E Diel, 1 Nëntor 2026

Hiri i Islandës, mbërrin në Kosovë

Aktiviteti i vullkanit në Islandë u shtri vrullshëm edhe në hapësirën ajrore të Kosovës. Në orët e pasdites së djeshme (e martë), organizata Eurocontrol ka njoftuar drejtuesit e Aeroportit të Prishtinës se hiri vullkanik ia ka mësyer vendit tonë.

Për disa orë rresht, ajo do të jetë prezente në atmosferën kosovare. Prej nivelit të tokës, e deri në 6 mijë metra lartësi. Këtë e konfirmoi edhe Altin Ahmeti, zëdhënës i Aeroportit. Ai tregoi se gjatë këtij intervali kohor, aeroporti do të jetë i mbyllur tërësisht.

“Avionët mund të lëvizin mbi hapësirën tonë, por nuk mund të aterrojnë, prandaj dhe aeroporti do të mbyllet tërësisht”, tha Ahmeti. Sipas tij, Eurocontrol ka lajmëruar se kjo re do të jetë prezente në hapësirën kosovare përreth 20 orë.

Kjo është dita e pestë që vullkani Eyjafjallajökull po shkakton pengesa të mëdha, e herë pas here edhe bllokada totale, në hapësirën ajrore të Evropës. Kjo ka shkaktuar kaos në trafikun ajror dhe humbje astronomike të kompanive ajrore.

Dëmet e vullkanit

Shpërthimi i vullkanit në Islandë mund të çojë në një katastrofë ekonomike Evropën, për shkak të humbjeve astronomike që po shkakton. Tri ditë bllokadë, shoqërive ajrore, u ka kushtuar mbi 800 milionë euro dëme.

Edhe Aeroporti i Prishtinës, është goditur me një shumë të vogël prej 200 mijë eurove. E, ato të agjencive ajrore llogariten me miliona, por ende s`kanë shuma të sakta. Mbi 56 mijë veta punojnë në shoqëritë ajrore gjermane.

Po t'u shtosh atyre edhe numrin e punonjësve të aeroporteve, që nga rojet deri te shitëset e dyqaneve Duty-Free, atëherë prej transportit ajror jetojnë në Gjermani rreth 200 mijë veta. Vetëm në aeroportin e Frankfurtit mbi Main punojnë rreth 65 mijë veta. Të gjithë këta, këto ditë kanë qenë pa punë. Veç çmimit të biletave, shoqërive ajrore u bien në kurriz edhe shpenzime të tjera, si p.sh. ato për strehimin dhe ushqimin e pasagjerëve që kanë prerë biletat dhe nuk mund të udhëtojnë.

Po të mendosh se shoqëritë ajrore kanë pasur probleme edhe prej rënies së numrit të fluturimeve për shkak të krizës ekonomike 2009, atëherë nuk përjashtohet se prej gjendjes aktuale disa prej tyre mund të falimentojnë. Eksperti për aviacionin, Andreas Spaeth thotë se një skenar i tillë mund të bëhet shumë serioz ditët e ardhshme.

“Lufthansa apo Air Berlin mendoj se janë në gjendje që ta përballojnë për njëfarë kohe situatën, pa iu dashur të bëjnë shkurtime masive të personelit dhe pa rrezik falimentimi. Por përqindja e fitimit në sektorin e transportit ajror nuk është shumë e lartë dhe për këtë çështja kryesore është sa kohë do të vazhdojë problemi", tha ai.

Sipas vlerësimeve të Lidhjes ndërkombëtare të shoqërive ajrore, IATA, reja vullkanike po u shkakton shoqërive ajrore më tepër humbje se sulmet terroriste të 11 Shtatorit 2010 në SHBA. Humbjet e tyre janë rreth 250 milionë dollarë në ditë, tha shefi i IATA-s, Giovanni Bisignani.

Në rastet e katastrofave natyrore, shoqëritë e sigurimeve nuk marrin përsipër asnjë shpenzim. Bursat njoftuan të hënën se aksionet e këtyre shoqërive kanë shënuar rënie prej 3,5 deri në 4,5 për qind. Sipas Dhomës gjermane të Industrisë dhe të Tregtisë, në rast se fluturimet do të pezullohen tërësisht, humbjet për ekonominë gjermane do të jenë rreth një miliard euro në ditë. Kjo sepse eksportet, të cilat pjesërisht janë të varura edhe prej transportit ajror - përbëjnë një nga shtyllat themelore të ekonomisë gjermane.

Kjo do të thotë se prej ndërprerjes së fluturimeve mund të kenë humbje edhe sipërmarrjet që prodhojnë ilaçe, pjesë për kompjuterë etj. Bllokimi prej dy javësh i transportit ajror do t'i kushtonte prodhimit bruto të vendit një mos rritje, zbritje deri në një gjysmë për qind.

Për këtë shoqatat e ndryshime të sipërmarrjeve gjermane kërkojnë që pas përfundimit të resë vullkanike, të zbuten provizorisht rregullat për fluturimet natën, meqenëse pjesa më e madhe e transportit ajror kryhet natën. Shtabe krize të përbëra nga përfaqësues të politikës dhe të ekonomisë, po përpiqen për të gjetur zgjidhje. Bëhet fjalë për kompensime shtetërore, por deri tani, e sigurt nuk është asgjë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›