HAKMARRJA E SHKRIMTARIT
Mendoja për tre shkrimtare, por në të vërtetë mendoja për të katërtin. Përse u sëmur Mopasani? Përse vdiq aq i ri, vallë? Përse e shtynë, e mënjanuan, e çuan në greminë, nuk e donin më? Përse? Ai u sëmur nga një hipokondri e thellë, që kaloi pastaj në çmendi, kështu thonë, dëgjonte zëra, i dukej sikur e ndiqnin për ta vrarë. Si mund të jetonte si të tjerët ai oxhak, që digjte dru edhe në verë? Përse u sëmur? Po, vallë, përse u sëmur Çehovi? Përse u largua dhe humbi Beketi? Përse hakmarrja vjen në fund, po aq e fortë sa dhe suksesi? Përse e sulmojnë ngulmueshëm dhe asgjesueshëm Kadarenë? Kanë diçka të përbashkët këta shkrimtarë të përjetshëm. Përse ndodh kjo zezonë? Ata shkruan me aq sqimë të hollë, sa vetë sqima i vrau. Ata shkruan me kaq mendjelehtësi dhe seriozitet, sa mendjelehtësia dhe serioziteti i vrau. Ata shkruan duke u tallur dhe ironizuar, sa tallja dhe ironia i vrau. Ata shkruan me shumë dhimbje për dhimbjen në përgjithësi, sa dhimbja i vrau. Ata shkruan me shumë dashuri, sa dashuria i vrau. Kur them u vranë, kam parasysh hakmarrjen. Mjerë ai qe bëhet i madh!..
Roland GJOZA
Mendoja për tre shkrimtare, por në të vërtetë mendoja për të katërtin. Përse u sëmur Mopasani? Përse vdiq aq i ri, vallë? Përse e shtynë, e mënjanuan, e çuan në greminë, nuk e donin më? Përse? Ai u sëmur nga një hipokondri e thellë, që kaloi pastaj në çmendi, kështu thonë, dëgjonte zëra, i dukej sikur e ndiqnin për ta vrarë. Si mund të jetonte si të tjerët ai oxhak, që digjte dru edhe në verë? Përse u sëmur? Po, vallë, përse u sëmur Çehovi? Përse u largua dhe humbi Beketi? Përse hakmarrja vjen në fund, po aq e fortë sa dhe suksesi? Përse e sulmojnë ngulmueshëm dhe asgjesueshëm Kadarenë? Kanë diçka të përbashkët këta shkrimtarë të përjetshëm. Përse ndodh kjo zezonë? Ata shkruan me aq sqimë të hollë, sa vetë sqima i vrau. Ata shkruan me kaq mendjelehtësi dhe seriozitet, sa mendjelehtësia dhe serioziteti i vrau. Ata shkruan duke u tallur dhe ironizuar, sa tallja dhe ironia i vrau. Ata shkruan me shumë dhimbje për dhimbjen në përgjithësi, sa dhimbja i vrau. Ata shkruan me shumë dashuri, sa dashuria i vrau.
Kur them u vranë, kam parasysh hakmarrjen. Mjerë ai qe behet i madh!
* * *
Mopasani e pa veten midis pleqve të rrëgjuar dhe mjekëve cinikë. Çehovi midis kamarierëve dhe mjekëve adhurues të Gjermanisë, ku kurohej, por të paaftë. Beketi midis pleqve të azilit, që e quanin trutharë dhe humbamen nopran. Për Kadarenë u përgatit një dosje e +mendur nga shqiptarët, se nuk donin që ai të fitonte +mimin Nobel. Arsyet ishin më tepër politike, por dhe morale.
Mopasani u quajt i çmendur në kohën e tij. Çehovi vuante nga tuberkulozi dhe, në moshë fare te re, e kuptoi se tallja e tij ishte marrë seriozisht. E kishin dënuar me vdekje. Ishte mjek, e dinte mirëfilli se do të vdiste, po nuk donte të katandisej si një coftinë, prandaj qëndroi shkrimtar gjer në fund, trilloi një dytës Çehov që bën shaka edhe në dergjie e hjekë. Mopasani e la veten, sepse ai e kuptoi ndryshe fundin, iu duk se kishte bërë shumë mëkate, pra, ngatërroi mëkatet letrare me ato të jetës së tij. Ai e pësoi nga kjo gënjeshtër që e shpiku për të keqen e vet. Të dy i sfiliti sëmundja. Ajo ua ngriu dorën. Dhe sa të parëndësishëm u bënë!
Po lexuesit ç'bënin ndërkohë?
