E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hiroshima, kujton 65-vjetorin e bombës atomike

Bomba Për herë të parë në ceremoninë përkujtimore marrin pjesë edhe diplomatët amerikanë

Në orën 8.15, orë në të cilën në 6 gushtin e vitit 1945, bomba u lëshua nga avioni amerikan “B-29 Enola Gay”, u dëgjuan zhurmat e kambanave ndërsa dhjetëra mijëra njerëz të mbetur gjallë nga ajo ngjarje, fëmijë dhe diplomatë mbajtën një minutë heshtje. Përfaqësuesit e 74 vendeve të ndryshme morën pjesë bashkë me 55 mijë persona, në festimet për 65-vjetorin e hedhjes së bombave atomike që shkatërruan qytetin japonez të Hiroshimës në 6 gusht të vitit 1945 dhe atë të Nagasakit tri ditë më vonë. Për herë të parë në ceremoni morën pjesë një diplomat amerikan, ambasadori amerikan në Tokio, John Roos, dhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban ki-Moon, që tha se duhej krijuar një botë pa armë bërthamore. “Unë kam ardhur këtu për të përcjellë një mesazh shprese, një mesazh paqeje. Për momentin jemi në një udhëkryq. Duhet të arrijmë në një botë pa armë bërthamore”, tha Ban Ki Moon. Edhe Franca dhe SHBA-ja, aleatë të SHBA-së gjatë Luftës së Dytë Botërore, dërguan përfaqësuesit e tyre diplomatikë. I pari që foli ishte kryetari i Bashkisë së Hiroshimës, Tadatoshi Akiba, që pasi lëshoi në qiell rreth 100 pëllumba në shenjë paqeje tha: “Le ta përshëndesim këtë 6 gusht me vendosmërinë e madhe për të treguar se asnjë person në të ardhmen nuk do të përballet më me të tilla tmerre”. Bombardimi atomik i Hiroshimës u bë më 6 gusht të vitit 1945 dhe tri ditë më pas u godit dhe Nagasaki. Askush nuk arriti të jepte një numër të saktë të viktimave në të dyja qytetet e goditura, por flitet për rreth 200 mijë viktima në muaj që pasuan në të dyja qytetet. Të pallogaritshme janë edhe dëmtimet fizike, psikike dhe sociale të personave që u ekspozuan ndaj rrezatimit të bombardimeve në të dyja qytetet. Më 15 gusht të 1945-s, Japonia u dorëzua, por historianët janë akoma të ndarë mbi vlerësimin e nevojës efektive për të përdorur armë të këtij lloji. SHBA-ja nuk bënë kurrë në mënyrë zyrtare një hap pas për këtë vendim. Asnjëherë më parë, që nga koha e luftës e deri më sot, ndonjë funksionar i administratës amerikane nuk ka marrë pjesë në përkujtimin e kësaj ngjarjeje. Por me fitoren e demokratëve dhe inaugurimin e një stili të ri diplomatik nga ana e Shtëpisë së Bardhë të Barak Obamës, gjërat po ndryshojnë dukshëm. Dy vjet më parë, Nancy Pelosi, u bë përfaqësuesja e parë amerikane që vizitoi Memorialin e Paqes në Hiroshima. Dje, ambasadori amerikan në Tokio u bë zyrtari i parë i qeverisë amerikane që mori pjesë në ditën përkujtimore të hedhjes së bombës në Hiroshima.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›