E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kulari me aromë parfumi



Rita PETRO

Kulari me aromë parfumi

Prapa qafës tënde të fortë dhe të ashpër
Si qafa e demit
Kam lidhur duart e mia të brishta,
Dhe ti, që s’ke pyetur kurrë për zgjedhë
Rri tunduar në kularin
Me aromë parfumi.

O krenari mashkullore!
Ku vallë t’u tretën hapësirat e virgjëra,
Që ëndërrove t’u turreshe,
Gjak të pikonin prej teje.

Në muajin maj

Në natën e ngrohtë, në qiellin e lartë
Hëna seç mburret, me barkun e bardhë.

Poshtë në lëndinë, mbi barin e njomë
Vashë e dashuruar barkun zbulon.

Ca njolla të vogla mbi barkun e bardhë...
ǒu çvirgjërua bota në muajin maj!

Besa

Ju betohem,
Nuk isha unë që e humba atë
Besa më doli e pabesë,
Nga shpirt
M’u shndërrua në Mish të Huaj
Brenda trupit.

Mjekët më këshilluan ta hiqja...

Tani kam në bark
Vragën e plagës së qepur,
Dikush thotë
Dukem më seksi.

Kafenë e pimë

Kafenë e pimë,
Llumi mbeti në fund të filxhanit.
Cigaren e pimë,
Hiri mbeti në llumin e kafes.
Fjalët i thamë,
Zëri mbeti në gotën e zbrazët.
Dashuri nuk bëmë,
Shpresa mbeti në fund të zemrës.

Tek grindemi

Tek grindemi
Ikim nga njëri-tjetri,
Tek ikim
Mendojmë si do të kthehemi,
Tek kthehemi
Dëshirojmë të falim,
Tek falim
Humbasim diçka nga vetvetja,
Tek humbasim
Fitojmë sërish njëri-tjetrin.

Liria!?

Kam mbetur në fillim të një rruge
Që s’i duket fundi,
Me lirinë e madhe
Në duart e mia të vogla.
Askush nuk më ka mësuar
ǒtë bëj me lirinë e tepërt...
Natën
E shoh veten në ëndërr
Të gozhduar në trupin tënd,
Në mëngjes arsyeja,
Djalli më i keq që krijoi Zoti,
Më thotë:
“Respekto lirinë tënde!”
“Respekto lirinë e tjetrit!”
Në djall liria jote!
Në djall liria ime!
Rroftë robëria e shpirtit!

Ne jemi dy gra që të presim

Ne jemi dy gra që të presim,
Ajo me sytë nga dera
Unë me sytë nga qielli,
Ajo shkon e vjen nga korridori në dritare,
Unë rrezikoj tek kapërcej trotuaret,
Ajo ta ndreq shtratin më mirë se gjithmonë,
Unë shkruaj vargje dhe në xhep i zhubros,
Ajo e shtron dhe e ngre tryezën
Kur e sheh që ti s’vjen,
Unë këpus gjethe dhe përdhe i hedh,
Ajo shkon te fqinja dyshimet të harrojë
Unë e di, atje së pari do të shkosh.

Veç nesër
Mëngjesi të ardhtë
Në formën e shëmbëllimit tim.

I burgosuri im

I burgosuri im i përjetshëm,
Në fshehtësinë më të thellë
Të zemrës sime të kam futur,
Që drita e diellit të të hyjë
Përmes syrit tim,
Zemërimi i qiellit të të trondisë
Përmes drithërimës sime,
Vërshimi i ujërave të të ripërtërijë
Përmes gjakut tim.
I burgosuri im i përjetshëm!
Unë s’dua t’ia di Në më do
A më mallkon ti,
Veç në ndodhtë që trupi të më vdesë,
Je i lirë
Bashkë me shpirtin tim
Të fluturosh në qiell.

Hakmarrje fëmije

Kllounin prej lecke e përqafoj fort
Ia laj faqet e pista me lot
E puth në buzët prej kadifeje të kuqe,
Ia hap krahët dhe i vë rreth qafës sime,
E detyroj të qëndrojë mbi këmbët
Mbushur lecka e pambuk,
Po ai si një i dehur lëkundet andej-këtej,
Prej qafës së hollë koka i bie në gjoks,
Në vend të më mbajë, më lëshohet në këmbë.
Unë fëmija i zemëruar
Ia shkul fijet e flokëve një nga një,
Ia tërheq krahët anash me forcë,
Prej trupit këmbët ia gris,
Nga barku i nxjerr gjithçka ka brenda,
S’ngopem e s’ngopem së bëri çika
Viktimën – plaçkë...
Kur lodhem,
E kundroj me duart në mes, fitimtar:
“Guxo të mos më duash prapë!”

Shija e instinktit

Majën e gishtit e ngula
Në zemër të asaj mase të mpiksur
Të kuqtë. U ça u fry
Të bardhën përgjaku
Me majën e gjuhës e lëpiva
E thitha me buzët e etura
Çika- çika e bëra të bardhën
Në dhëmballë
Derisa s’mbeti asnjë shenjë
Në pjatë nga veza syzë.

Kënga e natës

A do vish të shkasim
Në qetësinë e natës
Në lumin e zi
Që të çon te shpella
Ku jeton kuçedra?

Ajo është me barrë
Dhe do pjellë
Shtatë kuçedra të vogla
Që ushqehen me flakëza dashurie
Nga shtatë gojët e mëmës.

A do vish i dashur?
Ajo na pret.
Thotë se qyteti
Do mbetet pa ujë
Po nuk hëngri një çift dashnorësh.

Askush s’po i del për zot dashurisë,
Po ti?!

Deri në kockë

Ditët që jemi bashkë janë të rrezikshme.
Mishin e hamë deri në kockë
E thithim atë sa të arrijë në palcë,
Verën e zgjedhim të kuqe, e pimë me fund
Derisa të arrijë në tru,
Cigaren e thithim thellë
Derisa mushkëritë na mbushen plot tym,
Kafen e pimë të shkurtër
Aq sa të shkojë drejt e në zemër,
Dyshekun e zgjedhim me elasticitet të fortë
Që lëngjet të derdhen në brendësi... thellë.
Ditët që jemi bashkë janë fort të rrezikshme
Deri në kockë të shijshme...

16 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›