E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur libri del në dritë...

Andrej MAKIN në bisedë me Branka BOGAVAC

Andrej Makin, me gjak të pastër rus, u konsiderua një rastësi në Francë. Deri më sot ai është i vetmi shkrimtar që ka fituar dy çmimet më të larta franceze në letërsi: “Goncourd” dhe “Medici”, si edhe një të tretë, më pak të rëndësishëm, “Goncourd” të gjimnazistëve, “Mercur de France” për të njëjtin libër, “Testament francez”. Një rast analog nuk mbahet mend deri më sot në analet e letërsisë franceze.

- Zoti Makin, para se t’ju drejtoj pyetjet, po citoj një pasazh nga libri juaj “Testamenti francez”: “Gjuha, kjo materie misterioze, e padukshme, e kudondodhur, me përmbajtjen e saj tingëlluese arrin në çdo cep të botës që ne hulumtojmë. Ajo u jep formën njerëzve, u jep pamjen objekteve dhe shkëlqen në vargje...” Këtu ju i bëni homazh gjuhës franceze. ǒështë gjuha për ju? A është ajo lëndë e parë, të cilën e përpunoni gjatë veprimtarisë suaj?

Gjuha është instrumenti im i punës, kurse lënda e parë janë emocionet që i prapaprijnë gjuhës. Emocionet, të cilat është e pamundur t’i shprehësh, dhe e tërë puna e shkrimtarit është luftë, është betejë me ato të pathëna nëpër botë. Pra, këto janë emocione të pashprehura që vazhdimisht i shmangen gjuhës, që është mjeti me të cilin përpiqemi t’i arrijmë ato.
- Në ç’mënyrë arrini t’i zotëroni ato ndjesi të vështira për t’u kapur?
Nëpërmjet metaforës. Me fjalë të tjera, ne përpiqemi të shprehemi jo në mënyrë eksplicite apo analitike, por nëpërmjet fantazisë, pra nëpërmjet figurës. Nëpërmjet figurës metaforike e përmes saj duhet kapur thelbi i qenies dhe i gjërave.

- A duhet shkrimtari të përjetojë gjithçka, që të jetë në gjendje të shprehë të gjitha ndjenjat?

Ai duhet të përjetojë gjithçka: edhe ngritjet, edhe rëniet, duhet dhe janë të detyrueshme t’i përshkruajë. Gjithashtu, duhen përjetuar edhe vuajtjet e tmerrshme, edhe gëzimet e papërmbajtura.

- Në librin “Testamenti francez” ju përshkruani luhatjet e vuajtjet tuaja për të gjetur pozicionin midis dy gjuhëve. A ndiheni intimisht ndryshe ndaj gjuhës që përdorni?

Sigurisht, sepse ato janë dy këndëvështrime ndaj botës, plotësisht të ndryshme. Por nuk duhet harruar se ekziston vetëm një gjuhë e përbashkët dhe ajo është gjuha poetike, e cila na bashkon të tërëve. Nëse do të përshkruante ndonjë pamje, një skenë melankolike a trishtimi, francezi do të thoshte: “Shiu bie jashtë, njëlloj sikur po vërshon mbi zemrën time.” Rusi do ta krahasonte me trojkën, e cila shpejton përmes luginës me dëborë; japonezi do të fliste për qershinë që i rrëzohen petalet; kurse ndonjë amerikanojugor do të përmendte guaskën në breg të detit. Një jugosllav apo malazez që jeton larg atdheut, mbase do të merrte si shembull të trishtimit zogjtë shtegtarë që i drejtohen vendit të vet... Qëndrimet kombëtare janë të ndryshme, në çdo rast pamja është e ndryshme, ndërsa gjuha, respektivisht, skena e melankolisë është e njëjta. Kjo duhet hulumtuar. Pra, kur flasim një gjuhë tjetër, mjeti është i ndryshëm, por kjo gjë nuk ka rëndëi të veçantë. Unë e përdor gjuhën franeze, sepse ajo më jep më tepër mundësi. Për shembull, kohët e foljeve të gjuhës franceze janë plotësisht të ndryshme nga ato ruse. Frëngjishtja ka njëzet forma foljesh, ndërkohë që në rusisht, madje edhe në serbisht, ekzistojnë tri trajta kohore. Me fjalë të tjera, ka shumë pak karakteristika formale të kohëve të foljes. Kur duam ta spostojmë ndonjë veprim në kohë, frëngjishtja është më e saktë se rusishtja.

- Si ia keni arritur që të sheshoni luhatjet midis gjuhëve ruse dhe franceze, sepse në libër disa herë “keni vendosur” ose të mbeteni rus, ose të bëheni francez?

