E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pentagoni kërcënon Wikileaks për dorëzimin e dosjeve

Kërkon tërheqjen dhe eliminimin e menjëhershëm të dokumenteve sekrete mbi luftën

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka bërë me dije se mund t’i detyrojë gazetarët e sajtit “Wikileaks” të rikthejnë 15 mijë dosjet e papublikuara. Kështu, Pentagoni i kërkoi “Wikileaks” që të fshijë menjëherë arkivin e madh të dosjeve ushtarake sekrete të SHBA-së mbi luftën në Afganistan që ka publikuar online dhe të dorëzojë 15 mijë dokumentet e tjera të klasifikuara që posedon. Kështu, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka paralajmëruar se do të përdorë çdolloj metode për t’i detyruar gazetarët e “Wikileaks” të bëjnë gjënë e duhur, nëse këta të fundit nuk do të binden vullnetarisht. “E vetmja gjë e pranueshme për “Wikileaks” është ajo e dorëzimit në mënyrë të menjëhershme të të gjitha versioneve të këtyre dokumenteve qeverisë së SHBA dhe madje t’i eliminojë përfundimisht nga sajti i internetit, nga kompjuterët dhe nga hard-disqet”, tha zëdhënësi i Pentagonit, Geoff Morrell. “Shpresojmë që kërkesat tona të merren parasysh. Publikimi i informacioneve sekrete i ka vënë tashmë në rrezik trupat tanë dhe të gjithë ata që punojnë me ne ndaj publikimi i dosjeve të reja sekrete nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse të përkeqësojë situatën”, tha ai. “Wikileaks”, sajti i themeluar në vitin 2006, vetëm pak ditë më parë publikoi rreth 90 mijë dosje sekrete që hidhnin dritë mbi luftën në Afganistan. Për më tepër është lajmëruar edhe publikimi i rreth 15 dosjeve të reja. Sipas Pentagonit, shpërndarja e këtyre dokumenteve vë në rrezik persona dhe operacione. Morrell ka kujtuar se në shumë dokumente, gjenden emrat e informatorëve afganë dhe kjo përbën rrezik për jetën e tyre. “Sa më gjatë që këto dokumente të jenë publike aq më shumë rrezik përbëjnë ato, ndërsa tërheqja nga sajti i dokumenteve ul mundësinë për t’u ofruar informacione atyre që kanë ndërmend të ndërmarrin veprime të rrezikshme”. Morrell tha gjithashtu se rreth 80 ekspertë të shërbimit inteligjent po punojnë për të ekzaminuar mijëra dokumentet e publikuara që tani, në mënyrë që të lajmërojë qeveritë e vendeve të tjera dhe qytetarët afganë mbi rreziqet konkrete që i kanosen. Ndërkohë, vazhdon të qëndrojë në izolim, në një burg ushtarak amerikan ushtari Bradley Manning, i akuzuar se ka qenë burimi që i ka dhanë Wikileaks dosjet sekrete. Sipas CNN që u referohet burimeve të Pentagonit, Manning vuan nga depresioni. Dokumentet mbulojnë mbi 90 mijë incidente të ndryshme dhe në to jepen edhe vendndodhjet e sakta gjeografike të tyre. është një informacion që vjen i gjithi i përmbledhur dhe që eklipson gjithë sa është thënë deri më tani për Afganistanin dhe luftën që po zgjat në këtë vend që prej nëntë vitesh. Ky material hedh dritë mbi brutalitetin e përditshëm dhe masakrat e kryera mbi civilët e pafajshëm. Ky arkiv do të ndryshojë edhe qëndrimin e opinionit publik dhe mendimin e atyre që janë në qeverisje dhe kanë ndikim diplomatik. Informacioni nuk është i vetmi që do të ketë ndikim për sa i përket përfundimit të luftës dhe sigurisht që nuk mund ta ndryshojë situatën i vetëm, por me siguri që do të ndikojë në ndryshimin e gjërave në një mënyrë të ndjeshme. Sipas themeluesit të sajtit Julian Assage, dosjet nuk përmbajnë informacione për lëvizjen aktuale të trupave në terren. “Jemi siguruar që ato nuk shkaktojnë asnjë dëm apo ndikim negativ. Ne e kuptojmë rëndësinë e mbrojtjes së burimeve konfidenciale dhe e kuptojmë edhe rëndësinë e mbrojtjes së burimeve të trupave amerikane dhe atyre të koalicionit”, tha ai.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›