E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bien kontributet, në rrezik pensionet

Arkëtimet nga masa e kontributeve janë 1.6% më pak se një vit më parë

Ngrirja e të ardhurave nga kontributet dhe rritja e pagesave që qeveria bën për pensionet po e thellon deficitin e skemës së sigurimeve me ritme të larta.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se për gjysmën e parë të vitit, të ardhurat e mbledhura nga sigurimet shoqërore, jo vetëm që nuk u rritën, por ishin në vlerë 1.6 për qind më të ulëta se një vit më parë.

Kjo situatë e detyroi qeverinë që në rishikimin e buxhetit shkurtimin më të madh ta bëjë pikërisht te zëri i të ardhurave nga sigurimet shoqërore, të cilat u ulën dy herë më shumë nga mesatarja e zërave të tjerë.

Ministria e Financave pret që për këtë vit të mbledhë nga sigurimet shoqërore rreth 46.4 miliardë lekë kur në të njëjtën kohë shpenzimet për pensionet, me rritjen e fundit pritet të shkojnë 82.2 miliardë lekë, gati dy herë më shumë.

Me këto shifra skema e pensioneve me të gjitha gjasat do të ketë këtë vit deficitin më të lartë historik, ku diferenca e pagesave që bën shteti për pensionet dhe të ardhurave që ai mbledh nga sigurimet pritet të jetë gati sa 3 për qind e Produktit të Brendshëm Kombëtar.

Kjo do të thotë se gati i gjithë deficiti i buxhetit këtë vit do vijë vetëm si pasojë e skemës së sigurimeve. E thënë ndryshe, 95 për qind e borxhit që qeveria do marrë këtë vit do shkojë për të mbuluar deficitin e pensioneve.

Vitin e kaluar qeveria uli me 5 për qind kontributet për bizneset, në argumentin se kjo masë do të nxiste vetëdeklarimet dhe do të rriste punësimin. Por asnjëra nga këto nuk u vërtetua.
Në misionin e fundit në Tiranë misioni i FMN-së i kërkoi qeverisë të rishikojë këtë vendim, e cila sipas fondit nuk solli as ulje të informalitetit, as rritje të punësimit, por thelloi edhe më tej deficitin e pensioneve.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›