Përplasja, opozita braktis Kuvendin
BLEDAR HOTI
Opozita bojkoton seancën parlamentare në shenjë proteste ndaj mos përcaktimit të axhendës së diskutimeve jashtë rendit të ditës. Seanca e mbrëmshme ka degjeneruar në debate të ashpra ndërmjet pozitës dhe opozitës. Afrimi i zgjedhjeve të 28 qershorit, ka nxehur situatën politike, duke bërë që maxhoranca dhe opozita të ashpërsojnë tonet ndërmjet tyre. “Padyshim qe motivet janë të qarta për qëndrimin tuaj me dy standarde, ju e bëni këtë rol e detyruar, urdhri vjen nga zyra e Kryeministrisë. Motivi i vërtetë është që të shmangni zbulimin e disa të vërtetave që lidhen me skandalet, që kanë dalë në dritë ditët e fundit, të vërteta që edhe pa i thënë ne, shqiptarët i shohin e i prekin me dorë falë edhe mediave të pavarura”, deklaroi Leskaj. Ndërsa shprehu shqetësimin “për procesin e kartave të identitetit”. “Dua t’ju përsëris edhe njëherë në emër të Grupit, që ti harroni zgjedhjet pa karta, ndaj merrni masa sa nuk është vonë”, tha Leskaj. Ndërsa kreu i grupit të PD-së, Astrit Patozi deklaroi se “po bëhet një përpjekje e qëllimshme për të njollosur integritetin e këtij parlamenti. Kjo është njësoj sikur të pështysh në shtëpinë tënde, sepse për fat të keq ju nuk e konsideroni veten si pjesë e këtij Parlamenti. Për ju Shqipëria është vendi juaj vetëm kur jeni në pushtet, sepse e keni lidhur gjithçka me karrigen tuaj, por vendi ka nevojë edhe për opozitën”. “Ky Parlament ka edhe njollat e veta të zeza. Ka histori të turpshme të bilbilave socialistë, ka keqpërdorimin e ndyrjen e kësaj platforme nga tre ose katër individë, që në mënyrë të vazhdueshme kanë përdorur jashtëqitjet më të neveritshme që mund të prodhojë patologjia më e sëmurë e mashtrimit e mohimit e mendjeve njerëzore për të konsumuar politikë. Ne po shikojmë në zgjedhje me një kontratë të thellë me arritje të jashtëzakonshme, kurse me një e-maile dhe taulante. Çfarë zgjedhjesh mund të fitojë ai kur nuk guxon vetë i pari të futet të ndeshje, por do ta ndjekë atë nga tribuna”, tha Patozi. Por pas kësaj kanë nisur zhurmat në sallë, për shkak të mos dhënies së fjalës nga ana e kreut të grupit të PS-së, Leskaj për replikë. “Kjo është mbledhja e PD-së dhe jo e Kuvendit, së dyti kryetari i grupit të PD-së duhet të rezervohet kur e krahason Shqipërinë këtë parlament, me Parlamentin e Gërdecit, i cili miratoi ligjin që hodhi në erë 26 jetë në Gërdec”, tha Leskaj. Ndërsa Topalli kontestoi atë, duke replikuar se ky është Parlamenti që ratifikoi MSA-në dhe NATO-n. “Njerëzit e blerë nuk përfaqësojnë asgjë, ato absolutisht ndoshta jo sot, por nesër do shkojnë aty ku thotë ligji, nuk shpëton kush. Edi Rama është i paburrë, fsheh pas jush katër vitesh, ju po ikni prapë si frikacake”, tha Topalli, ndërsa socialistët po linin Parlamentin. Por nga salla Gjinushi ka ofenduar Topallin, duke u shprehur se e “ka kthyer parlamentin në motel”. “Ti nuk hyn më në këtë parlament Gjinush”, replikoi Topalli.
Batutat dje ne parlament
Valentina Leskaj: Motivi i vërtetë i juaji është që të shmangni zbulimin e disa të vërtetave që lidhen me skandalet, që kanë dalë në dritë ditët e fundit, të vërteta që edhe pa i thënë ne, shqiptarët i shohin e i prekin me dorë, falë edhe mediave të pavarura.
Astrit Patozi: Historitë tuaja me e-maile, tabulante dhe përralla si këto, harrojeni se kanë ndonjë efekt te shqiptarët, më e shumta ato mund të ngazëllejnë ndonjë ortak të Edi Ramës, në ndonjë restorant luksoz të Tiranës, duke rifituar ndonjë verë të shtrenjtë, apo maksimumi ndonjë nga këto të rinjtë gjoja që politikën e kanë si “Big Brother”.
Jozefina Topalli: Kalojmë në shqyrtimin e projektligjeve
Opozita proteston, i bie tavolinave kërkon replikë...
Valentina Leskaj: Kjo është mbledhja e PD-së dhe jo e Kuvendit, së dyti kryetari i grupit të PD-së duhet të rezervohet kur e krahason Shqipërinë, këtë parlament, me Parlamentin e Gërdecit, i cili miratoi ligjin që hodhi në erë 26 jetë në Gërdec...
Jozefina Topalli: Sa trishtim keni moj zonjë, sa të dëshpëruar jeni, ky është Parlamenti i NATO-s i ratifikimit të MSA-së, që ka dyfishuar rrogat dhe pensionet.
Valentina Leskaj: Ky është Parlamenti që ka vrarë shqiptarët
Jozefina Topalli: Ky është Parlamenti që ju ka përdorur Edi Rama, herë me bilbil, herë pa bilbil, por s’patët leje ndërtimi ju nuk hyni në PS dhe në grup parlamentar. Njerëzit e blerë nuk përfaqësojnë asgjë, ato absolutisht ndoshta jo sot, por nesër do shkojnë aty ku thotë ligji, nuk shpëton kush. Edi Rama është i paburrë, fsheh pas jush katër vitesh, ju po ikni prapë si frikacake
Skënder Gjinushi nga salla: Të doli shkuma moj budallaqe
Jozefina Topalli: Ti nuk vjen më në këtë Parlament, Gjinush, më i pastër do të jetë Parlamenti, më i pastër do të jetë.
Skënder Gjinushi: Do jem do jem, e ke kthyer parlamentin si një pronar moteli