Engel: Zgjedhjet, si anëtari i ri i NATO-s bota i ka sytë te Shqipëria
Kongresmeni amerikan Eliot Engel i bën thirrje klasës politike shqiptare të bëjë kujdes me zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit dhe me procesin e kartave të identitetit. Miku i shqiptarëve, demokrati Engel ka folur dje përpara Parlamentit në seancën e mbrëmshme, ku ka dhënë disa këshilla për qeverinë dhe opozitën e pranishme në sallë. “E di që zgjedhjet në Shqipëri po afrohen. Sigurisht mbetet e rëndësishme të shkohet në votime dhe të merren masa që çdo qytetar që do të votojë të jetë në gjendje të votojë. Dëshiroj t’ju kërkoj që t’i inkurajoni votuesit tuaj të aplikojnë për kartat e identitetit dhe të siguroni administratën e duhur, në mënyrë që çdokush që dëshiron një kartë identiteti të mund ta bëjë atë përpara zgjedhjeve”, tha kongresmeni. Për ligjvënësin amerikan theksoi se “është shumë e rëndësishme të mbani gjallë dëshirën tuaj për demokraci”. “Kjo është mundësia e parë e vendit tuaj ta tregojë veten si anëtar i ri i NATO-s dhe sytë e gjithë botës do të drejtohen nga ju, ndërsa 28 qershori afrohet. Ndërsa kjo është një përgjegjësi e rëndësishme, është në të njëjtën kohë një mundësi e madhe. Zgjedhje të zhvilluara mirë do t’i tregojnë Evropës dhe Shteteve të Bashkuara se Shqipëria po vazhdon në rrugën e mbarë dhe se demokracia juaj është e fortë. Dhe ndërsa tani ne punojmë së bashku për ta çuar Shqipërinë drejt Bashkimit Evropian, shpresoj se këto zgjedhje do të jenë hapi i radhës në këtë drejtim”, theksoi Engel. Kongresmeni u shpreh se “Shqipëria ka akoma shumë për të bërë dhe me të vërtetë shumë punë na pret. Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara në luftën kundër korrupsionit, në luftën kundër trafikimit të drogës dhe krimit; ka bërë hapa të mëdhenj përpara në drejtim të vendosjes së një rendi më të fortë publik”. Kongresmeni amerikan është takuar edhe më parë edhe me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.