Ky është pikërisht ai libër, vetë akti i të shkruarit i ka pajtuar të tëra kundërshtitë, ka frenuar pikërisht këto mosmarrëveshje në një tërësi harmonike me të gjitha faktet. Libri për mua është art i harmonisë, në të cilën ka shumë kontradikta, por të gjitha këto qëndrojnë bashkë në harmoni.

- Si keni arritur të ndërtoni një konstruksion të tillë fantastik? Me siguri e keni ripunuar me mijëra herë?

Me mijëra herë! Plot tetë vjet kam mbajtur shënime. Librin e kam shkruar për dy vjet e gjysmë, por me të jam marrë tetë vjet. Kam tonelata me shënime. Kjo ka qenë një punë e gjatë.

- Libri me të vërtetë është i mrekullueshëm dhe duhet ta lexosh dhjetë herë për t’i shijuar të gjitha imtësitë e për të çmur vlerat e tij të vërteta.

Këtë që thatë tani duhet ta shkruani, sepse këto që po them janë vetëm gjëra të vogla e banale, ndërkohë që ju thoni gjëra të mrekullueshme, të cilat duhen bërë të njohura. Përse druheni për t’i bërë publike? Fjalët e mia gjenden në libër, kurse këto që po them tani, janë vetëm banalitete. ǒmund t’ju them tjetër? Nëse do të filloja të flisja për librat e mi, kam përshtypjen se do t’i thurja lavde vetes sime. Po, po, ashtu është, prandaj gjithmonë ndiej një lloj autoçensure kur flas për librat e mi.

- Përderisa keni thënë se gjuha është mjet shprehës, a ju ngre ajo kurthe, të cilat nuk mund t’i zgjidhni, ta zëmë, për të shprehur diçka që është fare e qartë në fantazinë tuaj?

Pa dyshim, sepse në të është e tërë puna ime e shkrimtarit, është angazhimi i pandërprerë, dëshpërimi i tij. Të shkruarit është akti i dëshpërimit total, i përditshëm, i pranuar dhe i vazhdueshëm. Për të thonë se është gëzim. Nuk është e saktë, nuk është lumturi, por vetëm vuajtje, skllavëri e tmerrshme, dhimbje e pandërprerë.
- A nuk keni, sadopak, çaste kur shpërbleheni për një punë të tillë?

Ka çaste gëzimi, çaste të një lumturie totale, por që zgjasin sa hap e mbyll sytë. Gjithashtu, ndihem i shpërblyer kur libri del në dritë, natyrisht në formën e tij përfundimtare.

- Shkrimtari francez Dominik Fernades, gjithashtu fitues i çmimit “Goncourd”, para disa vitesh ka thënë: “Nga koha në kohë, në rutinën letrare shfaqet një mrekulli që kompenson njëqind zhgënjime. Këtë vit kjo mrekulli quhet Andrej Makin...” Edhe unë e pranoj se libri juaj është një mrekulli.

Çdo libër i vërtetë është një mrekulli. Të tillë janë një, dy ose tre në një dhjetëvjeçar. Libra të vërtetë ka shumë pak, por secili prej tyre duhet të jetë një magji e vërtetë që transformon jetën tonë, që transformon jetën time dhe tuajën. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë libri është i keq dhe ai duhet flakur, ose duhet përdorur për skenarë televizivë.
- Kur ju shkruani a përzihen në të jeta juaj, realiteti dhe fantazia juaj?

Gjatë kohës që shkruaj, fantazia është ajo që luan rolin thelbësor dhe që është e plotfuqishme. Sigurisht që çdo gjë e ka zanafillën, siç e kam përmendur, te përjetimet. Por kur unë, ta zëmë, përshkruaj ngjarje nga Lufta e Parë apo e Dytë Botërore, të cilat nuk i kam përjetuar, sidoqoftë, jam i detyruar ta trilloj tërë situatën edhe sikur të mbshtetem në ngjarje, dokumente apo dëshmi.

- Ju, me të vërtetë, flisni për ato luftëra në mënyrë magjepsëse e të besueshme, me figura shumë bindëse, prandaj ju pyes se si ngjizet një personazh në fantazinë tuaj?

Këtu më ndihmon tonaliteti, toni. Për mua, më i rëndësishëm është tonaliteti i një figure. Është njëlloj si në muzikë, kur muzikanti kërkon ndonjë ton, duke goditur në diapazon, kur kërkon notën “la”, e cila i jep mundësi të vlerësojë nëse ai tingull është i saktë. Kështu është edhe në rastin tim. Kur e gjej atë, më vonë e kam të lehtë të sajoj disa intriga apo ngjarje, që kanë të bëjnë me këtë figurë. Kjo tashmë është e lehtë dhe mund ta bëjë kushdo.

