Reagon Berisha: Ligjet e drejtësisë sipas standardeve
Kryeministri Sali Berisha i përgjigjet përfaqësuesve të gjyqtarëve e prokurorëve, të cilët kërkuan që qeveria të tërhiqet nga 7 p/ligjet që ka çuar në Kuvend, për sa i përket sistemit të drejtësisë. Duke folur në një konferencë për shtyp, Berisha tha: “Një gjë dua t`ju siguroj me bindjen dhe vendosmërinë më të madhe, se ligjet e këtij vendi do të jenë ligjet e standardeve më të mira demokratike. Por në qoftë se kërraba e interesit kërkon t`i tërheqë ato, nuk do të mundë t`i tërheqë”, u shpreh Berisha. Duke iu referuar ligjit të ri të urbanistikës, Berisha tha se me këtë draft hiqet 15% që ndërtuesit ishin të detyruar t’i paguanin organeve të pushtetit lokal. “Ky parim (heshtja është miratim) është shumë më i madh se një leje ndërtimi, por synon për t`i vënë fre korrupsionit dhe burokracisë, për t`i vënë një kufizim shtetit. Shteti duhet të ketë kufizime dhe këto ligje nuk po i shpikim ne, të jeni të sigurt, këto ligje janë praktikat më të mira që ne po i marrim, ne kemi modele tani dhe ecim me modele”, theksoi më tej Berisha.