E Diel, 1 Nëntor 2026

Histori kartash

Elsa Ballauri 

Kartat e identitetit e mbajtën peng politikën dhe debatin shqiptar për javë të tëra. Deklamimet kryesore e pozicionuan maxhorancën dhe opozitën në një debat të konsiderueshëm përsa i takon kohës së humbur dhe energjive të shpenzuara me lumenjtë e fjalimeve. Sa më shumë dëgjoja të përsëritej ky lloj debati, aq më shumë bindesha se nuk është aq e thjeshtë “Jo”-ja e opozitës, dhe natyrisht edhe jo aq e lehtë “Po”-ja e maxhorancës. Për fat të keq, debati u strukturua si përherë në kuadratin e vet politik të llojit shqiptar, d.m.th, të të bërit politikë për demagogji, me ftohtësinë e atij që i thotë fjalët pa i besuar, me energjinë e atij që kërkon t’iu mbushë  mendjen të tjerëve me të njëjtat fraza që vijnë pa emocionin e duhur për t’i konsideruar. Por ende politika shqiptare nuk ka shkuar dot në shtëpitë e njerëzve. Kjo ndodh se politikanët janë tepër të pamësuar me psikologjinë se të bësh politikë, është të mbash fjalën e dhënë, të japësh energjinë tënde pa u kursyer për efekt të interesave personale, të bësh politikë është ta konsiderosh tjetrin dhe ta respektosh atë. Kur Henry Truman mori postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara pas vdekjes së Rusveltit në vitin 1945, ai nuk pranoi ta fillojë fjalën e tij të përshëndetjes pa pasur në radhët e para dhe përballë tij opozitën… Kjo është sfida e të fortit dhe e atij që vërtet kërkon të kontribuojë në ndërtimin e demokracisë.
Politika shqiptare manipulon me kundërshtarin për të arritur qëllimet e veta. Në fakt nuk i arrin dot, është një përpjekje e lodhshme që jo vetëm i konsumon vetë politikanët, por lodh dhe depreson njerëzit… për të mos folur paskëtaj për pjesën qesharake, e cila me gjithë problemet që ka populli, është argëtuese…
Për t’u rikthyer te problemi i kartave të identitetit. Këtë çështje e përfytyroj një trekëndësh të detyrueshëm që, megjithëse tërheq brinjët duke u përpjekur të gjejë rehatinë, mbetet i mbërthyer në qoshet e veta. Në njërën qoshe qëndron maxhoranca, në tjetrën opozita dhe në të tretën njerëzit, populli, ata për të cilët gjithmonë ka shumë plane, shumë strategji dhe shumë pak dashuri.
Kartat e identitetit e përfshinë elementin popull shumë më tepër se sa shumë iniciativa të tjera politike. Në pamje, karta e identitetit, është shumë tërheqëse, mikluese, madje edhe pak snobe: përfytyroni shqiptarët të mos kenë xhepa dhe dosje të mbushura me fletë identitare, por një kartë të vogël të lëmuar dhe me ngjyra, një arritje qytetare dhe luksoze që i afrohet vendeve të zhvilluara… Në përmbajtje, karta e identitetit është po aq mikluese; të bën të ndjehesh mirë si qytetar e të presësh pa stres radhët e gjata të çdo lloji, ku merren apo kontrollohen dokumentet.
Dua të ndalem në dy aspekte që e rrethojnë fenomenin e identitetit nëpër karta: e para, diskutimi i gjatë mbi pagesën për to dhe e dyta, se ç’po ndodh, si po ndiqet ky proces.
Në lidhje me të parën, që prej fillimit, më është dukur e padrejtë dhe absurde diskutimi mbi pagesën. Kjo është e lidhur ngushtë me konceptin e të drejtës dhe detyrës. Rëndom e kemi keqkuptuar këtë aspekt pikësëpari se nuk e kemi njohur, nuk e kemi praktikuar atë. Nga periudha e totalitarizmit na mbeti “peshqesh” të bënim “sikur”: shteti na i shkelte të drejtat dhe ne duhet t’i bindeshim me urdhra. Kjo formulë, krejtësisht e kundërt me atë që karakterizon sistemin demokratik, na futi në qorrsokakët e debateve pafund, ku njerëzit në vend që të kuptojnë dhe të zbatojnë detyrat e tyre qytetare, bien viktimë e zënkave të politikanëve që përpiqen t’i manipulojnë. Modeli i shtetit që ia bën gati të gjitha shërbimet qytetarëve dhe paguan vetë për këto shërbime duke i mbajtur ata peng të kësaj marrëdhënieje, është një model i tejkaluar dhe i rrezikshëm. Shqiptarët u mësuan me shtetin e tyre që “mundohej” të bënte gjithçka në emër të tyre dhe mbetën pasivë për të vetëvepruar. Në shtetet e zhvilluara demokratike, natyrisht që sistemi i shërbimet është prioritar, por në asnjë mënyrë duke e bërë qytetarin pasiv dhe vetëm “marrës”, ai duhet të jetë edhe një “dhënës’ i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm. Debati politik i këtij lloji më shumë ishte një përpjekje për rimodelim të strukturës sonë psikologjike në lidhje me raportin shtet-individ. Në këtë aspekt u bënë shumë gabime: së pari nuk u realizua një studim paraprak për grupet e popullsisë që kanë realisht të ardhura shumë të vogla dhe nuk kanë mundësi të paguajnë shumën e kërkuar. Së dyti, u bë një lëshim politik nga ana e qeverisë si rezultat i një ankthi parazgjedhor. Kjo solli edhe disa veprime jo të rregullta në lidhje me përcaktimin e grupeve të margjinalizuara. Është quajtur komuniteti rom një komunitet me probleme ekonomike dhe si rezultat atyre iu mundësohet marrja e kartave falas. Ndërkohë që këtu kemi të bëjmë me një veprim të drejtpërdrejtë të diskriminimit, në këtë rast, pozitiv, por gjithsesi të paargumentuar dhe që lehtësisht e thellon frymën paragjykuese të strukturave shtetërore ndaj komunitetit rom. Jo të gjithë romët nuk kishin mundësi të paguanin një shumë qesharake prej 1200 l, jo të gjithë romët janë të kënaqur me këtë vendim. Ndërkohë që nëse do të ishte bërë një studim i mirëfilltë dhe parashikues, popullsia realisht e varfër në vend do të ketë më shumë shqiptarë se romë-shqiptarë.
Një tjetër çështje e rëndësishme është se si po ecën procesi… Nëse çmimi i kartave u ul, sa i shpejtë dhe efikas është shërbimi për ta realizuar procesin. Nga njëra anë ka mungesë kuponash në shumë rrethe, nga ana tjetër ka informacione për abuzime me kuponat dhe që ato iu jepen personave të njohur dhe jo çdo qytetari. Rasti i kartave të identitetit, mendoj se është një moment shumë i rëndësishëm dhe i mirë për të realizuar dhe përsosur një tjetër eksperiencë që është ajo se si shteti duhet të punojë dhe të veprojë për të përmbushur të drejtat e qytetarëve, jo vetëm duke iu kërkuar atyre të kryejnë detyrimet, por duke i mësuar se si të respektojnë ligjet dhe rrjedhimisht se si ta duan shtetin e tyre. Mënyra afatshkurtër e politikave që ne ndjekim, psikologjia e “sot për sot”, është vrasëse dhe jo vetëm e bllokon profesionalisht politikën, por krijon një humnerë të rrezikshme dhe trishtuese mes saj dhe njerëzve për të cilët ajo ka qenë e destinuar të lindë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›