E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komuna e sekreteve

Më në fund e pranuan. Zyrtarët e Komunës së Prishtinës dolën hapur dhe sqaruan se kryetari Isa Mustafa nuk ishte në vizitë zyrtare në Belgjikë, por për operim në zemër. Zëdhënësi i Komunës, Muhamet Gashi thotë se pas vizitës mjekësore, kryetari Mustafa është kthyer të hënën në Prishtinë. “Ndërsa sot është mbajtur mbledhja e Këshilli të drejtorëve të Komunës së Prishtinës, nën udhëheqjen e kryetarit. Ai është në gjendje shumë të mirë dhe sapo ka mbërritur, ka filluar punën”, thotë Gashi për Express.

Lajmin e publikuar në Express se kryetari Mustafa është sëmurë dhe ka bërë një ndërhyrje kirurgjikale në zemër, ditë më parë, zyrtarët e Komunës e quanin spekulim. Ata nuk u treguan transparentë përballë mediave dhe qytetarëve të Prishtinës.

Një fakt të tillë e pohon edhe Shemsi Veseli, shef i Grupit parlamentar nga PDK-ja në Kuvendin komunal të Prishtinës. Sipas tij, është prekës lajmi që kryetari është sëmurë. Megjithatë, në raport me votuesin apo qytetarin, ai beson se Komuna nuk është treguar e sinqertë. “Të paktën karshi tyre duhet të jenë realë. Zëvendëskryetari, kryesisht udhëheqësit komunalë, duhet që në njëfarë mënyre, mos të mundohen ta mbrojnë apo ta mbajnë një fshehtësi të tillë, pavarësisht që ai është sëmurë”, thotë Veseli për Express.

Ai thotë të mos jetë asgjë kundër kësaj çështjeje, mirëpo sqaron se secili qytetar i cili i ka dhënë votën kryetarit, ka dëshirë që ai të gëzojë shëndet të mirë. “Është dashur që Komuna të mbajë një takim me Komitetin për politikë e financa, apo të nxirret një komunikatë, me të cilën do të njoftohej opinioni që udhëheqësi i Prishtinës është sëmurë, në mënyrë që të mos krijohet një lloj vakuumi i tillë dhe të manipulohet në forma të ndryshme. Ndoshta ndonjëherë me lloj-lloj metodash vetëm të mos japin informacione”, thotë Veseli, duke thënë se për sëmundjen e kryetarit, qytetarët e Prishtinës janë informuar me anë të hulumtimeve dhe burimeve të tjera, e jo atyre të Komunës.

Por, Xheraldina Rexhepi, ish-deputete e Kuvendit Komunal nga ish-Partia Reformiste ORA, mendon të kundërtën, në lidhje me këtë fshehtësi.

“Përkundrazi. Jam e bindur që Isa Mustafa, për të mos krijuar huti dhe moskuptime në publik, trajtimin në klinikë e ka mbajtur të fshehtë. Përpos kësaj, sëmundja është diçka shumë personale dhe është diçka që mund t’i ndodhë çdo njeriu, jo vetëm kryetarëve të komunave”, thotë Rexhepi për Express. “Prandaj, ai nuk ka dashur ta ndajë atë me publik më të gjerë, sepse siç u kuptua nga të gjithë, zyrtarët e Komunës atë punë e kanë ditur”, u shpreh Xheraldina Rexhepi.

Ndërsa, sipas zyrtares së AAK-së, Donika Kada- Bujupi, janë dy aspekte lidhur me sëmundjen e kryetarit.

“E para, konsideroj që është privatësia e njerëzve, e cila lidhet me aspektin e jetës së tyre private, shëndetit dhe familjes”, thotë Kada-Bujupi. Sipas saj, ndoshta në një moment të caktuar është e drejtë e tyre që të jetë çështje përbrenda familjes dhe nuk dëshirojnë që ta bëjnë publike për opinion dhe për qytetarë. “Në anën tjetër, kur kemi të bëjmë me zyrtarë, e sidomos me kryetarë komunash, konsideroj se qytetarët të cilët kanë qenë përzgjedhës të kryetarit, kanë të drejtë të dinë për jetën e zyrtarëve edhe nëse është në pyetje shëndeti i tyre”, thotë Kada-Bujupi për Express. “Kujdesi dhe transparenca lidhet drejtpërdrejt me funksionimin e punës dhe shërbimin ndaj qytetarëve”, u shpreh ajo.

Tash për tash nuk dihet me saktësi se në cilën ditë Isa Mustafa do të kthehet në zyrën e tij dhe në Prishtinë me shumë probleme. Krejt çfarë dihet, është se detyrën e tij aktualisht është duke e ushtruar nënkryetari i Komunës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›