të tentativës për vrasje, por një nga pistat është dhe ajo e grabitjeve të shumta nëpër lagje, të cilat së fundmi me kufizimet e energjisë janë shtuar, duke shënuar numër rekord sulmesh për vjedhje.