Lexonin librat e tyre dhe pinin çaj. I mëshiruan në këtë rrëzim shumëfish të zmadhuar. Po veç i pëlqenin pa masë. Ikën të dy, Çehovi duke kërkuar shampanjën e fundit, të cilën e vuri në buzë si për festë, ndërsa Mopasani i lidhur duar e këmbë, sepse u bë i rrezikshëm, ngaqë të gjitha kronikat e kohës, historitë e gjyqeve, anekdotat e kafeneve i shndërroi në tregime të mahnitshëm dhe bëri shumë armiq. Francës iu komplotua privacia e intimitetit diskret. Orgjitë e natës (se ai bënte jetë nate) i shkruante ditën, duke ia hapur petët lakrorit. Konteshat dhe markezët, kontët dhe dukët, oficerët dhe komandantët trima, nuk ia falën lapërdhitë e tyre, dafrungat, tradhtitë dhe pabesitë, mëkatet më të zeza, dashuritë më të furishme, pasionet më turbulluese. Dhe sëmundja e tij ishte hakmarrja e tyre. Kushedi sa kanë gëzuar që ai vuante. Pastaj i janë lutur Zotit që shkrimet e tij të harrohen shpejt.
Çehovi vdiq duke pirë shampanjë, nuk i shpëtoi finesës së tij të përkorë dhe ajo zhurma banale e tapës së shishes që kërciti si një e shtënë revolveri. Banaliteti dhe mërzia meskine e provincës, që ai e talli, u hakmorën me këtë "shkrepje" idiote në fund të jetës. Mopasani pa pleq dhe qenie të shpërfytyruara, që dergjeshin në shtretër të pistë. Ai pa mjerimin pa ngushëllim.
Beketi jetonte në një vilë madhështore në Francë. Buzë ujrave. I ngopur me lavdi. Po i palumtur. Po pse vallë i palumtur? Të kesh çmimin Nobel, para, autoritet të padiskutueshëm dhe të vuash. Nga i vinte kjo hakmarrje? Nga fundi i jetës talenti i tij i madh kundër absurdit, kotësisë dhe mërzisë u rrënua dhimbshëm nga absurdi, kotësia dhe mërzia. Ishte koha e hakmarrjes kundër shkrimtarit të madh. Kjo kohë ekziston gjithmonë. Asaj nuk i shpëton dot. Ndjesia divine e përjetësisë së shkrimeve, logos infinitus, shoqërohet pikëllueshëm nga përkohësia e njeriut vdekëtar, se shkrimtari është dhe një individ delikat i shoqërisë njerëzore. Ave Dominus!
Dhe pikërisht këtu zë pusi hakmarrja.Ajo do të vijë se s'bën. Nëse nuk godet dot shkrimin, thelbin, ajo kërkon të shkatërrojë trupin, ekzistencën. Bashkë me të, të pikëllojë edhe shpirtin.
* * *
Beketi duhet të priste në shtëpinë e tij shumë adhurues, që vinin nga të katër anët. Gruaja kënaqej, kalonte kohën, të afërm e miq llomotisnin gjëra pa interes, ai çmendej, mërzitej pa masë. Zhaklinë, Fransuazë, Zhozefinë, madamë Puf, vishnjat e glikosë së hidhur, papuçet dhe sapuni Kamai. Çfarë vika pas lavdisë, përmbushjes finale?
Ai ndërroi emër, identitet dhe u regjistrua në një azil pleqsh. Askujt nuk i interesoi ardhja e tij. Heshtja dhe vetmia e rrethuan ndërkaq. Andej matanë prisnin gjeniun, te shtëpia e madhe buzë ujërave, këtu s'pyesnin për të. Ai ishte askushi, një njeri pa fare vlerë dhe kjo, çuditërisht, e gëzonte pa masë. Më në fund, kishte rënë në qetësi. Ishte njeriu i zakonshëm, pa vemendje. ǒëndje të pafundme po provonte. Nuk e respektonin më. Nuk e duronin, se ishte nopran. Këpucët i mbante pa lidhëse, flinte me dritare hapur, që të dëgjonte zogjtë mistikë të natës dhe dallgët. I mbushte muret me shënime, po ashtu dyshemenë dhe xhamat e dritareve. Padyshim i lojtur.
Herë pas here kthehej në shtëpi. Atje gjente shumë njerëz. Zhurmë. Llomotitje. Njëherë shkoi si njeri tjetër, i ndërruar, si një manjat kinse i varfër arti, nga ata milionerët që fshihen pas zheleve, po megjithatë bëjnë përshtypje. Uluni, i tha e shoqja tejet e kënaqur, e ngeshme për muhabet, priteni, ju lutem, ai është këtej rrotull. Me ç'punë merreni, zotëri? Me glikanxo, një lloj pije. Si e bëni glikanxon, mund t'ju pyes? Ai ia shpjegoi. Ajo i tha tejet e kënaqur se mund të flinte aty, kishin plot dhoma të pazëna. Me gjithë atë lavdi të madhe, të përbotshme, ishte i tepërt në shoqërinë e të zakonshmëve. Zoti sikur ia sillte enkas, si ato mushkonjat e bezdisshme të verës që s'ke ç'u bën, si ato minjtë e paftuar që pandehin se u ke zënë bimsat.