-Në librin “Në epokën e lumit Amur” theksoni: “Fshatarët rusë (muzhikë) nuk dinë të jetojnë, e pranojnë mediokritetin, duan të jenë mesatarë, prandaj imitojnë njëri-tjetrin. Ata kanë punë mesatare, kanë gra mesatare dhe bëjnë dashuri mesatare... Me një fjalë, janë mediokër.” A nuk mendoni se shumica e njerëzve zgjedh këtë mënyrë mesatare apo mediokre?

Kjo ndodh për arsye dobësie. Njerëzit nuk i japin më asnjë rëndësi magjisë, ajo nuk ka më vend midis tyre. Ata preferojnë gjithçka që është e errët, e shtruar, e përditshme, duke iu trembur çdo lloj ndryshimi. Dhe bëjnë gjithçka për të pasur një pagë të vogël, për të sigururuar atë nivel të ulët jetese, një apartament të ngushtë. Tragjedia e madhe për njeriun është fakti se ai ka humbur kuptimin e magjisë. Ajo humbet sepse njeriu nuk guxon të flasë për të dhe t’i besojë asaj; ai nuk është i denjë për të, sepse e kalon në shkak ekonomik.
- A do të donit të thonit diçka për nostalgjinë?

Nostalgjisë i kam kushtuar gjashtëqind faqe. (Në këtë çast Makini më tregon tezën e doktoraturës kushtuar Buninit e nostalgjisë.) Sigurisht, herë pas here ndiej nostalgji pikërisht për atmosferën ruse. Por mua më intereson nëse ka ndryshuar regjimi atje dhe a ekzistojnë liritë e vërteta. E kam braktisur Rusinë sepse kam parë se tërë vendin e kishte pushtuar një kapitalizëm i egër, kurse intelektualët u shndërruan në biznesmenë të llojit më të keq. Ky perversitet më ka tronditur shumë në aspektin material. ǒështë e vërteta, shpëlarja e truve ndodhte çdo ditë në Bashkimin Sovjetik, megjithatë, ekzistonte vëllazëria midis njerëzve. Por këtë nuk e gjen më, secili sheh interesin e vet dhe për të mbijetuar duhet të shkelësh tjetrin. Tezën kushtuar Buninit e kam mbrojtur para tre vjetësh, në Sorbonë. Ai punim më ka ndihmuar që të mos degradoj, por të mbetem intelektual. Buninin e konsideroj romancierin e fundit rus.
- Nëse do t’ju pyesja përse shkruani, cila do të ishte përgjigja juaj?

Kur shkruaj, kërkoj pjesëzën e përhershme të një shpirti të huaj. Që kur isha fëmijë, e kam ndier nevojën për një hulumtim të tillë poetik. Unë dëshiroj të transmetoj një amanet, për të cilin mendoj se është i rëndësishëm këndëvështrimi im mbi botën, koncepti im mbi pavdekësinë e pafundësinë. Qëllimi im është të zbuloj një pjesë të përjetësisë te secili prej nesh dhe jo të shpërndaj bukur fjalët në faqet e librit. Kujtimet e mbresat më nxisin për të shkruar, sepse njeriu që bart kujtime tashmë është një krijues. Kur ju vërshojnë kujtimet, përsëri i përjetoni ngjarjet në një mënyrë të pazakontë, sepse kryeni përzgjdhjen e momenteve të rëndësishme. Atëherë e ndieni veten një shkrimtar potencial. Të rikujtosh përjetimet do të thotë të zbulosh shpirtin tënd, do të thotë të prekësh të pakufishmen që gjendet te të tjerët. Roli i shkrimtarit është të frenojë çastin ndërsa shkruan. Çdo person zotëron amplitudën e lumturisë, të fatkeqësisë e të gëzimit. Amplitudën time duhet ta shumëzoni me shifrën një mijë, për shkak të të shkruarit. Përsëri po e theksoj se gjithçka keni thënë, me mijëra herë është më e mirë dhe më interesante se fjalët e mia. Këndvështrimi i një lexuesi objektiv nga jashtë, është shumë më tërheqës se marifetet banale që po përmend. Përse e flakni tutje kritikën? Unë vazhdimisht e çensuroj veveten, prandaj nuk mund të jem i sinqertë.

Përktheu Nikolla Sudar

16 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›