Terrorizmi, Shqipëria nuk ngriu asnjë aset

Departamenti Amerikan i Shtetit deklaron se asnjë aset i dyshuar për financimin e terrorizmit nuk është ngrirë gjatë vitit 2010, në bazë të ligjit për ngrirjen e pasurive që financojnë terrorizmin.
Në raportin vjetor të publikuar dje nga Departamenti i Shtetit për luftën kundër terrorizmit në botë, thuhet se Shqipëria premtoi të shtojë kontributin me trupa në Afganistan, ngriu llogaritë bankare të lidhura me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit dhe punoi në mënyrë aktive me Shtetet e Bashkuara e vende të tjera për të luftuar terrorizmin.
Por, nga ana tjetër, nuk pati ngrirje asetesh të tjera në bazë të ligjit shqiptar për bllokimin e aseteve që lidhen me financimin e terrorizmit. Megjithatë, thuhet në raport, efektiviteti i qeverisë shqiptare në këtë aspekt u minua nga mungesa e një infrastrukture për përpunimin e të dhënave dhe nga aftësia e pamjaftueshme për t’i ndjekur dhe menaxhuar si duhet raste të tilla.
“Përpjekjet e qeverisë në luftën kundër terrorizmit pengohen nga mungesa e infrastrukturës dhe e të dhënave për t’i përpunuar e menaxhuar rastet e tilla”, thuhet në raportin që Departamenti Amerikan publikoi dje në kuadër të luftës kundër terrorizmit.
Raporti konstaton se në tetor të vitit të kaluar, Ministria e Financave kishte deklaruar se kishte ngrirë asetet e 6 individëve e të 14 fondacioneve dhe kompanive të përfshira në listën e terroristëve të shpërndarë nga SHBA-ja.
Në kuadër të luftës kundër terrorizmit, raporti përmend procesin në gjykim e sipër ndaj pronave të Jasin al Kadi, i akuzuar për financim të terrorizmit. Al Kadi dhe administratori i tij në Shqipëri është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda në Tiranë dhe aktualisht procesi është në apel. Gjykatat shqiptare kanë ngritur edhe dhjetëra objekte dhe prona të këtij shtetasi në Shqipëri, pasi ishin në listën e zezë të Departamentit të Shtetit.
Në raportin e DASH-it përmendet edhe rasti i arrestimit të Artan Kristos, i akuzuar për thirrje dhe propagandë për veprime terroriste. Prokuroria e Durrësit ka përfunduar hetimet dhe çështjen e ka dërguar për gjykim. Gjatë procesit janë zbuluar një sërë të dhënash, ku Kristo ka marrë informacione në disa institucione shqiptare dhe ua ka përcjellë disa personave që dyshohet se kanë lidhje me terrorizmin. Kristo është mbajtur nën survejim për një kohë të gjatë nga SHISH-i dhe, pasi është konstatuar se bënte propagandë në disa faqe interneti, ai është prangosur. Më parë Kristo kishte qenë një i dyshuar për vrasjen e sekretarit të përgjithshëm të Komunitetit Mysliman në Shqipëri, Sali Tivari, në janar të vitit 2003.
Departamenti Amerikan i Shtetit vlerëson si pozitive përpjekjet e Shqipërisë për të forcuar kufijtë dhe të luftojë krimin e organizuar e korrupsionin. Në raportin e përvitshëm të këtij departamenti, thuhet se Shqipëria po punon në mënyrë agresive me SHBA-në dhe vendet e tjera për të luftuar terrorizmin.
Raporti përmend se “Shqipëria ka premtuar të rrisë trupat në Afganistan dhe të ngrijë llogaritë bankare që kanë të bëjnë me pastrim parash e financimin e terroristëve dhe në mënyrë agresive po punon me SHBA-në dhe vendet e tjera për të luftuar terrorizmin”. Ndërsa në fund thuhet se “Shqipëria ka bërë progres në identifikimin e dobësive në pikat kufitare e detare, por qeveria dhe forcat e policisë vazhdojnë të përballen në forcimin e sigurisë së kufijve dhe të luftojnë krimin e organizuar e korrupsionin”.
#