Sa njerëz që kishte në atë shtëpi të madhe, sidomos gra! Ç'batërdi mërzie e kotësie! Të gjithë pyesnin: Kur do të vijë Samuel Beket?
Ai ndoshta mendonte se Duke Pritur Godonë kishte qene kodi i tij, me atë kod pat lindur. Dhe, për fat, kishte rastisur në kohën dhe në vendin e përshtatshëm. Ndoshta aty e kuptoi mirëfilli për të njëqindën herë se me çfarë gruaje kishte jetuar aq vjet dhe me ç'njerëz të kotë e të mërzitshëm ishte mbushur bota. Godo nuk do të vinte kurrë.
* * *
Kadare po përballet me një hakmarrje me së shumti politike, nga njerëz që s'e kanë lexuar. Atij i kanë përgatitur dosjen. Rrëmojnë nëpër rafte të vjetra për të gjetur "paçavrat që zunë myk ndër tempuj". I vetmi shkrimtar i madh në botë që ka një dosje nga një pjesë e shqiptarëve, të cilët ngulmojnë ububushëm që Ismail Kadare, kandidat i përhershëm, të mos e marrë kurrsesi çmimin Nobel. Pra, këta shqiptarë nuk duan një nobelist nga vendi i tyre. Kjo i torturon pa masë. Ndoshta kishte te drejtë Konica kur thoshte se s'ka asnjë shqiptar ushtar, të gjithë janë kapedanë. ‘Kohë patriotike’ kanë ardhur! Adhurohet si totem martiri, jo më shkrimtari, e shpesh vetë martiri është i rremë. Dhe bablokët e jurisë, ku ta dish, ndoshta gogësijnë mbi dosjen e qeshin, madje gajasen, sepse kjo farsë e dosjes nuk ka gjasë të ndodhë as në asgjëkundistan.
Një amerikan i qetë më tha se Amerika e sotme nuk e ka një shkrimtar kalibri si Ismail Kadare. Unë ia kthej se në vendin tim ka shumë shkrimtarë, që janë më të mëdhenj se Ismail Kadare. Shkrimtarë modernë, sepse Kadaresë, sipas tyre, i ka ikur koha, madje është "nji kufomë e qelbëzueme mu ne mes të rrugës për lavdi". Ai shqyen sytë. Ashtu mendojnë ata, i them unë. Madje, kanë arritur deri aty, sa të thonë se Kadare ka vrarë njerëz, ka zhdukur me armë nukleare e baktereologjike një qytet të çuditshëm si Gjirokastra. Ejani, thonë ata, të shikoni që ai s'ekziston më në hartë. Dhe këtë e bëjnë që të nxisin bablokët e Nobelit të shfaqen në Shqipëri, jo për Kadarenë, por për ata vetë. Dhe vërtet Kadare e ka bërë këtë krim, po kjo s'është gjë, ai ka gisht edhe në sulmet terroriste të 9/11 në Amerikë… Ai e kuptoi mahinë time dhe qeshi me trishtim. Po, kjo ishte hakmarrja për shkrimtarin. Kjo hakmarrje morbite po i vinte me një dosje plot me firma shqiptarësh patriotë që atij kurrsesi të mos i jepej Nobeli. Këtu është nyja Gordiane, te ky çmim i flamosur. Jo e merr, jo s’e merr Kadareja atë çmim. Na është bërë Nobeli si mustaqet e Çelos. Tekefundit, si shkrimtar gjenial, Kadareja do ta kishte një hakmarrje. Pa të nuk mund të shkonte në Panteon,e kam fjalën për Panteonin kaq të rralluar të letërsisë botërore.
A ndjen pikëllim Kadareja? Padyshim që duhet të ndjejë. Ai po merret edhe me shtëpinë në Gjirokastër. Para ca kohësh takoi me arkitektin e saj, që ka zbuluar aty një burg. Shtëpi me burg. Një mendësi e vjetër e izolimit. Sa bukur tingëllon për artin, sa hidhur për simbolin. Sa pranë dhomës së leximit kemi patur burgun. Ai paska ekzistuar pikërisht në shtëpinë e Kadaresë, si një paralajmërim, si një shenjë e kësaj hakmarrjeje. Këtë shtëpi ai ia ka falur qytetit, botës, bashkë me burgun.
Qoftë një shtojcë lojcake e teatrale e guidës turistike!
16 Shkurt 2009